Lajme

Zgjedhjet në Kosovë, DW: Sistemi favorizon koalicionet parazgjedhore

Autori: Gazeta inFokus 13:34 | 22 May 2017

Në zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit, Kosova do të shkojë me koalicione të mëdha parazgjedhore, praktikë kjo që ndodh për herë të parë në vend.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se, të regjistruar për zgjedhje ka 5 koalicione, 19 parti politike dhe dy nisma qytetare.

Dy partitë politike më të mëdha, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës do të garojnë në blloqe të mëdha koalicionesh kundër njëra-tjetrës, ndërsa Vetëvendosja del e vetme.

-Advertisement-

PDK-ja është regjistruar bashkë me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën, me kandidat për kryeministër Ramush Haradinajn.

LDK-ja ka krijuar një koalicion të djathtë me Aleancën Kosova e Re, AKR, dhe Alternativën. Pretendenti i tyre për kreun e ekzekutivit është Avdullah Hoti, ish-ministri i Financave në Qeverinë e Isa Mustafës.

Vetëvendosja, nga ana e saj, propozon Albin Kurtin. “Deutsche Welle” citon analistët të pohojnë se krijimi i dy blloqeve të mëdha politike në Kosovë është një përgjigje ndaj sistemit zgjedhor, i cili tashmë është vërtetuar se favorizon koalicionet parazgjedhore.

Në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, në listat për deputetë thuhet se mund të ketë kandidatë, të cilët kanë probleme me ligjin. Kjo, për faktin se Kosova ende nuk ka një ligj, apo kod të mirësjelljes, i cili t’ua ndalojë kandidimin personave nën hetim, apo mbi të cilët janë ngritur aktakuza.

Legjislacioni aktual zgjedhor ua ndalon këtë lëvizje vetëm individëve që kanë dënime të formës së prerë. Prania ndërkombëtare në Kosovë, megjithatë, u ka bërë thirrje partive politike, që në listat për deputetë të mos përfshijnë njerëz që kanë probleme me ligjin. Ambasada e Shteteve të Bashkuara atje e deklaroi qartë se, “në këto lista nuk duhet të figurojnë persona të njollosur në afera korruptive”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
MYZHDE për krejt!
-Advertisement-

Të tjera