Zyra e Kryeministrit reagon ndaj Opinionit të AKK-së, jep 19 konstatimet juridik që dokumentojnë të kundërtën
Autori: Gazeta inFokus 16:03 | 30 January 2018
Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka reaguar ndaj Opinionit të Agjencisë Kundër Korrupsionit lidhur me Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Nr. 04/20, datë 20.12.2017. Në reagim e sotëm thuhet se Opinioni i AKK-së karakterizohet me pasaktësi të shumta juridike, qasje jo profesionale dhe potencialisht të ndikuar, transmeton Infokusi.com.
Në tej në reagimin e zyrës së Kryeministrit thuhet se në vendimmarrjen e Qeverisë votojnë vetëm anëtarët e Qeverisë, e jo edhe zëvendësministrat siç thuhet në opinionin e AKK-së.
Më poshtë mund të gjeni të plotë reagimin e Zyrës së Kryeministrit:
1. Agjencia Kundër Korrupsionit (në tekstin e mëtejmë AKK), me Opinionin e saj me referencë AKK-DPK- DPKI-03- 02-4227/17 lidhur me Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Nr. 04/20, datë 20.12.2017, ka konsideruar se “është shfaqur situatë e konfliktit të interesit “rast për rast” te votimi (aprovimi) dhe nënshkrimi i Vendimit të Qeverisë nr. 04/20 për rritjen e pagave të disa pozitave në kabinetin qeveritar”.
2. Opinioni i AKK-së karakterizohet jo vetëm me pasaktësi të shumta juridike por edhe me një qasje jo profesionale, potencialisht të ndikuar, në interpretimin e dispozitave ligjore për sa i takon konfliktit të interesit në ushtrimin e funksioneve kushtetuese dhe ligjore nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
3. Fillimisht, konstatimi i votimit të Vendimit nga ana e Zëvendësministrave është një nga pasaktësitë juridike të Opinionit të AKK-së. Në vendimmarrjen e Qeverisë votojnë vetëm anëtarët e Qeverisë, e jo edhe zëvendësministrat (shih për këtë nenin 92 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës për përbërjen e Qeverisë). Kjo lë hapësirë që të konstatohet se analiza e AKK nuk ka qenë e thukët në shtjellimin e saktë të lëndës.
4. Mos deklarimi i situatës së konfliktit të interesit gjatë vendimmarrjes së Qeverisë për rastin në fjalë ka qenë rezultat i bindjes së lirë juridike dhe politike se vendimi është marrë mbi bazën e kompetencave kushtetuese të Qeverisë. Nisur nga kjo, asnjëri nga anëtarët e Qeverisë nuk e ka shtruar çështjen e konfliktit të mundshëm të interesit, marrë për bazë, përveç tjerash, edhe mungesën e ndonjë praktike të tillë në të kaluarën.
5. Për më tepër, Vendimi i Qeverisë Nr. 04/20 i datës 20.12.2017 është marrë edhe për arsye të mungesës së një Ligji për Pagat e anëtarëve të Qeverisë dhe duke pasur parasysh praktikën e deritanishme (shih vendimet e mëparshme të Qeverisë, Kuvendit, Presidencës dhe institucioneve të pavarura për caktimin \ rritjen e pagave).
6. Qeveria, mbi bazën e nenit 93 (4) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ka kompetencë kushtetuese, përveç tjerash, të merr vendime. Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës merret në bazë dhe në procedurë Kushtetuese si kompetencë e pakontestueshme ex-lege.
7. Mbi bazën e nenit 92 (2) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës “Qeveria e Kosovës ushtron pushtetin ekzekutiv në pajtim me Kushtetutën dhe ligjin.” Sipas këtij neni, rezulton se vendimet e Qeverisë kanë titullin ekzekutiv sepse natyra kushtetuese e pushtetit të Qeverisë është ekzekutive. Në kuptim të nenit 92 (3) dhe (4) të Kushtetutës, Qeveria ka mandatin kushtetues të marr vendime.
