Lajme

Vrạsja e 18-vjeçarit në Podujevë, njëri i akuzuar dënohet me 10 vjet burgim, tjetri me 9 vjet burgim

Autori: Gazeta inFokus 10:52 | 31 July 2024

Gjykata Themelore në Prishtinë, edhe në rigjykim për vrasjen e 18-vjeçarit në Podujevë, të miturin e parë e ka dënuar me 10 vjet burgim kurse të miturin e dytë me 9 vjet burgim.

Kështu ka deklaruar avokati i të dëmtuarve, Tomë Gashi, i cili ka thënë se Gjykata sot ka vendosur të njëjtin dënim për të miturit si në muajin maj.

Tomë Gashi, ka thënë se Gjykata dy të miturit i ka shpallur fajtorë për veprën “vrasje e rëndë”.

-Advertisement-

“Ka vendosur si herën e kaluar, në majin e këtij viti, duke i shqiptuar dënim njëri në kohëzgjatje prej 10 viteve dhe tjetrit prej 9 vitesh. Me këtë vendim të gjykatës i cili është vendim i përsëritur për shkak se Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim dhe rivendosje vërtetohet se rasti është kthyer në rigjykim për shkaqe teknike krejtësisht formale dhe jo që ka ndryshuar ndonjë gjendje faktike. Gjykata po ashtu i ka shpallur fajtorë për vrasje të rëndë dhe jo sipas pretendimeve të tyre që kinse diçka ka qenë incident momental, gjë që është vërtetuar edhe me video incizime dhe me prova të tjera që gjithçka faktikisht i ka paraprirë një sulmi të mëhershëm dhe Gjykata në prizmin tim ka vendosur drejtë”, ka thënë Gashi.

Po ashtu, sa i përket njërit prej të miturve që është dënuar për 9 vite si përgjegjës, Gashi ka shtuar se do të paraqesin ankesë.

Ndërsa, për dënimin që parashihet me ligj për të miturit, i cili është deri në 10 vite, avokati Tomë Gashi është shprehur se në të ardhmen duhet të ndryshohet ky ligj dhe të bëhen dënime më të ashpra për ata që kryejnë vepra penale të këtij lloji.

Për kthimin e rigjykimit, Gashi ka theksuar se kjo është “a,b,c-ja” e drejtësisë, dhe sipas tij duket se Gjykata nuk e ka ditur që nuk mund të jetë në të njëjtën kohë edhe si gjyqtare në procedurën paraprake dhe kryetare e trupit gjykues.

Lulzim Fejzullahu, është rrahur me shkop bejsbolli nga dy të miturit me 15 janar të këtij viti dhe është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

I njëjti nga plagët e rënda, ka ndërruar jetë me 20 janar në QKUK.

Në gjykimin e parë, Departamenti për të Mitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, më 23 maj 2024 kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj dy të miturve lidhur me vrasjen e 18-vjeçarit në Podujevë.

I mituri i parë u dënua me 10 vjet burgim, kurse i mituri i dytë u dënua me 9 vjet burgim.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!
-Advertisement-

Të tjera