Lajme

Varhelyi të enjten viziton Kosovën

Autori: Gazeta inFokus 20:16 | 24 May 2023

Komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, të enjten, më 25 maj, do të vizitojë Kosovën.

Sipas njoftimeve të Komisionit Evropian, gjatë qëndrimit në Kosovë, Varhelyi do të zhvillojë takime me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti. Po ashtu, zyrtari i lartë evropian do të takohet me përfaqësuesit e opozitës dhe të shoqërisë civile.

“Këto takime do të ofrojnë mundësinë për të shqyrtuar raportet mes Kosovës dhe BE-së dhe për të diskutuar për zhvillimet e fundit si dhe reformat kyçe, përfshirë ato në fushën e drejtësisë, tranzicionit të energjisë dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, u tha në njoftim.

-Advertisement-

Por, ngjarja kryesore gjatë vizitës së tij pritet të jetë inicimi i një programi të përbashkët mes BE-së dhe Kosovë për forcimin e ligjit dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Pas takimeve me krerët shtetërorë, zyrtari i lartë evropian, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, do të inaugurojnë “Programin BE-Kosovë për punë të brendshme”.

“Qëllimi i këtij programi është përshtatja e mëtejme e veprimeve të Kosovës në forcimin e ligjit dhe luftës kundër krimit të organizuar me standardet e BE-së”, tha KE-ja.

“Ky program i BE-së, i financuar me 6.5 milionë euro, do të zbatohet në një periudhë kohore prej tre vjetësh, me mbështetjen e Francës, Italisë dhe Belgjikës. Do të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe do të forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar”, u shtua në njoftimin e KE-së.

Sikurse për të gjitha shtetet që janë në procesin e zgjerimit të BE-së, ashtu edhe për Kosovën sundimi i ligjit, reformat në drejtësi dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit janë identifikuar si fushat kryesore që do të merren parasysh nga BE-ja në vlerësimin e gatishmërisë së këtyre shteteve për përparim drejt integrimit evropian.

Më 15 dhjetor të vitit 2022, Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Po, Po 31 Vetura Dacia Logan shpërblim për konsumator nga ETC
-Advertisement-

Të tjera