8. Andaj, vendimet e Qeverisë nuk mund të rishqyrtohen në formë tjetër, pos mbikëqyrjes parlamentare nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës apo shqyrtimit të kushtetutshmërisë nga Gjykata Kushtetuese sipas mandatit të saj kushtetues të cekur si më lartë si dhe përmes procedurës gjyqësore. Qeveria, në pajtim me nenin 113 parag. 2 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, për sa i takon kushtetutshmërisë së akteve të saj juridike, i njeh vetëm Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, si autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e kushtetutës në kuptim të nenit
112 dhe nenit 4 (4) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
9. Qeveria e Republikës së Kosovës ka autorizime kushtetuese që të bëjë zbatimin e politikave shtetërore dhe për këtë i nënshtrohet kontrollit parlamentar (shih për këtë nenin 5 (4) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës). Siç është prezantuar edhe nga Kryeministri i Republikës së Kosovës me rastin e prezantimit për shqyrtim dhe miratim para anëtarëve të tjerë të Qeverisë të Propozim vendimit në fjalë, qëllimi i tij, ka qenë, përveç tjerash, edhe nivelizimi i pagave të Anëtarëve të Qeverisë me pagat e degëve të tjera të pushtetit shtetëror (shih për këtë pabarazinë në lartësinë e pagave ndërmjet anëtarëve të Qeverisë, deputetëve dhe kryesisë së Kuvendit, Zyrës së Presidentit si dhe të stafit tjetër mbështetës në këto institucione, për më tepër shihni deklarimin e pasurisë së këtyre zyrtarëve).
10. Në ushtrimin e autorizimeve të tyre kushtetuese dhe siç e përcakton edhe neni 98 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, “Anëtarët e Qeverisë së Kosovës gëzojnë imunitet nga ndjekja penale, paditë civile dhe shkarkimi për veprimet dhe vendimet brenda fushëveprimit të përgjegjësive të tyre si anëtarë të Qeverisë”. Pra, AKK do të duhej të kishte parasysh dispozitën kushtetuese e cila anëtarëve të Qeverisë u garanton imunitetin funksional gjatë ushtrimit të pushtetit të saj ekzekutiv.
11. Kushtetuta e ka autorizuar Qeverinë që të përcaktojë me ligj dhe me rregullore mënyrën e punës dhe procedurat e vendimmarrjes së saj (shih për këtë nenin 99 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës). Kosova ende nuk e ka Ligjin për Qeverinë. Por, Qeveria në mbështetje të autorizimeve kushtetuese të saj, ka nxjerrë Rregulloren e Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 09/2011.
12. Në nenin 2 (2) të Rregullores Nr. 02/2011, Qeveria ka përcaktuar se “Çështjet që lidhen me punën e Qeverisë, që nuk janë rregulluar me këtë Rregullore, përcaktohen me vendim ose me ndonjë akt tjetër të Qeverisë, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjin dhe me këtë Rregullore”.
13. Si rrjedhojë e dispozitave të sipër cekura kushtetuese dhe ligjore, Organet që janë të autorizuara nga Kushtetuta për marrjen e vendimeve, nuk mund të jenë subjekt i konfliktit të interesit gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre kushtetuese, për arsye autorizimi i tyre kushtetues është imperativ dhe në ushtrimin e tyre nuk lejohet delegimi i kësaj kompetence te ndonjë organ tjetër me qëllim të evitimit të konfliktit të interesit. Pra, nisur nga kjo, çështja që shtrohet me këtë rast është se cili organ do duhej të nxirrte një vendim të tillë përpos Qeverisë?
