Lajme

Valon Syla reagon pas debatit të mbrëmshëm në Pressing: Boll mo me këtë Jugosllavi

Autori: Gazeta inFokus 12:32 | 19 July 2023

Gazetari Valon Syla ka reaguar pas debatit të mbrëmshëm në emisionin e debatit “Pressing”, debat në të cilin analisti Shkelzen Gashi ngriti reagime pas një deklarate.

Gashi ka krahasuar qeveritë e pasluftës në Kosovë me ato të Milloshoviqit duke thënë se ka momente që kanë qenë më barbare se ato të viteve 90-ta.

E pas kësaj deklarate, gazetari Syla ka dalë me një vështrim të gjatë, ku ka thënë se është fatkeqësi kur e sheh një gjeneratë të re që ende jeton duke besu në gënjeshtrat e prindërve të tyre.

-Advertisement-

Ai gjithashtu, ka thënë se Jugosllavinë nuk e duan as serbët, të cilën e prishën.

“Jugosllavia ishte një shtet fallc. Po të ishte e mirë, do të ekzistonte dhe do ta ruanin ata serbë, kroatë e sllovenë, boshnajk e maqedonë.

Por shqiptarët ndoshta janë të vetmit me më shumë arsye që punuan me shkatërru, bashkë me bombardimet e NATO’s mbi Jugosllavinë e mbetur, këtë shtet artificial që kishte arsye të ekzistonte vetëm si kreaturë e Luftës së Ftoftë”, ka shkruar Syla.

Postimi i plotë:

Koment pas debatit në Pressing, te shoku jem Leo Kerquki

Fatkeqësi kur e sheh një gjeneratë të re që ende jeton duke besu ne rrenat e prindëve të tyne.

Këto rrena bëhen për inati, sepse një pjesë e madhe e kësaj shtrese shoqërore kosovare që sot e madhështon Jugosllavinë bëhet sepse nuk ishin pjesë e shtetndertimit, nuk ishin hisenik të Republikës së Kosovës dhe ju iku historia para këmbëve… një pjesë se i kishte prindërit shërbëtorë ose bashkëpuntorë të këtij regjimi… këta bashkë e urrejnë Republikën për shkak të rrenave të prindve të tyre, që lidhen vetëm me urrejtjen ndaj komandantëve që në fund rezulton si urrejtje ndaj UÇK’së. E urrejnë edhe Tiranën dhe Shqipërinë dhe e përqeshin shqiptarinë, se propaganda shekullore jugosllave e bëri të vetën…

Jugosllavia ishte një shtet fallc. Po të ishte e mirë, do të ekzistonte dhe do ta ruanin ata serbë, kroatë e sllovenë, boshnajk e maqedonë.

Por shqiptarët ndoshta janë të vetmit me më shumë arsye që punuan me shkatërru, bashkë me bombardimet e NATO’s mbi Jugosllavinë e mbetur, këtë shtet artificial që kishte arsye të ekzistonte vetëm si kreaturë e Luftës së Ftoftë.

Andaj edhe pas rrëzimit të ‘Murit të Berlinit’ dhe shkatërrimit të Bashkimit Sovjetik, shteti fallc i llaskucave dhe kriminelëve jugsllav filloi të shpërbëhet përfundimisht.

Edhe unë kam lindur në atë Jugosllavi dhe e kam përjetuar deri në klasën e 7 kur na përzunë edhe nga shkolla dhe mu mohuan përfundimisht të gjitha të drejtat elementare të njeriut me qëllim të pastrimit etnik të Kosovës. E nëse nuk ikshe, nuk pastroheshe vet, vinin e të vranin te shpia edhe kjo ishte Jugosllavi, jo vetëm ‘koha e artë’ 1968-1980, që potencohet si më pozitive se Pavarësia. Imagjinojeni… edhe këtë poshtërsi dhe idiotësi po e përjetojmë si ‘vlerësim kredibil’… nga ‘akademikët’ që ndjekin plagjiaturat si shtrigat, për me kapë universitetin, në emer të pastrimit shkencor.

Për mua Jugosllavia ishte hegjemoni, dhunë dhe marrëzi socialiste me tipare fashiste. Arsyeja pse sot jam anti-komuninst, anti-majtist është pikërisht kjo Jugosllavi, kjo botë e madhe sllave që nëpërmes të majtës socialiste dhe komuniste u mundua ta shtroj këtë hegjemoni, këtë ngulfatje të lirisë. Kështu sikur atëherë l, edhe sot, kjo hegjemoni serbimadhe e fshehur pas së majtës socialiste e ekstreme, po riinstalon anti-shqiptarizëm bash në gjenezën e Republikës, që është rezistenca paqësore kosovare dhe rezistenca e armatosur pastaj si UÇK, që e themeloi Republikën e lirë të Kosovës, Pavarësinë dhe e garantoi demokracinë.

Boll mo me këtë Jugosllavi. Atë madje se dojnë as Serbet që kishin ma shumë arsye se krejt ne ta dojnë, por e prishën. Kush jeni ju të padijshëm që po doni me ringjallë?

Ju jeni vetëm disa kosovarë të irrtituar që ju iku historia para syve. Jeni nervoz dhe inatçorë që s’jeni hisenik të Republikës që edhe barinjtë e Kosovës arritën të bëhen para juve, edhe analfabetët e ju e dyshuat… dhe ju nuk ishit pjesë e shtetndertimit të Kosovës.

Historia përsëritet kur nuk i mëson mësimet e saj. Por koha për një Republikë të shenjtë kosovare me 17 shkurt nuk përsëritet më.

Diskursi ‘ma mirë ka qenë 20 vjet se tash’, dhe madhëtimi i të kaluarës jugosllave eshte më i mirë se realiteti i Republikës kosovare, nuk ka ndodnjë hajr, e as ndonjë të vërtetë objektive historike. Ky fjalor mund të çon vetëm në luftë civile e cila nuk besoj se do të zgjaste ma shumë 72 orë në dëm të tyre. Por mirë që është KFOR’i këtu e përpos tjerëve dhe sulmeve nga jashtë, na mbron edhe prej shqiptarëve të poshtër e budallë brenda.

Ju jeni kjo sorta që folni me serbë qysh me ja u rrasë veteranëve dhe na izoloni me sanksione me na prish me krejt ata që e ndërtuan republikën. Ju e keni në krye Albin Kurtin, por nuk e doni as atë në të vërtetë. Albinin, vetëm e përdorni kundër UÇK’së kundër Republikës se e urreni vetëm se ishit kërkushat dhe nuk arritët as një fjalë të mirë të ja shtoni, se lere më të bëheni pjesë e ndërtimit të saj. Besomni se nuk e keni gjatë. Kosova nuk shkatërohet.

Unë jam kosovar, por jam edhe shqiptar edhe du me qenë aleat me Amerikanë me Evropianë dhe me NATO… Jugosllavia ka Vdekur. Kjo më knaq se e përjetova. Më knaq po aq sa Republika dhe Pavarësia. Jugosllavia ka vdekur bashkë me ju, mendimet e juaja, me krekosjet e juaja, me mburrjen e juaj. Koha juaj ka vdekur me 1999, me kapitullimin e Jugosllavisë në Kumanovë me 10 qershor 1999.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Oferta speciale deri në 70% dhe ekstra zbritje në dyshekët Comodita
-Advertisement-

Të tjera