Opinione

Zjarret dhe pasojat e shkaktuara prej tyre

Autori: Gazeta inFokus 08:31 | 10 August 2017

Shkruan: Tahir Ahmeti

Çdoherë para muajve të verës, duhet bërë përgatitjet maksimale profesionale për parandalimin dhe pakësimin e këtyre zjarreve. Duhet të përfshihet komuniteti lokal i atyre zonave ku zakonisht ndodhin zjarret,  qoftë me trajnime të pjesëtareve të komunitetit, qoftë me fletushka vetëdijesuese të përgatitura për mënyrën e parandalimit dhe luftimit të këtyre zjarreve.

A keni menduar ndonjëherë që mjafton vetëm një cigare e ndezur të hudhet dhe pastaj të kemi zjarr me përmasa shumë të mëdha? Zjarre që rrezikojnë jetën e njerëzve e familjeve të tëra apo pronën private dhe publike!

-Advertisement-

Një pakujdesi e vogël, qoftë ajo edhe krejtësisht e paqëllimshme, mund të shkaktojë dëme të mëdha në pyje, në toka bujqësore dhe në ambientin në përgjithësi. Sigurisht, më e rëndësishmja për t’u kuptuar është rrezikimi i jetës së qytetarëve të Kosovës, sidomos fëmijëve të pambrojtur.

Në ditët e sotme jemi deshmitarë të temperaturave mjaft të larta në Kosovë, që po arrin afër 40 gradë Celsius. Mu për këtë shkak edhe zjarret pyjore dhe fushore janë shfaqur dhe mund të jenë edhe më të shpeshta.

Por, si shkaktohen ato? Në shumicën e rasteve faktori njeri është shkaktari kryesor, marrë parasysh po ashtu se temperaturat e larta kanë ndikim në tharjen e drunjve dhe bimëve.

Gjithsesi, në fazën fillestare kur e shohim që ka filluar ndonjë zjarr i vogël, kontribut mund të japim edhe ne qytetarët e rëndomtë, duke bërë përpjekje që në momentet e para ta luftojmë dhe të mundohemi ta lokalizojmë në mënyrë që mos të perhapet zjarri. Patjetër që duhet pasur parasysh çdoherë që siguria personale duhet të jetë në rend të parë. Ndihmesa që secili qytetar mund të jep është jashtëzakonisht përcaktuese, sepse në mungesë të saj pasojat mund të jenë të paparashikueshme. Madje, edhe vet njësitet e zjarrfikjes do ta kenë shumë të veshtirë qe t’I kontrollojnë dhe lokalizojnë ato zjarre, duke marre parasysh edhe erërat e shpeshta që fryejnë, sidomos në viset malore.

Duke marrë parasysh që këto zjarre janë pothuajse të përditshme çdo vit në kohën e muajve të nxehtë të verës është e habitshme se si Agjencioni për Menagjimin e Emergjencave, por edhe

Drejtoritë Komunale për Mbrojtje dhe Shpëtim, nuk bëjnë përgatitjet maksimale profesionale për parandalimin dhe pakësimin e këtyre zjarreve. Duhet të përfshihet komuniteti lokal i atyre zonave ku zakonisht ndodhin zjarret,  qoftë me trajnime të pjesëtareve të komunitetit, qoftë me fletushka vetëdijesuese të përgatitura për mënyrën e parandalimit dhe luftimit të këtyre zjarreve.

Në këtë mënyrë do të ndihmohen zjarrëfikësit, të cilët në shumë raste edhe pse bëjnë sakrificë të madhe, e kanë të vështirë luftimin e atyre zjarreve. Gjithashtu, këto institucione duhet përgatitur planet e veprimt strategjik, që kanë për qëllim të ndihmojnë drejtuesit dhe menaxhuesit, organet dhe agjencitë e qeverisjes lokale dhe qendrore, të strukturave të emergjencave civile, të komunitetit apo të grupeve të tjera të interesit në një menaxhim sa më të mirë dhe tërësor të zjarreve.

Plani i menaxhimit duhet të jetë i detajuar dhe të përfshijë të gjitha veprimet e planifikuara sipas prioriteteve për parandalimin, shuarjen dhe kontrollin e zjarreve. Plani i parandalimit të zjarrit duhët të bazohet në: 1) Parandalimin e shkaktimit të zjarrit nga personat, 2) Analizën e rreziqeve për rënien e zjarrit, dhe 3) Edukimin/sensibilizimin e qytetarëve dhe komunitetit.

Po ashtu, duhet të bëhen fushata vetëdijesuese gjithëpërfshirëse para sezonës së veres, duke paralajmëruar qytetarët për sanksionet ndëshkuese nga shkaktimi  i zjarreve të qëllimshme. Duke u bazuar në ligjet e Republikës së Kosovës, inicimi i zjarrit që është me rrezik të përgjithshëm është vepër penale dhe sanksionohet me burgim nga 6 muaj deri në 5 vjet.

(Autori është njohës i fushës së emergjencave dhe bashkë-themelues i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë – SPRC)

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Zbritje dhe plot 5 dhurata – Oferta spektakulare e dyshekëve Comodita
-Advertisement-

Të tjera