14. Përfitimi privat nuk ekziston në rastin e vendimit të Qeverisë sepse nuk kemi të bëjmë me interes privat por me të drejtën në pagë të dinjitetshme të anëtarëve të Qeverisë e cila në mungesë të një ligji që do ta përcaktonte pagat e anëtarëve të Qeverisë dhe të stafit tjetër mbështetës të tij, nuk ka pasur asnjë rrugë tjetër ligjore, në ushtrimin e funksionit të tyre publik. Për më tepër, vendimi nuk ka efekt personal, por zyrtar. Pra, vendimi i tillë përcakton pagën e anëtarëve të Qeverisë dhe të një pjesë të stafit tjetër të Qeverisë, dhe në asnjë dispozitë të tij, nuk ndërlidhet me interesat private e bartësve të autorizimeve qeveritare, por me pozitën që ata mbajnë. Nisur nga kjo, të gjithë personat që tani dhe në të ardhmen do të ushtrojnë ato autorizime qeveritare, deri sa vendimi i tillë do të jetë në fuqi, do të marrin pagën e përcaktuar me këtë vendim të Qeverisë.
15. Në Opinionin e Agjencisë është potencuar, përveç tjerash, se “Vendimi i Qeverisë i datës Nr. 04/20, datë 20.12.2017 nuk mund të cilësohet si konflikt i interesit për të gjithë ata të cilët janë përfitues nga nxjerrja e këtij vendimi, Konflikti i Interesit është paraqitur tek zyrtarët të cilët me votën e tyre kanë ndikuar që Vendimi të jetë në interes të tyre për përfitime personale”. Çështja që shtrohet me këtë konstatim është se cila mënyrë tjetër ligjore do të ishte ne dispozicion që Qeveria të marrë vendimin e lartë cekur? A është në dijeni AKK për kuorumin e nevojshëm për marrjen e vendimeve të Qeverisë, siç e përcakton neni 15 i Rregullores nr. 09/2011? Për më tepër, në mungesë të Ligjit për Pagat e Funksionarëve të Lartë, si do të duhej të përcaktoheshin pagat e deputetëve, anëtarëve të Qeverisë, Presidentit, bartësve të institucioneve të pavarura etj? Këto pyetje shtrohen në vijim të Opinionit të lartë cekur të AKK-së me të cilin rekomandohet që “Vendimi të kthehet në rishqyrtim, duke shfrytëzuar mënyra tjera ligjore të cilat nuk bien ndesh me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik”. A do të evitohej situata e konfliktit të interesit sikur ligji për paga, duke përfshirë pagat e deputetëve të miratohej nga Kuvendi, duke qenë se deputetët do të mund të kishin “konflikt të interesit” pasi që do të votonin për pagën e tyre? Apo me rastin e shpalljes së ligjit të miratuar nga Kuvendi, ku shpallja do të bëhej nga Presidenti sipas mandatit të tij kushtetues, e në të cilin ligj, do të përcaktohej edhe paga e vetë presidentit? Për më tepër, a janë në konflikt të interesit, vendimet e Qeverisë të cilat janë marrë për rritje të pagave (shih për këtë vendimet e mëhershme të Qeverisë për rritjen e pagave në sektorin publik dhe vendimet për caktimin e pagës minimale në sektorin privat). Këto pyetje shtrohen për të ardhur te përfundimi ligjor se në asnjë interpretim profesional juridik, nuk mund të pretendohet se Qeveria me rastin e një votimi të tillë mund të jetë në një situatë të konfliktit të interesit për arsye thjeshtë kushtetuese dhe ligjore.
16. Vlerësojmë se inicimi i procedurës nga mbikëqyrësi i AKK-së (shih për këtë Kreu III i Ligjit Nr. 03/L-159 për Agjencinë Kundër Korrupsionit), kualifikimi paraprak nga mbikëqyri i shprehur në mënyrë të hapur në mediat tona, si dhe diskursi publik i imponuar për kualifikimin e rastit nga ana e Mbikëqyrësit të AKK-së tek vartësi i tij, ka krijuar një situatë potenciale të konfliktit të interesit.
