Sport

Valverde ndryshon mendje, përmbysja ndaj Sevilla kërkon “artilerinë e rëndë”

Autori: Gazeta inFokus 10:53 | 30 January 2019

Barcelona do të kërkojë sonte të sigurojë gjysmëfinalen e Kupës së Mbretit, teksa do të përballet në ndeshjen e kthimit me Sevilla, në orën 21:30, me detyrimin për të përmbysur disavantazhin 2-0 të javës së kaluar, në çerekfinalen e parë.

I vetëdijshëm se skuadra e tij konkurron në tri gara dhe me përdorimin inteligjent të burimeve njerëzore, trajneri Valverde duhet të vendosë nëse do të vazhdojë bastin e tij për rotacionet në Kupën e Mbretit, apo do të hedhë në fushë formacionin më të mirë.

“Ekzaminimi” që mund t’i bëhet listës së 18 lojtarëve, që ka grumbulluar për këtë ndeshje, mund të na bëjë të mendojmë se Valverde nuk do të mbështetet në rotacionet kësaj here, por do të synojë përmbysjen me gjithë “artilerinë e rëndë”. Të gjithë lojtarët e 11-shes bazë, më të përdorur këtë edicion, shfaqen në listë.

-Advertisement-

Jashtë skuadrës kanë mbetur për arsye teknike kolumbiani Jeison Murillo, i cili nuk ishte i pranishëm edhe në ndeshjen e fundit të La Liga-s, kundër Girona, dhe mesfushori katalanas, Sergi Samper. As mesfushori Denis Suárez nuk figuron i grumbulluar, i cili mungonte në trajnimin e fundit me leje të klubit për të mbyllur transferimin e tij tek Arsenali.

Në fazat e hershme të trajnimit të fundit ishte e mundur të shihje trajnerin Valverde duke folur me Carles Aleñá. Mesfushori katalanas e filloi si titullar ndeshjen e parë në “Sanchez Pizjuan” dhe ka një mundësi për të luajtur përsëri në vend të Arthur, apo edhe Rakitic.

Në pozicione të tjera, situate është mjaft e qartë. I fiksuar në mbrojtje duket Sergi Roberto, i cili pushoi ndaj Girona, Piqué, Lenglet dhe Jordi Alba. Busquets, i cili do ta humbasë ndeshjen tjetër të kampionatit, për shkak të pezullimit, do të jetë gjithashtu pjesë e formacionit të sotëm. Dhe në sulm nuk mungon “tridenti”, i cili pritet të përbëhet nga Messi, Luis Suarez dhe Coutinho. Lëndimet e Umtiti, Rafinha dhe Dembélé nuk lënë shumë vend për Valverde.

Nga ana tjetër, trajneri i Sevilla, Pablo Machín, përballet me këtë ndeshje i kushtëzuar nga saga e lëndimeve (Nolito, Munir, Aleix Vidal, Jesus Navas, Gnagnon, Gonalons dhe Escudero). Sergi Gómez, Wöber dhe Sarabia, gjithashtu, vijojnë të çalojnë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNICEF-i global boton artikull për rezultatet e partneritetit me Devolli Corporation: U fuqizuan gratë, përfituan familjet
-Advertisement-

Të tjera