Weber: Nëse s’ka pajtim për Asociacionin, dështon gjithçka
Autori: Gazeta inFokus 13:31 | 28 February 2023
Takimi i 27 shkurtit në Bruksel ka prodhuar një situatë të paqartë rreth asaj se kush, çfarë ka pranuar. Dikush e interpreton edhe si pranim për themelimin e Asociacionit, dikush tjetër thotë që Kurti ka pranuar vetëm planin franko-gjerman pa Asociacion duke e argumentuar edhe me faktin që Vuçiq ka refuzuar që të nënshkruaj. Por çfarë prodhoi në të vërtetë takimi i gjatë i të hënës në Bruksel dhe kush çfarë pranoi.
Edhe analisti gjerman dhe eksperti i Democratization Policy Council (DPC), Bodo Weber në një intervistë konkludon se deklarimet e Borell, Kurtit dhe Vuçiqit kanë prodhuar një konfuzion për atë se çfarë është arritur.
Sipas tij, ajo që ka ndodhur dje në kryeqytetin e dialogut mund të përkufizohet me sloganin e vjetër që “asgjë s’është arritur derisa s’ka një marrëveshje për gjithçka”
“Epo, nëse krahasohen deklaratat e tre negociatorëve Borrell, Kurti dhe Vuçiq mbrëmë, mbetet konfuze se çfarë është rënë dakord dje apo nëse s’është rënë dakord fare . Mendoj se e vetmja mënyrë për t’i dhënë kuptim asaj që ka ndodhur është me sloganin e vjetër të dialogut: “Asgjë nuk është arritur derisa të ketë një marrëveshje për gjithçka”, ka thënë Weber për Express.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vazhdimësi e kanë përsëritur se marrëveshjet e kaluara duhet të implementohen. Si Brukseli ashtu edhe Washingotni kanë specifikuar se çështja e themelimit të Asociacionit është e karakterit urgjent. Megjithatë duket që kjo çështje do të krijojë telashe edhe në ditët në vijim për negociatorët dhe përkrahësit.
Weber për Express ka thënë se duket që ka mospajtime të qarta në mes të Kosovës dhe Serbisë për Asociacionin dhe jo vetëm për afatet kohore të themelimit.
Eksperti gjerman i cili dje ka dalë edhe me një shkrim autorial përmes të cilit e ka kritikuar propozimin franko-gjerman, thotë se ajo çfarë ka ndodhur dje është që Brukseli vetëm i ka zhvendosur negociatat për Asociacionin tek bisedimet që do të bëhen për aneksin e implementimit, në mënyrë që të deklarojnë një lloj progresi.
Weber s’është optimist që do të ketë ndonjë pajtueshmëri për Asociacionin në negociatat që do të ndodhin gjatë marsit.
“Jo – duket qartë se mosmarrëveshja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për Asociacionin në nuk është zgjidhur, jo vetëm për renditjen dhe afatet kohore. Kjo do të thotë se mosmarrëveshja dje është zhvendosur vetëm në negociata për aneksin e zbatimit, në mënyrë që të mund të shpallet një lloj përparimi. Nuk ka asnjë informacion mbi të cilin mund të parashikohet se Vuçiq dhe Kurti mund të bien dakord për Asociacionin në takimin e ardhshëm të planifikuar për në mars në Maqedoninë e Veriut”, ka shtuar Bodo Weber.
I pyetur nëse mendon se ka rrezik që të dështoj komplet nisma franko-gjerman dhe nëse se ajo çfarë ndodhi dje ishte një taktikë e Kurtit për të dalë mirë para ndërkombëtarëve në ndërkohë që gjithçka varet nga Asociacioni, Weber shprehet se nuk e di çfarë taktike po përdor Kurti por e thotë qartë që nëse s’ka patjim për Asociacionin atëherë s’ka kurrfarë marrëveshje.
“Sinqerisht nuk e di se cila është taktika negociuese e kryeministrit Kurti. Por nëse nuk ka marrëveshje për Asociacionin, nuk do të ketë marrëveshje për aneksin e zbatimit, pra nuk do të ketë fare marrëveshje, pavarësisht se çfarë është deklaruar mbrëmë”, ka theksuar Weber.
