Vuçiq mohon se do të ketë takim me Kurtin
Autori: Gazeta inFokus 16:51 | 06 July 2022
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i mohoi deklaratat e zyrtarëve në Kosovë se një takim i tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pritet të zhvillohet së shpejti në Bruksel.
Vuçiq tha se mesazhet që vijnë nga Prishtina për një takim të mundshëm me Kurtin, nuk janë të vërteta.
“Askush nuk më ka pyetur për bisedime. Unë nuk ik nga asnjë takim. Kryesisht ai [Kurti] ka ikur nga takimet”, tha Vuçiq në një konferencë për gazetarë, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Takimin e ri Kurti-Vuçiq në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë e ka përmendur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë për media më 4 korrik.
Vuçiq shtoi se Serbia është e përkushtuar për paqe dhe se nuk do ta harrojë popullin e saj në Kosovë.
“Lexoj në shtypin e Prishtinës se Vuçiq po kërcënon. Me çka? Serbisë i duhet paqe, nuk ka nevojë për konflikte, ka nevojë për zhvillim. Ne nuk mendojmë se është e mundur të arrihet diçka me luftë apo me mjete ushtarake. Kjo nuk do të thotë se do të lejojmë persekutimin dhe vrasjen e popullit tonë [në Kosovë], por angazhimi ynë është paqja”, tha ai.
Vuçiq nuk dha ndonjë provë apo detaj rreth persekutimit dhe vrasjeve që përmendi.
“Se ku ndodhet Radoiçiq, është çështje e tij private”
Në konferencën për gazetarë, ai komentoi edhe një video të publikuar më 5 korrik nga Milan Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe – parti udhëheqëse në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Në atë video, Radoiçiq ka deklaruar se “terrori kundër popullit serb sapo ka filluar”.
“Njerëzve të mi në veri të Kosovës dhe të tjerëve, dua t’u them vetëm: Unë jam këtu, jam kthyer dhe ju e dini se çfarë do të thotë kjo, kthim nga këtu nuk ka”, ka thënë Radoiçiq në video.
Radoiçiq është në listën e zezë të SHBA-së, për shkak të dyshimeve se, së bashku me biznesmenin nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviq, dhe disa serbë të tjerë u përkasin rrjeteve korruptive, që janë të lidhura me krimin e organizuar ndërkombëtar.
I pyetur se si e komenton deklaratën e Radoiçiqit, Vuçiq tha se “çdo serb ka të drejtë të jetojë ku të dojë”.
“E ku do të duhej të ishte Milan Radoiçiq, i cili është nga Kosova? Apo do të preferonit më shumë që të nxjerrim dhe të urdhërojmë njerëz nga veriu [i Kosovës] që të tërhiqen në Serbinë qendrore? Se ku ndodhet ai, është çështje e tij private. Kjo nuk ka asnjë lidhje me shtetin. A ju pengon që dikush gjendet në shtëpinë e tij, në vatrën e tij? Doni ta dëboni? A është ideja që të dëbohen serbët nga Kosova?”, u përgjigj Vuçiq.
“Çfarë më intereson mua se cili është mesazhi i videos. Pyeteni atë se çfarë ka dashur [të thotë]”, shtoi Vuçiq.
Prokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Rasim Maloku, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se Policia e Kosovës duhet ta arrestojë Radoiçiqin nëse shkel në territorin e Kosovës, sepse aktualisht ekziston një urdhërarrest, për shkak të përfshirjes së tij të dyshuar në rastin e njohur si “Brezovica”.
Marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë janë ashpërsuar pasi Qeveria e Kosovës, më 29 qershor, ka marrë vendim për riregjistrimin e veturave me targat që i lëshojnë autoritetet e Serbisë, me targa RKS (Republika e Kosovës).
Qeveria e Kosovës, po ashtu, ka marrë vendim për reciprocitet mbi dokumentet serbe, që do të thotë se të gjithë ata persona që hyjnë në territorin e Kosovës me dokumente të Serbisë, do të pajisen në kufi me një certifikatë që i zëvendëson ato dokumente.
