Sport

⚽️ SPECIALE: Pesë derbit e zjarrtë të “Anamoravës”

Autori: Gazeta inFokus 15:09 | 28 April 2017

Rajoni i “Anamoravës” ka qenë ajka e futbollit kosovar këtë edicion duke prodhuar derbi të zjarrtë që kanë arritur të mbledhin shikueshmëri rekorde në shkallët e stadiumit. Një derbi në Vala Superligën e Kosovës, një tjetër në Ligën e Parë dhe tre të tjerë në Ligën e Dytë (Grupi B) kanë rikthyer gjithë vëmendjen e opinionit sportiv në vend nga “Anamorava”, shkruan Gazetasheshi.com.

Në “impiante” që vetëm të tilla nuk mund të konsiderohen, tifozët zgjedhin vendin për ti parë këto ndeshje. Së fundmni është Komuna e Kamenicës që me tri skuadra mjaft të fuqishme në Ligën e Dytë ka rikthyer entuziasmin dhe klimën sportive në këtë vend edhe ashtu të heshtur.

Në vazhdim Gazetasheshi.com ju sjellë pesë derbi më të zjarrtë të rajonit të “Anamoravës”:

-Advertisement-

1. Gjilani – Drita (Skifterat vs Intelektualët)

Derbi Gjilani-Drita është ‘qershia mbi tortë’ jo vetëm për rajonin e “Anamoravës”, por për gjithë Kosovën. Sfida e të gjitha sfidave. Kryendeshja e sezonit, pavarësisht pozitën në të cilën ndodhen.

Të zjarrtë janë 90 minutat e lojës që për tifozëritë “Skifterat” (Gjilani) dhe “Intelektualët” (Drita) janë më shumë se kaq. Koreografitë, mjetet piroteknike, mesazhet thumbuese dhe elementet tjera përcjellëse i japin hijeshi edhe më të madhe këtij super-derbi.

Derbi që daton para fillimit të luftës në Kosovës dhe që është ndjekur masivisht në vitet e para të pas luftës tashmë është shndëruar në mit për sportdashësit gjilanas dhe atyre kosovarë që tashmë kanë filluar numërimin së prapthi për të shijuar derbin e tretë për këtë edicion.

2. Vitia – Vllaznia e Pozheranit (Idealistët vs Tigrat)

Përballje tjetër interesante me plot pasion dhe dëshirë për të triumfuar është ai ndërmjet Vitisë dhe Vllaznisë së Pozheranit në Ligën e Parë. Dy skuadrat janë mirë të mobilizuar dhe vazhdimisht kërkojnë mundësinë që të bëjnë hapin gjigant drejt inkuadrimit në elitën e futbollit kosovar.

Aktualisht Vllaznia ndodhet në pozitën e tretë me 40 pikë, ndërsa Vitia në pozitën e tetë me 34 pikë. Kjo ka pak rëndësi për tifozët e dy skuadrave “Idealistët” (Vitia) dhe “Tigrat” (Vllaznia e Pozherani) kur përballen mes vete këto dy skuadra.

Ky derbi ka një zanafillë të largët që është përcjellë masovikisht edhe në duelet e këtyre dy skuadrave në Ligën e Dytë, transmeton Gazetasheshi.com.

3. Bashkimi Koretinit – Kika e Hogoshtit (Unik-at vs Luanët)

Tashmë ka një kohë që banorët e këtyre dy fshatrave frymojnë ndryshe. Pasioni për futbollin është rikthyer dhe ka kapur kulmin tani e dy edicione, teksa skuadrat Bashkimi dhe Kika kërkojnë vazhdimisht inkuadrimin në Ligën e Parë të futbollit kosovar.

Pas një periudhe të gjatë pushimi dy skuadrat janë rithemeluar vite më parë duke shfaqur menjëherë ambicjet e tyre për tu rankuar sa më lartë.

Këto dy skuadra janë përballur edhe në Kupën e Kosovës, me ç’rast kanë përcjellur rivalitetin e tyre edhe në këtë kompeticion garash. Tifozët “Unik-at” (Bashkimi) dhe ata “Luanët” (Kika) nuk zgjedhin ditët për të luajtur skuadrat e tyre. Edhe duelet e mesjavës janë festë për ta, duke mos qenë aspak pengesë për ti mbushur shkallët e stadiumit në të cilën luajnë.

4. Dardana – Bashkimi Koretinit (Dardanët vs Unik-at)

Një rivalitet që është krijuar vazhdimisht, por që ka prekur kulmin këtë edicion, pasi dy skuadrat po luftojnë për tu inkuadruar në Ligën e Parë të futbollit kosovar.

Megjithëse janë në rrugë të mirë për ta bërë një gjë të tillë numri i tifozëve sa vjen e shtohet për këtë ballafaqim. Shkallët e tribunave ishin tepër të vogla për të pritur numrin rekord të tifozërive “Dardanët” (Dardana) dhe “Unik-at (Bashkimi).

Këto ndeshje po përcjellin me interesim të madh edhe nga Federata e Futbollit të Kosovës, e cila është maksimalisht e kujdesshme në mbarëvajtjen e saj.

Dueli i ditës së enjte ndërmjet Bashkimit dhe Dardanës (0-0) është gjykuar nga ‘bilbili’ që drejton ndeshjet në elitën e futbollit kosovar Fatmir Tahiri dhe është përcjellu nga afër nga Bekim Rexhepi, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së.

5. Kika e Hogoshtit – Dardana (Luanët vs Dardanët)

Jo pak për nga rëndësia është edhe dueli ndërmjet Kikës së Hogoshtit dhe Dardanës. Një rivalitet mjaft i shëndoshë që po shoqërohet sezonë pas sezone ka bërë që edhe grupet e tifozërive “Luanët” (Kika) dhe ata “Dardanët” (Dardana) të mobilizohen dhe të jenë në numër edhe në duelet tjera.

Kur këto dy skuadra përballen është mjaft e vështirë për të gjetur ndonjë vend për ta parë ndeshjen, që pavarësisht që luhen në terene të varfëra sportive janë tejet interesante duke shfaqur plot luftë dhe rivalitet brenda saj.

Me apo pa dashje rajoni i “Anamoravës” është shndërruar në një trevë mjaft atraktive për dashamirët e sportit që gjithnjë e më shumë janë në numër kur këto skuadra ndeshen mes vete apo edhe ndaj një kundërshtari tjetër.

Mbetet për të shpresuar dhe uruar që kjo klimë të vazhdojë të mbretërojë edhe më tej me një rivalitet të shëndoshë që mund të prodhojë vetëm skena të hijeshme për futbollin kosovar.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday ne Artmotion
-Advertisement-

Të tjera