Lajme

Vuçiq e lajmëron me komplimente vizitën e diplomatit amerikan në Serbi: Ai është i ri dhe i mençur

Autori: Gazeta inFokus 20:53 | 04 January 2023

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka konfirmuar se Këshilltari i lartë i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet më 11 dhe 12 janar do të qëndrojë në Serbi.

Duke e bërë të ditur vizitën e tij, Vuçiq ka thënë se Chollet është një figurë me shumë rëndësi në politikat amerikane.

“Ai është serioz, i përkushtuar, i ri dhe i mençur. Besoj në krijimin e relacioneve më të mira me SHBA-në. Nuk do të jetë një bisedë e lehtë. Dhe pas kësaj, është e planifikuar vizita nga ekspertët evropianë”, ka deklaruar Vuçiq, duke iu referuar vizitës së planifikuar të këshilltarit të kancelarit gjerman dhe presidentit francez.

-Advertisement-

Vizita e Chollet, e planifikuar rreth mesit të dhjetorit të vitit të kaluar në Kosovë dhe Serbi, ishte anuluar pasi që zyrtari amerikan kishte rezultuar pozitiv në virusin COVID-19.

Është ende e pakonfirmuar nëse Chollet do të ndalet edhe në Kosovë për vizitë, siç ishte planifikuar fillimisht.

Ndërkohë, presidenti serb ka thënë se pret presion të shtuar mbi Serbinë, duke deklaruar se për shtetin që ai udhëheqë nuk ka qenë lehtë as në Tiranë e as në Pragë, gjatë vizitave të javëve të fundit.

Edhe sa i përket planit franko-gjerman, ai është ankuar se Perëndimi po sillet sikur ai të ishte një plan i votuar nga Kuvendi, e jo si një draft.

“Duket se në Kosovë ka më shumë interesa gjermane dhe franceze se sa serbe. Sillen sikur kjo të ishte një ofertë që s’guxojmë ta refuzojmë. Janë të mëdhenj e të fuqishëm dhe mund të bëjnë gjithçka”, ka thënë Vuçiq.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Për Festën e Bajramit, ZBRITJE deri n’KUPË t’QIELLIT!
-Advertisement-

Të tjera