Qeveria e Serbisë ka reaguar ashpër ndaj këtyre vendimeve, ndërsa Vuçiq ka thënë se nuk do të lejojë “persekutimin e serbëve”.
“Do të vazhdojmë të veprojmë në përputhje me interesat e shtetit”
Duke folur për gazetarët të mërkurën, Vuçiq tha se është i lumtur që Parlamenti Evropian nuk e ka pranuar një propozim për ndërprerjen e negociatave të anëtarësimit midis Serbisë dhe BE-së, për shkak të qëndrimit të Beogradit ndaj luftës në Ukrainë.
Vuçiq tha se Beogradi zyrtar do të vazhdojë të veprojë në përputhje me interesat e shtetit.
“Ka pasur përpjekje nga disa deputetë të Parlamentit Evropian që të votohet për ndërprerjen e negociatave me Serbinë. Na vjen mirë që nuk është votuar, sepse do të ishte gabim… Falënderoj shumicën në PE që nuk ka pranuar”, tha Vuçiq.
Parlamenti Evropian miratoi të mërkurën një rezolutë, ku thuhet se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, duhet të “bazohet në njohjen reciproke”. Kjo është hera e parë që në një dokument zyrtar të një institucioni evropian përmendet njohja reciproke.
Me këtë rezolutë, përfaqësuesit evropianë po ashtu u kanë bërë thirrje autoriteteve në Serbi që “të tregojnë përkushtim real ndaj vlerave të BE-së”, si dhe “të harmonizohen me vendimet dhe qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë, përfshirë sanksionet kundër Rusisë”.
Serbia, aleate e Rusisë, është vendi i vetëm në Ballkan që nuk u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit kundër shtetit rus, i cili ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkallë të gjerë qysh më 24 shkurt./rel
Të tjera
-
Shala me falënderim publik për bashkëshorten e tij: Me Salën kemi rrugëtuar bashkë që nga ilegalja
Kandidati për deputet nga Partia Demokratike të Kosovës, Ferat Shala ka falen...
-
Ministria e Bujqësisë në Shqipëri: Mbi 85% e mandarinave pa mbetje pesticidesh, vetëm 3 ngarkesa problematike në eksport
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka dhënë një deklaratë për publiku...
-
Vetëm 50% e agjendës legjislative u përmbush këtë vit në Kuvendin e Kosovës
“Nuk ka kourum Kuvendi për me vazhdu..” Kjo shprehje u dëgjua shumë shpesh në...
-
Pritje deri në 1 orë te Dheu i Bardhë
Te Dheu i Bardhë, pritjet për hyrje arrijnë deri në 60 minuta, shoqëruar me k...
-
Vdes një person në QKUK
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një person ka vdekur në Qendrën Klinike...
-
Për nëntë muaj, Qeveria “Kurti” mbi 12 milionë euro shpenzime të udhëtimit dhe telekomunikimit
Mbi 12 milionë euro kanë arritur shpenzimet e udhëtimit dhe telekomunikimit t...
-
Rashiq: Lista Serbe po i kërcënon dhe largon nga puna serbët që na përkrahin
Me përjashtime nga puna, dëmtime të automjeteve e madje edhe me letra kërcënu...
-
Parashikimi i motit për të hënën
Për të hënën parashikohet të mbajë mot i vranët, ku pritet depërtimi i një ci...
-
Donald Trump emëron gjeneralin Keith Kellogg si të dërguarin e tij special për Ukrainën dhe Rusinë
Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka zgjedhur Gjeneralin Keith Kellogg si të...
-
Kurti ua lypë mërgimtarëve 74 mijë vota: Paramendojeni çka bojmë me na i dyfishu ju votat
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota...
-
Bedri Hamza takon profesorin e tij: Ato që i thotë, ka me i realizu, se ia njoh karakterin dhe mentalitetin
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, në rrjetet e tij...
-
Kush është fajtori kryesor për moskalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare?
Ani pse pas një takimi të Albin Kurtit më kreun e PDK-së, u votuan disa marrë...