Lajme

Zëdhënësi i ushtrisë amerikanë në Evropë: “Defender Europe” merr në konsideratë edhe situatën në veri

Autori: Gazeta inFokus 09:30 | 20 June 2023

Kolonel Martin O’Donnell, zëdhënës i Komandës së Ushtrisë Amerikane në Evropë dhe Afrikë, tha se stërvitja ushtarake shumëkombëshe Defender Europe 23 merr në konsideratë edhe situatën në veri të Kosovës.

Ai në një një intervistë për Deutsche Welle foli edhe në detaje për këtë ushtrim.

“Kosova ishte pjesë e Reagimit të Menjëhershëm, një nga tri stërvitjet e veçanta, por të lidhura me Defender 23 që përfundoi muajin e kaluar, më 30 maj. Për shkak të rrethanave në Kosovë dhe shqetësimeve të SHBA-së për situatën e sigurisë, Komanda Evropiane e SHBA-së përfundoi pjesën e stërvitjes Defender 23 më herët nga sa ishte planifikuar”.

-Advertisement-

“Pavarësisht përfundimit të hershëm stërvitja konsiderohet një sukses pasi trupat nga Shtetet e Bashkuara, Kosova, Turqia, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria ishin në gjendje të ushtrojnë aftësi ushtarake dhe të forcojnë ndërveprueshmërinë gjatë gati dy javëve të stërvitjes ushtarake”.

Intervista e plotë:

DW: Kolonel O’Donnell, stërvitja ushtarake shumëkombëshe Defender Europe 23 është duke u zhvilluar në një situatë kur bota ka ndryshuar për shkak të agresionit brutal të Rusisë kundër Ukrainës. Si po e reflekton kjo manovër ushtarake këtë situatë?

Martin O’Donnell: Angazhimi Dinamik i Forcave në Evropë për Parandalimin dhe Gatishmërinë e Përmirësuar të NATO-s 23, që më shpesh quhet Defender 23, demonstron aftësinë e ushtrisë amerikane për të vendosur me shpejtësi trupa dhe pajisje të besueshme luftarake, siguruar aleatët, penguar ata që do të kërcënonin paqen në Evropë si edhe mbrojtur kontinentin nga agresioni. Stërvitja demonstron gjithashtu përkushtimin e kombeve evropiane për të rritur shkallën, aftësinë dhe ndërveprueshmërinë mes ushtrive të tyre.

DW: Në veri të Kosovës vazhdon situata e tensionuar. A po e merr Defender Europe 23 në konsideratë këtë situatë dhe një përshkallëzim të saj potencial?

Martin O’Donnell: Ushtria amerikane në Evropë dhe Afrikë bën përditë stërvitje në këto dy kontinente. Në këtë mënyrë ne i marrim në konsideratë situatat në afro 100 vende, përfshirë edhe Kosovën.

DW: A mund të rikthehet Kosova në Defender Europe 23 pas përjashtimit të saj, nëse situata do të normalizohet?

Martin O’Donnell: Kosova ishte pjesë e Reagimit të Menjëhershëm, një nga tri stërvitjet e veçanta, por të lidhura me Defender 23 që përfundoi muajin e kaluar, më 30 maj. Për shkak të rrethanave në Kosovë dhe shqetësimeve të SHBA-së për situatën e sigurisë, Komanda Evropiane e SHBA-së përfundoi pjesën e stërvitjes Defender 23 më herët nga sa ishte planifikuar. Pavarësisht përfundimit të hershëm stërvitja konsiderohet një sukses pasi trupat nga Shtetet e Bashkuara, Kosova, Turqia, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria ishin në gjendje të ushtrojnë aftësi ushtarake dhe të forcojnë ndërveprueshmërinë gjatë gati dy javëve të stërvitjes ushtarake.

DW: Çfarë rëndësie strategjike ka Defender 23 për sigurinë rajonale?

Martin O’Donnell: Stërvitja tregon përkushtimin e kombeve evropiane për të rritur nivelin e aftësive dhe ndërveprueshmërisë mes ushtrive të tyre. Sikurse thashë më parë, Defender 23 demonstron aftësinë e ushtrisë amerikane për të vendosur trupa dhe pajisje të besueshme luftarake me shpejtësi, siguruar aleatët, penguar ata që do të kërcënojnë paqen e Evropës dhe mbrojtur kontinentin nga agresioni.

DW: Çfarë konfliktesh dhe krizash të mundshme lidhur me sigurinë dhe paqen në Evropë, mund të ndodhin në kontekstin e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe situatës së tensionuar në veri të Kosovës?

Martin O’Donnell: Do të ishte e papërshtatshme për mua të spekulloja mbi situata hipotetike.

DW: Cili është kontributi i Gjermanisë në Defender Europe 23?