17. Për më tepër, për vendimet e natyrës së tillë, AKK nuk ka lëshuar asnjë opinion në lidhje
me qindra vendime të Qeverisë, Presidencës, Kuvendit dhe institucioneve të tjera.
18. Sikur të kemi rastin kur vendimet e Qeverisë sfidohen nga organet e tjera administrative, atëherë çështja që shtrohet është, a e ushtron pushtetin ekzekutiv Qeveria apo jo dhe se çfarë natyre juridike kanë aktet e Qeverisë. Kushtetuta e Republikës së Kosovës në nenin 4 të saj ka përcaktuar se “Kosova është Republikë demokratike e bazuar në parimin e ndarjes së pushteteve dhe kontrollit e balancimit në mes tyre, sikurse është përcaktuar me këtë Kushtetutë”. Andaj, në të gjitha kuptimet, Kushtetuta e ka vënë Qeverinë në detyrim kushtetues që të ushtrojë pushtetin e saj ekzekutiv, duke pasur në konsideratë se pushteti i saj balancohet nga pushteti legjislativ përmes mbikëqyrjes parlamentare, dhe nga pushteti gjyqësor përmes procesit të rishqyrtimit gjyqësor të vendimeve të saj. Për më tepër, sikur vendimet e Qeverisë të kontestoheshin edhe nga institucionet e tjera, do të cenohej siguria juridike e vendimmarrjes Qeveritare dhe se asnjëherë, Qeveria nuk do të ndihej qartësisht e bindur se vendimet e saj janë kushtetuese dhe ligjore.
19. Si përfundim, Qeveria e Republikës së Kosovës, është plotësisht e përkushtuar për respektimin e parimit të ndarjes së pushtetit shtetëror dhe sundimit të plotë të ligjit në kuadër të procedurave saktësisht të përcaktuara me kushtetutë dhe me ligj.
Të tjera
-
Rohde për moscertifikimin e Srpska-s: Është procedurë që nuk duhet të politizohet
Jorn Rohde, ambasador i Gjermanisë në Kosovë, duke komentuar moscertifiki...
-
Haradinaj: Aleanca me partnerët, forca e vetme për përparim e zhvillim të vendit
Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe F...
-
Gjendet pa shenja jete një person në Zubin Potok
Pa shenja jete është gjetur një person, sot në fshatin Veli Breg të Zubin Pot...
-
Dalin rezultatet laboratorike për mandarinat e Shqipërisë, AUV: Janë të sigurta për konsum
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë bazuar në rezultatet laboratorike konfir...
-
KQZ çertifikoi një kandidat për deputet që ndodhet në Gjykatën Speciale!
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka certifikuar kandidaturën për deputet të I...
-
‘Po mbahet peng’: Grenell e shpërndan fjalimin e Ramës në Kuvend për Hashim Thaçin
Ish-emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin, Richar...
-
Bedri Hamza thirrje diasporës: Regjistrohuni që të votoni dhe tregoni që Kosova mundet ma mirë
Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, i ka bërë thirrje disaporës...
-
SHBA-ja thellësisht e shqetësuar me moscertifikimin e Listës Serbe
SHBA-ja ka shprehur shqetësimin për moscertifikimin e Listës Serbe nga Komisi...
-
Partia Socialdemokrate: Kurti e di që Lista Serbe do të certifikohet
Partia Socialdemokrate ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti e di që Lista...
-
Me para të shtetit, Ministra Nagavci po organizon një tubim të madh me 26 dhjetor
Kryetar i Unionit të Studentëve Shqiptarë, Ardit Dobi ka reaguar kundër organ...
-
E trishtë: Ky është i riu që humbi jetën në vetaksidentin e rëndë në magjistralen Pejë-Prishtinë
Një vetaksident trafiku i rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në magjistralen ...
-
Bedri Hamza do ta themelojë Fondin e Bursave: 25 milionë euro çdo vit si bursa do u ndahen studentëve
Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka mbajtur një takim edhe m...