Vuçiq pretendon se Kosova “fshehurazi po merr veriun“
Autori: Gazeta inFokus 16:40 | 08 September 2022
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të enjten se autoritetet në Serbi kanë informacione se “shqiptarët heshturazi dhe fshehurazi” po bëjnë përpjekje “të marrin veriun e Kosovës”.
Duke folur në një ngjarje në qytetin e Pozharevcit, Vuçiq tha se ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës ka deklaruar se Policia e Kosovës kontrollon plotësisht Liqenin e Ujmanit, në veri të Kosovës.
Vuçiq tha se një gjë e tillë paraqet shkelje të Marrëveshjes së Brukselit.
“…sepse, me Marrëveshjen e Brukselit, policia në veri duhet t’i takojë Drejtorisë së Veriut, gjegjësisht serbët duhet të jenë aty”, tha Vuçiq.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha në një postim në Facebook të enjten se “Policia e Kosovës filloi sot me patrullimin e rregullt të vijës kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe gjithë hapësirës së Liqenit të Ujmanit”.
Sveçla tha se kjo ndodh për herë të parë që nga paslufta.
Në veri të Kosovës, ku popullata shumicë është serbe, operojnë edhe organe paralele të Serbisë.
Vuçiq tha se Brukseli nuk reagon ndaj thirrjeve për të ndikuar në veprimet e Prishtinës dhe paralajmëroi zyrtarët e BE-së dhe të Kosovës se Serbia “nuk do ta lejojë më këtë”.
“I paralajmëroj të dyja palët që të mos e bëjnë më këtë, pasi populli serb nuk do të tolerojë më dhunën apo mosrespektimin e normave juridike ndërkombëtare. Ky është paralajmërimi im për ata që do të vijnë nesër në Beograd dhe për të gjithë të tjerët”, tha Vuçiq.
Siç është njoftuar më herët, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të qëndrojë të premten në Kosovë dhe Serbi.
Ai do të shoqërohet nga këshilltarët e sapoemëruar të Gjermanisë dhe Francës për këtë dialog, Jenns Plettner dhe Emmanuel Beaune.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se tre diplomatët do të takohen në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Vuçiq thirri për të shtunën një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, në të cilën temë kryesore u tha se do të jetë situata në Kosovë dhe sfidat e sigurisë.
Më 4 shtator, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, u bënë thirrje udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq, që të tregojnë vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira, të cilat do të çonin drejt normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve.
Ato nuk kanë dhënë detaje se cilat mund të jenë ato vendime të vështira.
Kosova dhe Serbia janë duke zhvilluar negociata për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011. Deri më tani janë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar në terren.
Palët shpesh akuzojnë njëra-tjetrën për bllokim të dialogut.
Tensionet e fundit mes tyre janë rritur më 31 korrik, në prag të fillimit të zbatimit të dy vendimeve të Qeverisë së Kosovës – për vendosjen e masave reciproke ndaj Serbisë lidhur me dokumentet personale dhe për riregjistrimin e automjeteve nga targat serbe në RKS (Republika e Kosovës).
Për të shmangur përshkallëzimin e situatës, pasi disa serbë në veri të Kosovës kanë ngritur barrikada, Kosova ka shtyrë zbatimin e këtyre vendimeve për 30 ditë.
Por, ndërkohë, dy vendet kanë arritur marrëveshje për dokumentet, gjegjësisht për heqjen e letrave hyrëse-dalëse për të gjithë qytetarët, nga të dyja anët.
Nga 1 shtatori, ndërkaq, Kosova ka nisur zbatimin e vendimit për riregjistrimin e makinave – proces që do të zgjasë dy muaj.
Serbia pret negociata edhe për këtë çështje, duke propozuar targa neutrale ndaj statusit të Kosovës – gjë të cilën Prishtina e refuzon./rel
Të tjera
-
Një person në Ferizaj fyen dhe sụlmon policët, përfundon në pranga
Një person është arrestuar në Ferizaj, pasi që i njëjti ka fyer dhe sulmuar n...
-
Arrestohet një person në Banullë të Lipjanit, iu gjet mạrihụanë
Një person është arrestuar në fshatin Banullë të Lipjanit. Policia ka njof...
-
Arrestohet një grua në Prishtinë, nën ndikim të alkọolit sụlmoi policët
Është arrestuar një grua në Prishtinë, pas e njëjta nën ndikim të alkoolit ka...
-
Arrestohet një person në Obiliq, dyshohet për dhụnim
Është arrestuar një person në Obiliq, pasi i njëjti dyshohet se ka dhunuar nj...
-
Vdẹs një burrë në QKUK, policia po e heton rastin
Një burrë ka vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, rast i cili p...
-
Shala me falënderim publik për bashkëshorten e tij: Me Salën kemi rrugëtuar bashkë që nga ilegalja
Kandidati për deputet nga Partia Demokratike të Kosovës, Ferat Shala ka falen...
-
Ministria e Bujqësisë në Shqipëri: Mbi 85% e mandarinave pa mbetje pesticidesh, vetëm 3 ngarkesa problematike në eksport
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka dhënë një deklaratë për publiku...
-
Vetëm 50% e agjendës legjislative u përmbush këtë vit në Kuvendin e Kosovës
“Nuk ka kourum Kuvendi për me vazhdu..” Kjo shprehje u dëgjua shumë shpesh në...
-
Pritje deri në 1 orë te Dheu i Bardhë
Te Dheu i Bardhë, pritjet për hyrje arrijnë deri në 60 minuta, shoqëruar me k...
-
Vdes një person në QKUK
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një person ka vdekur në Qendrën Klinike...
-
Për nëntë muaj, Qeveria “Kurti” mbi 12 milionë euro shpenzime të udhëtimit dhe telekomunikimit
Mbi 12 milionë euro kanë arritur shpenzimet e udhëtimit dhe telekomunikimit t...
-
Rashiq: Lista Serbe po i kërcënon dhe largon nga puna serbët që na përkrahin
Me përjashtime nga puna, dëmtime të automjeteve e madje edhe me letra kërcënu...