Lajme

Vdes 19 vjeçari, familjarët thonë se operacioni është kryer në një podrum në QKUK

Autori: Gazeta inFokus 23:27 | 08 August 2018

Drin Leku, 19-vjeçari nga fshati Baincë i Drenasit ka vdekur mbrëmë pas mesnatës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pas një operacioni në apendicit, apo ndryshe siç njihet në popull “zorra qorre”.

Për vdekjen e djalit të tyre familjarët  kanë fajësuar mjekët e QKUK-së për pakujdesi.

Bajram Zogaj, familjar i Drin Lekut ka rrëfyer ekskluzivisht për FaktePlus duke thënë se djali i tyre para dy vjetësh kishte qenë i sëmurë nga ‘zorra qorre’ dhe ishte operuar pa telashe në klinikë.

-Advertisement-

Ai tutje në rrëfimin e tij thekson se Drinit i ishin kthyer dhimbjet përsëri, dhe familjarët e kanë shtruar prapë në spital, mirëpo mjekët e kanë kthyer mbrapshtë atë.

Pasi ishte kthyer në shtëpi, gjendja e tij i ishte rënduar edhe më shumë, të cilin janë detyruar ta dërgojnë me urgjencë në spital.

Diku rreth orës 22:00 të mbrëmjes së kaluar është futur në operim. Siç e përshkruan familjari Zogaj, operimi është kryer në një bodrum në QKUK.

“Drini para dy viteve ka qenë i sëmurë prej zorres qorre dhe është operuar, s’ka pas telashe, rrallë ankohej por nuk e kanë bërë shumë të madhe, ndërsa tash që tri ditë e kanë dërgu rregullisht te mjeku dhe nuk e kanë ndal. Mjekët thoshin se bëhet fjalë për ndonjë infektim e s’ka kurgjo, çoje në shtëpi. Ndërsa kur e kanë dërgu pardje në spital, e kanë ndalë . Në spital në ora 22:00 të mbrëmjes e kanë shti në operacion”, ka rrëfyer familjari i Drinit.

Pas këtij operimi, sipas familjarit, mjekët i kishin thënë se operimi që e kishte bërë më parë Drini, kishte pasur probleme, dhe sipas tyre, ky kishte qenë edhe shkaktari që solli vdekjen e 19-vjeçarit.

“Pasi ka përfundu operacioni mjekët kanë dalë dhe kanë thanë që kur është ba operacion para dy viteve ja kanë lanë zorret e lidhta, ndërsa problemi i ka ardhë prej asaj”, ka vazhduar rrëfimin Zogaj.

“Operacioni i 19-vjeqarit është kryer në një bodrum  dhe jo në sallë ku duhet, ndërsa drejtori ju ka thanë mos e perdorni sallën natën po nëse është naj rast bone në këtë podrum edhe me pas e kanë maltretu mbi gjysmë ore nëpër lifta  që është në gjendje kritike. Mbi gjysmë ore e kanë maltretu nëpër shkallë duke thanë që s’po ban lifti”, është shprehur ai.

Sipas rrëfimit të Zogajt, i ndjeri ka vdekur në orën 00:06 dhe sipas tij, mjekët nuk i kanë lajmëruar familjarët deri në orën 8:30 në mëngjes.

Familjari i të ndjerit tregon gjithashtu se kanë kërkuar nga mjekët të dinë rreth kufomës, por s’kanë marrë ndonjë përgjigje adekuate.

“I kemi thirrë këta të autopsisë po s’po na qelin telefonin, i kemi pyet nëse e kanë thirr telefonin janë arsyetuar që s’po na e qelin telefonin, jemi detyru në mengjes me shku te mjekët ligjorë me i pyet nëse i ka lajmëruar dikush për këtë rast, na janë përgjigjur që neve s’na ka thirrë kerkush”, ka përfunduar historinë e peripetive të 19-vjeçarit para dhe pas vdekjes së tij.

Fare në fund, familjari Bajram Zogaj tregon se mjekët i kanë telefonuar ata për ta marrë kufomën.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNI – Universum International College sërish pjesë e Panairit të Edukimit, vazhdon të ofroj studime me standarde amerikane
-Advertisement-

Të tjera