Lajme

Zgjedhjet parlamentare, KQZ: Përgatitjet intensive do të fillojnë pasi të caktohet data për mbajtjen e tyre

Autori: Gazeta inFokus 13:33 | 04 August 2024

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka takuar para disa ditësh liderët e disa subjekteve politike, ku ka diskutuar për caktimin e datës së zgjedhjeve të reja parlamentare.

Në takim u përmendën disa data të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve, por ende nuk ka ndonjë vendim.

Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thonë se përgatitjet intensive për mbajtjen e zgjedhjeve fillojnë atëherë kur caktohet data për mbajtjen e tyre.

-Advertisement-

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, në një deklaratë për Telegrafin tha se duke ditur se ky është vit zgjedhor, atëherë edhe puna është orientuar në parapërgatitjen e disa çështjeve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve fillon përgatitjet intensive për përgatitjen dhe organizimin e zgjedhjeve, në kuptim të realizimit të aktiviteteve sipas afateve të përcaktuara me ligj, pasi të caktohet data për mbajtjen e tyre. Duke qenë të vetëdijshëm se ky është një vit zgjedhor, që nga fillimi i këtij viti, KQZ e ka orientuar punën në parapërgatitjen e shumë çështjeve që ndërlidhen me detyrimet ligjore të KQZ-së. Në këtë drejtim është harmonizimi i akteve nënligjore (Rregulloreve Zgjedhore) me Ligjin e ri për Zgjedhjet e Përgjithshme si dhe zhvillimi i softuerit të KQZ-së, zhvillimi i të cilit është në përfundim e sipër dhe është mundësuar me mbështetjen e OSBE-së. Me anë të këtij softueri, do të digjitalizohen shumë nga operacionet zgjedhore”, u shpreh ai.

Tutje, Elezi shpjegoi se çfarë shërbimesh do të ofrohen përmes softuerit.

“Përmes këtij softueri do të ofrohen shërbime të ndryshme online, si në vijim: kërkimi i Qendrës së Votimit dhe aplikimi për ndryshimin e saj; aplikimi për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës; aplikimi për regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta; aplikimi për regjistrim dhe përditësimi i të dhënave të partive politike; aplikimi për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve; aplikimi për akreditim për vëzhgim të zgjedhjeve; regjistrimin e të dhënave për trupat zgjedhore; aplikimin online për akreditimin e vëzhguesve; mbledhja e të dhënave dhe paraqitja e rezultateve preliminare dhe përfundimtare në mënyrë progresive”, ka thënë Elezi.

Ndryshe, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas takimit që ka pasur me liderët e subjekteve politike deklaroi se janë brenda afatit të konsultimeve dhe se ligji parashikon katër data të mundshme për zgjedhjet: 26 janar, 2 shkurt, 9 shkurt dhe 16 shkurt, pasi zgjedhjet mbahen vetëm të dielave.

Zgjedhjet e fundit nacionale janë mbajtur më 14 shkurt 2021, kur Lëvizja Vetëvendosje doli e para me më shumë se 50 për qind të votave. Partia e dytë ishte PDK, e treta LDK, kurse e katërta AAK.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Presidenti i UNI z. Alejtin Berisha, folës mbi temën “Women’s Role in Artificial Intelligence Development” në DOKUTECH, edicioni i 11-të
-Advertisement-

Të tjera