Lajme

VV thërret Haradinajn në interpelancë për reduktimet e energjisë elektrike

Autori: Gazeta inFokus 14:09 | 04 March 2018

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu në një konferencë për media ka folur për reduktimet e energjisë elektrike në Kosovë, largimin nga puna të punëtorëve të KEK dhe fryerja e faturave të energjisë elektrike, shkruan Infokusi.com.

Haxhiu ka thënë se do të kërkojnë interpelancë më kryeministrin Haradinaj pasi ende nuk ka asnjë përgjigje nga Qeveria apo marrje të përgjegjësisë për këtë gjendje.

‘Deri tani nuk kemi dëgjuar asnjë arsye nga Qeveria e Kosovës për ndërprerje të energjisë elektrike, largimin e punëtorëve dhe faturat e fryera. Ende askush nuk ka dhënë përgjegjësi, nesër ne do ta dërgojmë kërkesën për interpelancë me kryeministrin për të dhënë sqarime për këtë gjendje të rënduar’, ka thënë Haxhiu.

-Advertisement-

Ajo ka shtuar se në marrëveshjen për privatizimin e KEK-ut thuhet se do të sigurohet furnizim i pandërprerë i energjisë elektrike dhe sigurim i vendim të punës për të gjithë punëtorët e KEK ndërsa asnjërën nuk e ka përmbushur.
‘Në vitin 2012 si pasojë e privatizimit KEK u privatizua me 26.3 milionë euro dhe derisa po nënshkruhej kjo kontratë jashtë dyerve të qeverisë u arrestuar deputetë e VV-së që kundërshtonin privatizimin e KEK-ut. Në atë kohë thonin së do të ketë investime që do të siguronin furnizim të pa ndërprerë të energjisë elektrike dhe mos largim të punëtorëve nga vendet e tyre të punës’, ka thënë ajo.

Deputetja e VV-së ka thënë se paguesit e rregullt kosovarë të energjisë elektrike kanë paguar edhe për energjinë e shpenzuar nga serbët e veriut.

‘Faturat e mospagimit dhe vjedhjes së energjisë iu shpërndan paligjshëm çdo konsumatori që ka paguar energjinë elektrike. Ende për këtë nuk ka dhënë përgjegjësi penale askush, komunat veriore ende nuk e paguajnë drejtpërdrejtë energjinë. Në këto 6 vite çmimi i energjisë elektrike është rritur katër herë nga ZRRE’, ka shtuar ajo.

Ndërsa duke folur për largimin e punëtorëve të KEK, deputetja e VV-së, ka thënë se vetëm gjatë periudhës vjeshtë 2015- pranverë 2016 janë larguar 170 punëtorë.

‘Situata me përjashtimin e punëtorëve është tepër shqetësuese, janë 95 punëtorë të larguar në vjeshtën e vitit 2015 dhe 75 në maj të vitit 2016. 40 punëtorë janë larguar përmes presioneve e shantazheve për ta liruar vendin e punës e mbi 200 punëtorëve iu është komunikuar vendimi për largim’, ka thënë Haxhiu.

‘Gjendja energjike në Kosovë është e rëndë, përveç në Prishtinë pa energji elektrike po përballen edhe qytet dhe fshatrat tjera të Kosovës. E në këto ditë të ftohta kjo gjendje është e pa përballueshme sidomos për qytetarët që jetojnë në varfëri’, ka përfunduar Haxhiu./INFOKUSI

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Studio MASTER në UNI, Merr Diplomë dhe lejeqëndrim t’përhershëm në GJERMANI
-Advertisement-

Të tjera