Sport

“Xabi Alonso, trajneri që solli një frymë të re në Bayer Leverkusen”

Autori: Gazeta inFokus 13:49 | 17 April 2023

Bayer Leverkusen është skuadra e momentit në Gjermani, me “aspirinat” që po shijojnë një moment fantastik edhe kjo falë punës së trajnerit Xabi Alonso.

Bayer e nisi sezonin me shumë luhatje, aq sa në fillim llogaritë i bënte me mbijetesën, por tani, historia ka ndryshuar plotësisht.

Leverkusen pozicionohet tashmë në vendin e 6 të klasifikimit me 44 pikë dhe matematikisht është në lojë sa i përket zonës europiane, ku në horizont është Europa League dhe Champions League, por kjo e fundit duket disi e vështirë pasi kanë mbetur edhe 6 javë deri nga fundi.

-Advertisement-

“Aspirinat” gjithashtu po shijojnë rrugëtimin në Europa League ku në mesjavë do të kërkojnë kualifikim për fazën gjysmëfinale në Belgjikë përballë Royale Union, me sfidën e parë që u mbyll në barazim 1-1 në “Bay Arena”.

Por, sa i rëndësishëm është Xabi Alonso në këtë rrugëtim dhe këtë sezon?

Padiskutim që shumë dhe këtë e vërtetojnë numrat. Leverkusen e nisi sezonin me zvicerianin Seoane në krye, ndërsa 44-vjeçari u shkarkua pas nisjes katastrofike të sezonit, me skuadrën që në tetë javët e para të Bundesliga-s grumbulloi vetëm 5 pikë.

Alonso debutoi me skuadrën në suksesin ndaj Schalke 04 më 8 tetor të vitit të kaluar dhe nga ajo datë dhe ndeshje, spanjolli numëron 27 ndeshje, me 15 fitore, 5 barazime dhe 7 humbje në të gjitha kompeticionet deri më tani.

Një ecuri shumë e mirë, që pas nisjes shumë të dobët të sezonit, tani Leverkusen sheh në horizont Europën nëpërmjet kampionatit, që në periudhën shtator-tetor ishte një ëndërr shumë e madhe, por tani është një realitet i prekshëm dhe kjo falë punës së 41-vjeçarit.

Ish-mesfushori i Real Madrid, Liverpool apo edhe Bayern Munchen po e shijon në maksimum këtë eksperiencë, ndërsa më parë ishte pjesë e skuadrës së dytë të Real Sociedad, ish skuadra e tij e parë si lojtar.

Tani, në hapat e parë të karrierës si trajner profesionist, Alonso po tregon se mbart klasin dhe madhështinë ashtu si në kohën kur ai luante në fushën e lojës.

Sprinti final i sezonit e vendos Alonson dhe skuadrën e Leverkusen përballë rivalëve direkt, pasi kalendari i rezervon përballje interesante duke nisur me Leipzig në fundjavën e ardhme e më pas me Union Berlin, dy kundërshtarë që do të jenë një barometër i vërtet për “aspirinat”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova nderohet me tre Çmime prestigjioze për qëndrueshmëri
-Advertisement-

Të tjera