Lajme

Zyra e kryeministrit jep detaje për takimin e Kurtit me Admiralin Stuart Munsch

Autori: Gazeta inFokus 23:15 | 27 August 2024

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti sot në takim Komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, Admiralin Stuart Munsch.

Sipas ZKM-së në këtë takim u diskutua rreth zhvillimeve në vend e rajon dhe rreth situatës së sigurisë në përgjithësi.

“Përgjatë bashkëbisedimit, diskutuan rreth zhvillimeve në vend e rajon dhe rreth situatës së sigurisë në përgjithësi. Duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve tona të sigurisë e mbrojtjes me misionin e KFOR-it në Kosovë, Kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë e vullnetin për bashkëpunim e komunikim të vazhdueshëm, në sajë të punës së përbashkët e në shërbim të paqes dhe sigurisë paralelisht me sundimin e ligjit dhe rendit”, thuhet në njoftim.

-Advertisement-

Në takim ka marrë pjesë edhe Komandanti i KFOR-it Ozkan Ulutas.

“Ndër temat qendrore ishte hapja e urës kryesore mbi Ibër në Mitrovicë si një gjë e drejtë, e nevojshme dhe e dobishme. Kryeministri Kurti e njoftoi komandantin e KFOR-it mbi punët e përgjithshme që po zhvillohen në urën kryesore mbi lumin Ibër dhe rezultatet nga raporti preliminar i vlerësimit të qëndrueshmërisë së urës, të dorëzuar nga operatori ekonomik tek Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Në kuadër të hapave të nevojshëm të ndërmarrë nga Qeveria për hapjen e urës, ai rikujtoi dhe takimin publik me qytetarët e Mitrovicës së Veriut, të organizuar më 8 gusht nga komuna e Mitrovicës së Veriut e ku të pranishëm ishin qytetarë nga komuniteti serb, organizata joqeveritare dhe përfaqësues nga niveli qendror e lokal si dhe KFOR-i dhe EULEX”, thuhej në njoftimin e takimit të Kurtit me Ulutas.

Ndërsa gjatë takimit të sotëm me admiralin amerikan, Kurti ka përmendur edhe kriterin e përmbushur nga Kosova për t’u anëtarësuar në NATO që është buxheti i alokuar për mbrojtje.

“Gjithashtu nënvizoi se shuma e përgjithshme e buxhetit të alokuar për mbrojtje në 2023-tën tejkalon nivelin prej 200 milionë euro, apo mbi 2% të Bruto Produktit Vendor, kriter ky për shtetet anëtare të NATO-s, kryeministri nënvizoi synimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në NATO”.

Tutje, bëhet e ditur se në këtë takim admirali amerikan shoqërohej edhe nga komandanti i KFOR’it, Ozkan Ulutas, ndërsa Kurti shoqëeohej nga zv.kryeministri Besnik Bislimi dhe ministri Xhelal Sveçla.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNICEF-i global boton artikull për rezultatet e partneritetit me Devolli Corporation: U fuqizuan gratë, përfituan familjet
-Advertisement-

Të tjera