Sport

⚽ Ky është menaxheri shqiptar që po bën ‘boom’ në Vala Superligë

Autori: Gazeta inFokus 15:03 | 06 July 2017

Faruk Pogragja, një ish futbollist dhe një menaxher shumë i suksesshëm, i cili javëve të fundit është në qendër të mediave shqiptare, sidomos atyre kosovare, ku edhe po bënë “boom” me punën që po bënë te skuadra e Vllaznisë së Pozheranit.

Faruku është me prejardhje pikërisht nga kjo anë, dhe ashtu si thotë ai në intervistën e zhvilluar me ne, është kënaqësi që po investon dhe po kontribuon për klubin e vendlindjes së tij.

Ndryshe Faruku është një shqiptar me prejardhje nga ana e Moravës, që si i ri ka jetuar në Shkup, ndërsa tashmë 30 vite jeton dhe vepron në Belgjikë, ku edhe kishte luajtur futboll aktiv, ndërsa tashmë luan rolin e një menaxheri, duke bashkëpunuar me disa emra të njohur të futbollit belg dhe atij ndërkombëtarë.

-Advertisement-

“Si çdo shkupjan kam filluar karrierën te Slloga Jugomagnati, ku për trajner kisha Setko Ali. Ai ka qenë trajneri im i parë, përmes të cilit depërtova deri në ekipin e parë si 17vjeçar, ku luaja bashkë me portierin Muhamed Muhamed, Xhenan Hajdarin, Mentor Xhemailin, Sadulla Bekir, etj. Vitet e para si futbollist profesionist te Shkupi për mua ishin të paharrueshme, që mbeten sot e atëherë në kujtesën time. Më kujtohet si sot, në vitin 1989 luajtëm një ndeshje miqësore ndaj Prishtinës, në Çair. Falë paraqitjes time të mirë në atë ndeshje, Mensur Nexhipi dhe trajneri Gjoriç më morën te Prishtina. Aty stërvitesha dhe luaja me shumë yje të asaj kohe që ishin pjesë e skuadrës kosovare, ndërsa pikërisht me Prishtinën dhe qëndrimin tim në këtë qytet lidhet edhe ai moment historik për mua. Atë vit mua më ftuan për të kryer shërbimin ushtarak në Banja Lukë, ndërsa falë boksierit tanë të famshëm, Aziz Salihut dhe shokut të tij, Mirko Puzoviç, unë shërbimin ushtarak në Banja Lukë e kreva njëkohësisht duke luajtur edhe futboll për ekipin e Borac Banja Luka. Me këtë skuadër pata mundësi që të luajmë edhe ndeshje ndërkombëtare, siç ishte edhe ndeshja ndaj francezëve të Lilës, ku vërtetë unë pata një paraqitje shumë të mirë, ndërsa dëgjoheshin zëra se drejtuesit e Lilës më kishin pëlqyer. Mirëpo nuk pati asgjë konkrete dhe pasi më përfundoi shërbimi ushtarak prej 12 muajsh, unë u ktheva sërish në Shkup për të vijuar me Slloga Jugomagnatin, mirëpo gjithnjë në mendje kisha atë interesim që shfaqën drejtuesit e Lilës. Ka qenë pikërisht kjo një shtytje për mua që të punojë edhe më shumë dhe ti them vetes se mund të provohem edhe në futbollin evropian. Pra pikërisht nga interesimi i skuadrës franceze më lindi ideja që unë të kërkoj një sfidë të re në karrierën time, ashtu që vendosa të largohem drejt Bekgjikës, aty ku fatmirësisht kisha edhe dy axhallarët e mi, Avni dhe Nazmi Pogragja. Duke dëgjuar këshillat e tyre, që vërtetë ishin shumë me vend, unë arrita që të depërtojë deri te ekipi i parë i RSJ Wafr, që asaj kohe viteve të 90-ta garonte në Ligën e Dytë të Belgjikës” – rrëfen me shumë përkushtim Faruku, duke vijuar me shumë emocione storien e tij që vërtetë ishte shumë interesante, mirëpo paksa edhe e dhimbshme, sidomos pas atij rasti të rëndë që i kishte ndodhur më pas gjatë karrierës së tij:

“Vitin e parë te RSJ Wafr isha një futbollist mesatar, pasi vërtetë mu nevojiteshe kohë edhe për adaptim, ndërsa pengesë të madhe kisha edhe gjuhën, që vërtetë më pengonte gjatë stërvitjeve dhe komunikimit me shokët e skuadrës. Mirëpo pasi këtë barrierë kalova, vitin e dytë  unë shkëlqeva duke shënuar plotë 18 gola, falë “armës” time që kisha, goditjet e fuqishme me të majtën. Pas kësaj periudhe të shkëlqyeshme filloi interesimi nga disa kuadra tjera belge, si Zulte Varegem, Alost, mirëpo për fat të keq pas një lëndimi të rëndë kur pësova frakturë në këmbën e djathtë dhe këputa ligamentet, karriera ime përfundoi në vitin 1995. Edhe pse dëshira ime e madhe ishte që të vazhdoja, rekomandimi i mjekëve ishte që unë të braktis futbollin dhe ashtu ndodhi. Unë u largova nga loja aktive, mirëpo nga futbolli asnjëherë, pasi shpirti im jeton me futbollin dhe çdoherë është afër futbollit, njëjtë sikurse edhe në këtë rast kur vendosa të ndihmoj klubin e Vllaznisë nga Pozherani” – shprehet Faruk Pogragja në intervistën për “infOSport.mk”.

Biseda e këndshme na solli edhe deri te ideja që Faruk Pogragja të vendoset për të investuar në futbollin kosovar dhe jo në atë të Maqedonisë.

“Pse vendosa të ndihmojë futbollin kosovar dhe jo atë të Maqedonisë? Pyetje interesante, mirëpo që do i përgjigjem shkurtë. Vendosa të investojë në Kosovë, pasi shteti maqedonas më ka shpërfillur. Edhe pse kam lindur këtu në Shkup, unë nuk kam nënshtetësi të këtij vendi, ndërsa Kosova është vendi ku kanë lindur të parët e mi, ashtu që vendlinja ime na ka nderuar shumë neve si familje, dhe unë pikërisht për këtë vendosa që t’ua rikthejë këtë të mirë duke vendosur që të investojë te Vllaznia e Pozheranit. Unë kam respekt për gjithë anën e Moravës, apo siç themi ne anën “06” (e ka fjalën te targat e veturave), pasi për mua të gjithë janë të njëjtë. Besoj se me ndihmën e miqëve të mi dhe kontakteve që kam do bëjmë një punë të mirë te Vllaznia që vitin e kaluar shkruajtën historinë duke u kualifikuar në mesin e skuadrave më të mira” – deklaroi Pogragja.

Falë tij te Vllaznia e Pozheranit ditë më parë zbarkuan dy përforcime nga Afrika dhe një nga Zvicra. Bëhet fjalë për Engobo Iyenze,  Yanne Mavoungou dhe Aldon Iseni, një futbollist shqiptarë. Mirëpo Faruku thotë se kjo nuk është e fundit që do të bëjë për Vllazninë, pasi te kjo skuadër pritet që të sjellë edhe disa futbollistë të tjerë kualitativ, që do ndihmonin skuadrën e Vllaznisë që në debutimin e saj në Vala Superligën e Kosovës të ketë një rol të rëndësishëm.

“Sollëm tre emra të rinj, mirëpo kjo nuk është e tëra. Shpresojmë se së shpejti do sjellim edhe ndonjë përforcim të ri që do ishte në dobi të skuadrës dhe trajnerit. Neve mundohemi që t’ia plotësojmë kërkesat trajnerit të skuadrës, ashtu që për momentin jemi në kërkim të një qendërsulmuesi, i cili me siguri që do të jetë nga jashtë. Mirëpo për më tepër informacione, ato do i keni ditëve në vijim” – u shpreh Pogragja, i cili në gjithë këtë rrugëtim nuk la pa përmendur edhe bashkëpunëtorët e tij të mëdhenj, menaxherin  kryesor të Anderlehtit, Bekir Tedik si dhe menaxherin afrikan të FIFA-s, De Souza Hermann.

Që të tre emra këta të mëdhenj, me të cilët Vllaznia e Pozherant duket më ndryshe dhe me siguri se në sezonin e ri futbollistik do të luaj një rol të rëndësishëm në Superligën e Kosovës.

Kjo skuadër dalë ngadalë po i ngjan një skuadre mirë të organizuar dhe shumë të konsoliduar, ku që në start vërehet puna që po bënë menaxheri kryesor i kësaj skuadre, Faruk Pogragja, që tashmë ka pajisur skuadrën edhe me fanella të reja për stërvitje si dhe pajisje tjera që ju nevojiten futbollistëve gjatë seancave stërvitore, ku nga një skuadër e një rangu më poshtë tashmë po e bënë në një skuadër për ti marrë lakmi edhe shumë skuadra më me renome në futbollin kosovar.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Rëndësia e komunikimit efektiv midis Familjes dhe Kopshtit
-Advertisement-

Të tjera