Lajme

Vllahiu: Beogradi nuk do ta ndryshojë politikën ndaj veriut

Autori: Gazeta inFokus 22:00 | 19 July 2022

Analisti politik, Arbër Vllahiu, ka thënë se Beogradi nuk do ta ndryshojë politikën e saj ndaj veriut.

“Besoj se Beogradi nuk do ta ndryshojë politikën e tij ndaj veriut të Kosovës, dhe Kosovës në tërësi, do të provojë që përmes njerëzve që i ka në kontroll, të provojë ta mbajë kontrollin mbi serbët e Kosovës”, ka thënë Vllahiu në Rubikon.

Ai madje tha se ka një lloj trekëndëshi të pushtetit në veri të Kosovës.

“Kemi një lloj trekëndëshi të pushtetit në veriun e Kosovës, ka të bëjë me pushtetin e Kosovës, pushtetin e Serbisë dhe pushtetin e krimit të organizuar që është iu lidhur edhe e pushtetin e Serbisë”, ka shtuar ai.

Vllahiu tha se është bërë një lloj kompromisi me sigurinë në veri, duke i dhënë, sipas tij, hapësirë formave të tjera të veprimeve atje.

“Duke u mbështetur në faktorin e sigurisë dhe stabilitetit ne jo vetëm që e kemi neglizhuar por jemi munduar të mos e destabilizojmë veriun duke mos ndërhyrë për të vendosur edhe rregull, apo për të zbatuar rendin dhe ligjin. Pra është bërë një lloj kompromisi me sigurinë dhe stabilitetin duke i dhënë hapësirë edhe formave të tjera të veprimeve në veri”, ka thënë ai.

Sipas Vllahiut, Beogradi e ka më të lehtë kontrollin në veriun e Kosovës, për shkak të afërsisë territoriale dhe se, sipas tij, Serbia edhe në marrëveshjen përfundimtare do të synojë ta mbajë një lloj pushteti mbi serbët e Kosovës.

“Beogradi do ta ketë më të lehtë kontrollin në veriun e Kosovës për shkak të afërsisë territoriale të veriut të Kosovës me Serbinë, prandaj Beogradi do të vazhdojë edhe më tutje të luajë në letrën e destabilizimit ose të mbajtjes së pushtetit në veriun e Kosovës, për qëllimet e veta finale. Edhe në marrëveshjen përfundimtare Serbia do të synojë ta mbajë një lloj pushteti mbi serbët e Kosovës, sidomos mbi veriun”, ka vazhduar ai.

Të tjera