Sport

Ylli bavarez: Liverpool është favorit ndaj nesh, ja ndyshimi mes Guardiolës dhe Klopp

Autori: Gazeta inFokus 10:24 | 18 February 2019

“Liverpool është favorit kundër Bayern Munich në përballjen e raundit të dytë të Ligës së Kampionëve”. A e dini se kush e thotë këtë? Jo Jurgen Klopp, asnjë nga “Reds”, por talenti i gjigantëve bavarezë, Joshua Kimmich.

Kampionët e Bundesligës do të ndeshen me Liverpool në “Anfield”, në ndeshjen e parë të këtij raundi, të martën. Skuadra e Jurgen Klopp përfundoi e dyta në grupin e vet, pas PSG, por forma e saj në Premier League ka qenë jashtëzakonisht impresionuese; me 20 fitore, 1 humbje dhe vetëm 15 gola të pësuar në 26 ndeshje.

Në të kundërt, Bayerni ka luftuar për të mbrojtur titullin kampion dhe për momentin ka dy pikë më pak se kryesuesit e Borussia Dortmund, pasi ka luajtur një ndeshje më shumë.

-Advertisement-

Dhe Kimmich pranon se skuadra e tij nuk ka qenë në më të mirën e vet këtë sezon. “Liverpool është favorit, – tha për “The Telegraph” mbrojtësi bavarez. – Kundërshtari ka humbur vetëm një ndeshje të Premier League gjatë gjithë sezonit dhe ka pësuar 15 gola. Nëse na shikoni neve në këtë sezon, nuk jemi aq të qëndrueshëm si më parë.

Champions-i është ndryshe, është një shans për t’u zhvilluar, për të gjetur mënyra të reja për sukses. Jemi pranë Dortmundit në Bundesliga, në çerekfinale të “DFB-Pokal” dhe ende në Ligën e Kampionëve. Sidoqoftë, duhet ta përmirësojmë stilin tonë të lojës, përpara se të matemi e të krahasohemi me ekipet më të mira në Europë”.

Kimmich beson se Klopp ka ndihmuar në transformimin e Liverpool-it: “Është e mahnitshme puna e Jurgen, emocioni që prodhon në fushë dhe me tifozët. Ju mund të shihni se si i shtyn lojtarët e tij në një nivel tjetër. Çdo lojtar bëhet më i mirë me këtë trajner”.

Megjithatë, për Kimmich, ish-trajneri i Bayernit, Pep Guardiola mbetet figura më frymëzuese: “Kur erdha tek ekipi i parë i Bayernit isha disi i frikësuar. Për mua, ishte një botë e re. Trajneri më mësoi shumë, më tregoi hapësirat në fushë, u përmirësova vetëm nga trajnimi me Pep. Ai ishte i mahnitshëm. Shumë shpej unë bëra lojtar i kombëtares, luajta në Kampionatin Europian. Guardiola më ka ndryshuar dhe më ka frymëzuar”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Rakinica e Skenderajt bëhet me rrjet të ri elektrik
-Advertisement-

Të tjera