Ai këtu ka kritikuar edhe ndërkombëtarët duke thënë se ata asnjëherë s’e kanë thënë qartë se janë kundër kompetencave ekzekutive të Asociacionit që rrjedhimisht i bie të jenë kundër qëndrimit të Beogradit.
Për këtë çështje Weber thotë se ende s’ka folur as Aleksander Vuçiq dhe s’ka treguar nëse është i gatshëm të tërhiqet nga kërkesa për Asociacioni me kompetenca ekzekutive.
“Dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për heqjen dorë nga pozita e Kurtit në Asociacionin. SHBA-ja dhe BE-ja, pas një dekade duke iu shmangur qëndrimit për çështjen e kompetencave të Asociacionit, nuk janë pozicionuar kundër kompetencave ekzekutive për Asociacionin, dhe rrjedhimisht kundër qëndrimit të Beogradit. Ne nuk kemi dëgjuar ndonjë reagim nga presidenti Vuçiq për këtë zhvillim deri më tani, kështu që mbetet plotësisht e paqartë nëse Vuçiq është gati të tërhiqet nga ky qëndrim thelbësor i Beogradit”, ka përfunduar Weber.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksander Vuçiq janë takuar të hënën në Bruksel pas një kohe të gjatë. Borell pas takimit ka treguar se të dy janë pajtuar për propozimin franko-gjerman, megjithatë negociata të tjera janë të nevojshme. Miroslav Lajcak përgjatë dy javëve të para të marsit do të vizitojë Prishtinën dhe Beogradin ku do të diskutohet për aneksin e implementimit.Pritet të shihet nëse do të arrihet pajtim për atë se kur do të themelohet Asociacioni apo nëse do të dështojë gjithçka.
Të tjera
-
Qeveria e Kosovës lanson platformën për të drejtat e fëmijëve
Në takimin e Komitetit Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve të shtunën ësh...
-
Nga sot, Gjermania do t’i pranojë nga 50 mijë punëtorë të kualifikuar në vit nga Ballkani
Qeveria gjermane modernizoi vitin e kaluar ligjin e migracionit duke lehtësua...
-
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë fton shqiptarët e Luginës së Preshevës për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, ka shkruar një ditë para votime...
-
Alban Hyseni i jep tenderin për renovimin e stadiumit të Gjilanit ofertuesit më të shtrenjtë
Komuna e Gjilanit në krye me Alban Hysenin me 31 maj i ka dhënë tenderin pë...
-
Deputetë të Parlamentit Evropian letër Serbisë për të drejtat e shqiptarëve, Kamberi ia jep meritat Kurtit për lobim
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka publikuar të premt...
-
Pikëlluese| Sami Lushtaku jep lajmin e hidhur, ka të bëjë me ish-luftëtarin e shquar të UÇK-së
Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sami Lushtaku sot ka njoftuar p...
-
I dënuari kapet duke vjedhur në një market në Prishtinë, dërgohet në burg – zbulohet emri i tij
Të dyshuarit që përfshihen në veprimtari të kundërligjshme dhe të dënuarit ng...
-
Të shtëna me armë në Gjermani, raportohet për disa të plagosur
Disa persona kanë mbetur të plagosur nga të shtënat në periferi të Hagen, Gje...
-
Hamiti: LDK i fiton zgjedhjet e ardhshme
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, është shprehur optimist për rez...
-
Kritikat e Kurtit ndaj PSRK-së “ndërhyrje në drejtësi dhe shpikje për larguar vëmendjen nga dështimet”
Shoqëria civile dhe partitë opozitare po e konsiderojnë ndërhyrje në punën e ...
-
Dy veturave me targa serbe në Mitrovicë të Veriut iu vihet flaka
Zëvëndësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, k...
-
Bajrami: Vazhdon korrupsioni, vetëm dje KRPP ka publikuar 4 kontrata njëburimore në shumë 683 mijë euro
Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka th...