Martin O’Donnell: Defender Europe 23 përbëhet nga tri stërvitje ushtarake të veçanta, por të ndërlidhura me njëra-tjetrën: Reagimi i Shpejtë, Reagimi i Menjëhershëm dhe Përmirësimi i Përfshirjes së Trupave Shumëkombëshe Luftarake (Saber Guardian). Për reagimin e shpejtë, Gjermania siguroi dy avionë Airbus A400 të Forcave Ajrore Gjermane për të lëvizur personelin dhe pajisjet nga Brigada e 11-të Ajrore e Forcave të Shpejta.

DW: Pse Komanda e forcave ushtarake amerikane në Europë (US EUCOM) zgjodhi Shqipërinë për herë të dytë si vend pritës për një stërvitje kaq të madhe ushtarake?

Martin O’Donnell: Shqipëria ka një histori të gjatë angazhimesh të gjera me NATO-n, duke përfshirë kontributin në stërvitjet e Ushtrisë Amerikane në Evropë dhe Afrikë. Kjo komandë vlerëson vendimin e Shqipërisë për të rritur ndjeshëm pjesëmarrjen e saj në stërvitjet shumëkombëshe në shkallë të gjerë, duke përfshirë organizimin e stërvitjes Defender Europe 2021 dhe 2023 si edhe ofertën e Shqipërisë për të pritur sërish stërvitjen Defender Europe 2025. Kryesisht si rezultat i koordinimit të jashtëzakonshëm mes qeverisë së Shqipërisë, Ambasadës së SHBA-së në Tiranë dhe Gardës Kombëtare të Nju-Xhersit, që ka pasur një partneritet të zyrtarizuar me Shqipërinë që nga viti 2001, marrëdhënia e mbrojtjes SHBA-Shqipëri është jashtëzakonisht e fortë dhe po bëhet edhe më e fortë.

DW: Çfarë ka vënë në dispozicion Shqipëria për Defender Europe 23?

Martin O’Donnell: Shqipëria siguroi komandën dhe kontrollin për një brigadë shumëkombëshe, Task Force Jug. Kontribute të tjera përfshinin forcat e operacioneve speciale, trupat e këmbësorisë dhe njësitë e mbështetjes logjistike, që morën pjesë në stërvitjen e Reagimit të Menjëhershëm.

DW: Sa kombe dhe trupa marrin pjesë në Defender Europe 23? Cilat janë aktivitetet kryesore?

Martin O’Donnell: Angazhimi Dinamik i Forcave në Evropë për Parandalimin dhe Gatishmërinë e Përmirësuar të NATO-s 23, Defender 23, është stërvitja më e madhe vjetore e kombinuar dhe e përbashkët e Komandës Evropiane të SHBA-së, e udhëhequr nga Ushtria Amerikane në Evropë dhe Afrikë. Stërvitja e këtij viti filloi më 22 prill dhe vazhdon deri më 23 qershor në dhjetë vende të Evropës. SHBA ka vendosur rreth 7.000 trupa për të punuar së bashku me 17.000 trupa nga mbi 20 vende evropiane. Stërvitja gati dy mujore fokusohet në vendosjen strategjike të forcave me bazë në SHBA dhe ndërveprueshmërinë me aleatët dhe partnerët evropianë. Secili prej tre stërvitjeve të përmendura, në kuadrin e Defender 23 kanë objektiva unike dhe sfiduese: Reagimi i Shpejtë, teston aftësinë e pjesëmarrësve për të kryer tri operacione të veçanta, të përbashkëta dhe të njëkohshme për t’u ngritur detyrimisht në ajër. Stërvitja e Reagimit të Menjëhershëm lejon kombet dhe pjesëmarrësit të punojnë në kompleksitetin e ngritjes së shpejtë të fuqisë ushtarake që vjen nga SHBA dhe nga stoqet e paravendosura të ushtrisë. Së fundi, stërvitja „Saber Guardian” u ofron njësive pjesëmarrëse sfida unike, të tilla si kryerja e një kalimi përpara të linjave dhe operacione të përbashkëta të hyrjes me forcë për të kapur objektivat kyçe të terrenit

DW: A ka ndonjë reagim nga Rusia dhe aleatët e saj ndaj Defender Europe 23?

Martin O’Donnell: Kjo pyetje duhet t’i shtrohet më mirë Rusisë. Ambasadorja e SHBA në Gjermani, Amy Gutmann, tha javën e kaluar gjatë një konference për shtyp, “Do të isha shumë e befasuar nëse ndonjë lider botëror nuk do të merrte parasysh atë që tregon DEFENDER Europe 23 për sa i përket frymës së kësaj aleance, që do të thotë forcën e kësaj aleance”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkolla Finlandeze lanson programin IMPACT: Tani edhe në gjuhën shqipe, me çmim të përballueshëm
-Advertisement-

Të tjera