Lajme

Zgjedhjet në veri, Osmani: Votoni, refuzoni ata që vijnë te ju me kërcënime dhe shantazhe

Autori: Gazeta inFokus 13:10 | 22 April 2023

Presidentja Vjosa Osmani i ka ftuar qytetarët e komunave veriore që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet komunale që do të mbahen nesër në Mitrovicë te Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Osmani ka thënë se institucionet e Kosovës po bëjnë gjithçka për të siguruar që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme dhe që siguria qytetarëve të jetë e garantuar, raporton Express.

“E kuptoj që shumë prej jush keni qenë cak i kërcënimeve dhe frikësimeve që janë bërë javët e fundit nga struktura kriminale me mbështetje të Beogradit, me qëllim që t’ju detyrojnë të hiqni dorë nga zëri dhe fuqia juaj për ta formësuar të ardhmen e komunave tuaja. Megjithatë, dua t’ju siguroj se të gjitha institucionet e Kosovës po bëjnë gjithçka për të siguruar që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme dhe që siguria juaj të jetë e garantuar”, thuhet në deklaratën e Osmanit.

-Advertisement-

Osmani u ka bërë thirrje qytetarëve që të refuzojnë ata që vijnë “me kërcënime dhe shantazhe”.

“Prandaj, ju bëj thirrje që të refuzoni ata që vijnë te ju me kërcënime dhe shantazhe. Ju inkurajoj që ta dërgoni një mesazh të fortë dhe të qartë me pjesëmarrjen tuaj në zgjedhjet lokale të 23 prillit 2023. Sigurohuni që zëri juaj të dëgjohet këtë të diel, nëpërmjet votës së lirë e demokratike. Mbi të gjitha, pjesëmarrja juaj në zgjedhje do t’u dërgojë një mesazh të fortë atyre që kërkojnë t’ju frikësojnë dhe shtypin, se nuk do të mund t’ju heshtin dhe se zyrtarët e zgjedhur nga ju do t’ju shërbejnë juve dhe interesit të të gjithë qytetarëve të komunës”, ka deklaruar Presidentja.

Deklarata e plotë:

Të nderuar bashkëqytetarë të komunës së Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit,

Zgjedhjet janë gurthemeli i secilës demokraci dhe dita e zgjedhjeve është ditë kur zëri juaj dëgjohet nga të gjithë. Andaj, zgjedhjet e 23 prillit janë moment i rëndësishëm për ju dhe për të ardhmen e komunave tuaja.

E drejta e votës është e garantuar me Kushtetutë dhe ligje, ndaj atë e gëzojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim. Komunat kanë përgjegjësi të qëndrojnë afër qytetarëve, duke ofruar shërbime e projekte të cilat janë në interesin tuaj dhe të cilat zgjidhin problemet me të cilat përballeni çdo ditë. Andaj, nëpërmjet votës suaj ju siguroheni që përfaqësuesit tuaj të zgjedhur do të merren drejtpërsërdrejti me çështje që prekin jetën tuaj dhe krijojnë perspektivë për të gjithë ju. Pjesëmarrja juaj në zgjedhje do të thotë jetë më të mirë për të gjithë ju. Prandaj shfrytëzojeni këtë të drejtë në këtë moment të rëndësishëm për demokracinë. Vota juaj është mjeti më i fuqishëm për të vendosur për të ardhmen e komunës suaj dhe për t’i mbajtur përgjegjës zyrtarët e zgjedhur.

E kuptoj që shumë prej jush keni qenë cak i kërcënimeve dhe frikësimeve që janë bërë javët e fundit nga struktura kriminale me mbështetje të Beogradit, me qëllim që t’ju detyrojnë të hiqni dorë nga zëri dhe fuqia juaj për ta formësuar të ardhmen e komunave tuaja. Megjithatë, dua t’ju siguroj se të gjitha institucionet e Kosovës po bëjnë gjithçka për të siguruar që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme dhe që siguria juaj të jetë e garantuar.

Prandaj, ju bëj thirrje që të refuzoni ata që vijnë te ju me kërcënime dhe shantazhe. Ju inkurajoj që ta dërgoni një mesazh të fortë dhe të qartë me pjesëmarrjen tuaj në zgjedhjet lokale të 23 prillit 2023. Sigurohuni që zëri juaj të dëgjohet këtë të diel, nëpërmjet votës së lirë e demokratike. Mbi të gjitha, pjesëmarrja juaj në zgjedhje do t’u dërgojë një mesazh të fortë atyre që kërkojnë t’ju frikësojnë dhe shtypin, se nuk do të mund t’ju heshtin dhe se zyrtarët e zgjedhur nga ju do t’ju shërbejnë juve dhe interesit të të gjithë qytetarëve të komunës.

Institucionet e Kosovës do të jenë gjithnjë dhe çdoherë në shërbimin tuaj. Siguria dhe perspektiva juaj është prioritet i të gjitha institucioneve të Kosovës.

Suksese në zgjedhjet e 23 prillit!

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Thyhet REKORDI I ZBRITJEVE!
-Advertisement-

Të tjera