Lajme

Zelensky: Kemi rikthyer 6.000 kilometra katrorë territor të pushtuar

Autori: Gazeta inFokus 11:22 | 13 September 2022

Ushtria ukrainase ka rikthyer 6.000 kilometra katrorë territor të pushtuar nga forcat ruse, që prej nisjes së kundërofensivës në fillim të muajit shtator, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, më 12 shtator.

Ai i bëri thirrje Perëndimit të vendosë më shumë sanksione ndaj Rusisë dhe të përshpejtojë dërgesat e armëve për të lejuar trupat ukrainase të konsolidojnë kontrollin mbi territorin e rifituar.

“Që nga fillimi i shtatorit, ushtarët tanë kanë çliruar tashmë 6.000 kilometra katrorë të territorit ukrainas në lindje dhe jug, dhe ne po përparojmë edhe më shumë”, tha Zelensky në fjalimin e tij të natës.

-Advertisement-

Gjashtë mijë kilometra katrorë është pothuajse e barabartë me zonën e kombinuar të Bregut Perëndimor dhe Gazës.

“Forconi sanksionet – nevojitet një paketë e tetë e sanksioneve të BE-së. Është e nevojshme të rritet ndihma për Ukrainën, para së gjithash për të përshpejtuar sigurimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore për vendin tonë”, tha Zelensky.

Një zyrtar i instaluar nga Rusia në rajonin e Harkivit, e ka thënë më 12 shtator se forcat ruse janë në numër shumë më të vogël në krahasim me ato ukrainase.

Duke folur për mediumin shtetëror rus Rossiya 24, Vitaly Ganchev, ka thënë se trupat ukrainase kanë fituar kontrollin e zotëruar nga Rusia në muajt e fundit, dhe se “rreth 5.000 civilë” janë evakuuar drejt Rusisë.

Sipas tij, ushtria ukrainase është në numër shumë të madh në krahasim me forcat ruse.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./rel

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin
-Advertisement-

Të tjera