Lajme

Zgjedhjet lokale| Qytetarëve nuk do t’u kërkohen dëshmi të vaksinimit ose testit negativ për COVID-19 për të votuar

Autori: Gazeta inFokus 13:21 | 11 October 2021

Të dielën më 17 tetor qytetarët do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e ardhshëm në komunën e tyre.

Këto janë zgjedhjet e dyta që po mbahen në situatën në të cilën gjendemi me pandeminë COVID-19, pas atyre të përkohshmeve për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën më 14 shkurt 2021.
Ndonëse Qeveria e Kosovës në vendimin e marrë më 24 shtator për masat e reja antiCOVID-19, ka theksuar se qytetarët të cilët nuk janë të vaksinuar së paku me njërën dozë të vaksinës ose dëshmi të testit negativ nuk do t’u lejohet hyrja në ambiente të mbyllura të lokaleve e as në qendra tregtare, KQZ-ja nuk ka paraparë që t’u kërkojë dëshmi të tilla qytetarëve që do të votojnë.

Kështu ka thënë për Telegrafin, zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi. Elezi ka shtuar se nga votuesit KQZ-ja kërkon zbatimin e masave të cilat tashmë janë në fuqi.

-Advertisement-

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk do të kërkojë nga votuesit që të dëshmojnë se janë të vaksinuar apo se kanë rezultuar negative në testin për COVID-19. Nga votuesit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkon zbatimin e masave që tashmë janë të njohura. Këto masa, të cilat kanë ardhë si rekomandime/këshilla nga institucionet shëndetësore, janë miratuar nga KQZ-ja në udhëzimin për masat që duhet të zbatohen nga votuesit dhe stafi zgjedhor në ditën e zgjedhjeve”, ka thënë Elezi.

Ai ka shtuar se sipas udhëzimit të KQZ-së, votuesit duhet të mbajnë distancën fizike 2 metra gjatë kohës sa janë duke qëndruar në hyrje të qendrës së votimit apo vendvotimit.

“Gjithashtu, votuesit duhet të mbajnë maskën mbrojtëse gjatë gjithë kohës, me përjashtim kur duhet të identifikohen nga anëtari i këshillit të vendvotimit. Në vendvotim do të vendosen edhe dezifenktuesit, të cilët do t’i shërbejnë votuesve për t’i dezinfektuar duart në hyrje dhe dalje të vendvotimit”, u shpreh Elezi.

KQZ-ja dëshminë e testit negativ ose dëshminë e vaksinimit e ka paraparë t’ua kërkoj vetëm stafit zgjedhor dhe vëzhguesve të zgjedhjeve.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka shtuar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i është drejtuar me një shkresë të veçantë subjekteve politike të cilat janë certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale 2021.

Përmes kësaj shkrese, subjektet politike janë njoftuar se masat e miratuara nga Qeveria e Kosovës, janë të detyrueshme edhe për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

“Prandaj, kemi kërkuar nga subjektet politike që të inkurajojnë të gjithë të nominuarit e tyre, qoftë si staf zgjedhor apo si vëzhgues, që të respektojnë këto masa. Nga anëtarët e Këshillave të Vendvotimit dhe nga Vëzhguesit, do të kërkohen që ta posdojnë të paktën njërin nga këto dokumente: Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një doze të vaksinës kundër COVID-19; Testin PCR negative për COVID-19 jo më i vjetër se 72 orë; Dëshminë se personi e ka kaluar COVID-19, testin PCR pozitiv, i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë, ose rezultat i testit pozitiv të antitrupave serologjik IgG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve; dhe Testin e shpejtë antigjen negative jo më i vjetër se 48 orë”, ka thënë Elezi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNI-Universum International College rankohet me sukses në Times Higher Education Impact Rankings 2024
-Advertisement-

Të tjera