Lajme

Westerlund: Suedia mbetet pozitive për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe KiE

Autori: Gazeta inFokus 18:36 | 18 January 2023

Më 15 dhjetor në Pragë, kryeministri Albin Kurti dorëzoi aplikimin e Kosovës për anëtarësim në familjen evropiane në Pragë, derisa Presidencën e BE-së e mbante Çekia.

E Jonas Westerlund, ambasador i Suedisë në vendin tonë, vendi i të cilit aktualisht kryeson Presidencën e BE-së, është bërë ndër parët diplomatë ndërkombëtarë që publikisht jep detaje për atë se ku ka mbetur aplikimi i Kosovës për të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.

“Tani procesi i është dorëzuar presidencës suedeze dhe ne i kemi nisur konsultimet. Ambasadori i Suedisë në Bashkimin Evropian e ka thënë qartë se ai do fillojë konsultimet me të ashtuquajturat ‘pesë vendet jo-njohëse’ dhe kjo po vazhdon derisa ne po flasim”, deklaroi ai në një intervistë ekskluzive në Info Magazine të Klan Kosovës.

-Advertisement-

“Ne do vazhdojmë të flasim me të gjitha vendet tjera të Bashkimit Evropian. Do e bëjmë këtë në mënyrë profesionale, në mënyrë të kujdesshme, që t’i dëgjojmë të gjitha vendet anëtare të BE-së. Pastaj do shohim çka do sjellin konsultimet. Çështja kryesore është a duhet apo nuk duhet që ne ta çojmë këtë çështje te Komisioni, kjo është çështja reale këtu. Duhet që për këtë të shohim çka ndjejnë anëtaret e BE-së”, tha ambasadori Westerlund.

Ai tha se është herët të flitet se a janë të zorshme konsultimet për aplikimin e Kosovës për hyrje në BE.

Ndërkohë një aplikim për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ku Suedia është anëtare, Kosova e dorëzoi qysh në maj të vitit të kaluar. Westerlund thotë se diskutimet për këtë çështje po vazhdojnë në Strasburg, ndërsa u shpreh se ato janë pozitive.

“Diskutimet në Strasburg po vazhdojnë dhe shumë vende anëtare të Këshillit të Evropës duket të jenë pozitive, karshi aplikimit të Kosovës. Por si gjithnjë ka disa vende që janë kundër dhe mendoj se kjo do të jetë e lidhur me agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, dhe që kur Rusia nuk është më anëtare e Këshillit të Evropës, është një kohë jo shumë e mirë që të shkohet me aplikim për momentin”.

“Por le të shohim sesi presidenca, pra personi që udhëheq me Këshillin e Evropës, do merret me këtë. E di që diskutimet po vazhdojnë. Le të shohim, unë jam me shpresë edhe në këtë çështje” deklaroi Westerlund.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Kryetari Përparim Rama pjesë e ‘Mayor’s Talk’

Të tjera