Lajme

Weber: Për integrim të qëndrueshëm të serbëve, shteti serb duhet të largohet nga Kosova

Autori: Gazeta inFokus 17:55 | 28 February 2023

Pasi kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq pranuan të hënën në Bruksel propozimin franko-gjerman për një marrëveshje normalizimi mes dy shteteve, politikanët opozitarë në të dy vendet e kritikuan marrëveshjen dhe akuzuan Kurtin dhe Vuçiqin për tradhti.

Marrëveshja prej njëmbëdhjetë pikash bazohet në Traktatin Bazë gjermano-gjerman ndërmjet RFGJ-së dhe RDGJ-së nga viti 1972, por nuk do të çojë në anëtarësimin e Kosovës në OKB, sepse fuqitë me veto, Rusia dhe Kina, janë kundër saj. Megjithatë, Serbia merr përsipër përmes marrëveshjes që të mos e pengojë më tej Kosovën në rrugën e saj drejt organizatave të tjera ndërkombëtare, raporton “Der Standard”.

Integriteti territorial

-Advertisement-

Me marrëveshjen, të dy shtetet pranojnë “barazinë e të gjitha shteteve, respektimin e pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre”. Kjo është e rëndësishme sepse Serbia gjithmonë ka bërë pretendime territoriale ndaj Kosovës. Kosova dhe Serbia gjithashtu duhet të njohin reciprokisht dokumentet edhe simbolet e tyre përkatëse kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat e regjistrimit të automjeteve dhe vulat doganore.

Kisha Ortodokse Serbe merr statusin e mbrojtjes në Kosovë. Ai [propozimi evropian, shën.red.] gjithashtu parasheh “një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”. Këtu përfshihet “mundësia e mbështetjes financiare nga Serbia”. Serbia insiston për një asociacion të komunave serbe në Kosovë, për të cilën ende duhet të negociohet. Deri më tani ka një propozim nga Fondacioni gjerman “Friedrich Ebert” që është në përputhje me ligjin kosovar.

Eksperti gjerman për Ballkanin, Bodo Weber beson se “për një integrim të qëndrueshëm të serbëve të Kosovës është e nevojshme që shteti serb të largohet nga Kosova dhe të kthehet mbrapsht transformimi autoritaro-kriminal në komunat me shumicë serbe”. Megjithatë, propozimi nuk do ta përfshijë këtë. Në Kosovë ekziston shqetësimi se lidershipi në Beograd mund të keqpërdor asociacionin e komunave për të ndërhyrë në punët e brendshme të Kosovës.

Komiteti Mbikëqyrës

BE-ja e ka publikuar marrëveshjen në faqen e saj të internetit. Një komitet i kryesuar nga BE do të monitorojë zbatimin e marrëveshjes. Kurti tha se është i gatshëm ta nënshkruajë marrëveshjen që të hënën. Në anën tjetër, Vuçiqi kërkon që të zbatohen marrëveshjet e mëparshme, por mbi të gjitha të krijohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Presidenti serb, i cili ende nuk dëshiron dhe nuk do ta njohë shtetin e Kosovës, pas takimit në Bruksel tha: “Ne luftuam aq sa mundëm në kushte të vështira për të ardhmen e Serbisë në paqe”. Ai shtoi: “E ruaj betimin tim dhe kushtetutën e Serbisë, sipas së cilës Kosova dhe Metohia janë pjesë e Serbisë”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkolla Finlandeze lanson programin IMPACT: Tani edhe në gjuhën shqipe, me çmim të përballueshëm

Të tjera