Lajme

Unitet politik që zgjedhjet serbe të mos mbahen në territorin e Kosovës, opozita kërkon shkarkimin e Rakiqit

Autori: Gazeta inFokus 14:11 | 17 January 2022

Lëvizja Vetëvendosje thotë se nuk do të lejohet mbajtja e zgjedhjeve serbe të prillit në territorin e Republikës së Kosovës, njëjtë siç u veprua me referendumin kushtetues të 16 janarit.

Opozita mendon njëjtë, por kërkon nga kryeministri Kurti që të shkarkojë ministrin për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq, për deklaratat e së dielës që paralajmëroi reciprocitet ndaj Prishtinës zyrtare.

Kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se votimi i qytetarëve të Kosovës me shtetësi serbe për zgjedhjet e prillit duhet të bëhet duke shkuar në Serbi, me postë apo përmes Zyrës ndërlidhëse, duke shtuar që Kosova është një tërësi territoriale dhe ligji aplikohet njësoj për të gjithë.

-Advertisement-

Pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ajo ka thënë se rezoluta të cilën e ka nxjerrë Kuvendi lidhur me referendumin e Serbisë, ka rikonfirmuar vullnetin e të gjitha partive politike në Kosovë për proceset që shkelin sovranitetin e vendit.

“Rezoluta e Kuvendit të Kosovës ka rikonfirmuar edhe vullnetin e të gjitha partive politike të pozitës dhe opozitës në raport me një proces i cili shkel sovranitetin dhe kushtetutshmërinë e Republikës së Kosovës. Votimi për zgjedhjet, qofshin ato parlamentare apo siç ishte me referendum të një shteti tjetër apo të shtetasve të tjerë me dy shtetësi, është i paraparë dhe si shumë herë u ritheksua ditën e shtunë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ekzistojnë metoda se si votohet, votohet me shkuarje në shtetin ku mbahen zgjedhjet, me postë apo në ambasadat apo zyrat ndërlidhëse të atij shteti. Besoj që si parim, ose si proces, është përcaktuar dhe mund të bëhen përgatitjet tashmë dy-tre muaj para mbajtjes së zgjedhjeve në Serbi që ato të kryhen në këtë formë, në mënyrë që të kuptohet se Kosova është një tërësi territoriale, një shtet i pavarur dhe sovran dhe ligj është i aplikueshëm për të gjithë njëjtë, pa përjashtim”, deklaroi Kusari-Lila.

Sipas saj, veprimet institucioneve të Kosovës duke mos lejuar mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë nuk kanë dëmtuar raportet e shtetit me partnerët ndërkombëtarë.

Ndërsa shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Ablard Tahiri ka thënë se veprimi lidhur me referendumin e Serbisë ka qenë i detyrueshëm dhe në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës, çka sipas tij është kërkuar edhe nga PDK.

Por, seanca e cila u mbajt të shtunën për të votuar një rezolutë për moslejimin e mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë, sipas Tahirit, ishte e panevojshëm dhe tallje me opozitën.

“Imagjinoni sikur në vitin 2011 të mblidhej Kuvendi i Kosovës dhe t’i kërkonte në atë kohë Qeverisë së Kosovës të zbatojë sovranitetin në tërë territorin e saj. Ju e dini që në vitin 2011 janë vendosur pikat kufitare 1 dhe 31 në Bërnjak dhe Jarinje nga Qeveria Thaçi 2 dhe nuk ka pasur nevojë për kurrfarë rezolute. Kuvendi i Kosovës nuk është mbledhur të votojë rezolutë për t’u zbatuar kushtetutshmëria në vend. Prandaj këto janë veprime të obligueshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës që të zbatojë kushtetutën dhe ligjet në fuqi, ta mbrojë sovranitetin e vendit, e kemi shtrirë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Sipas Tahirit, Kosova nuk duhet të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës ndërsa për ministrin e qeverisë Kurti, Goran Rakiq, tha se duhet të shkarkohet pas deklaratave të tij se Serbia do të aplikojë reciproket nëse nuk u lejohet organizimi i zgjedhjeve të 3 prillit.

“Një ministër i tillë do të duhej të shkarkohej, pra një ministër që bën deklarata kundrejt qeverisë së vendit të cilin e përfaqëson, normalisht nuk e ka vendin në atë qeveri. Ndërsa sa i përket zgjedhjeve është çështje e brendshme e Serbisë se qysh i organizon e ku i organizon, ne na mbetët të mbrojmë kushtetutshmërinë dhe sovranitetin e vendit tonë, pra ne nuk duhet të lejomë në asnjë rrethanë të organizohen zgjedhje nga një shtet tjetër në vendin tonë të cilat e shkelin sovranitetin dhe rendin tonë kushtetues”, ka shtuar ai.

Lidhur me këtë, shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se asnjë ministër serb nuk mund të kërcënojë Kosovën.

Ndërsa lidhur me organizmin e zgjedhjeve të Serbisë në prill, Tahiri ka thënë se tema të tilla nuk duhet të vijnë si urgjente në Kuvendin e Kosovës.

“Këto janë tema shumë të ndjeshme për vendin dhe në këtë formë duhet të trajtohen, të konsumohen fillimisht brenda me institucionet përkatëse dhe pastaj në nivel parlamentar, nuk duhet që një temë e tillë të vjen si temë urgjente në parlament por duhet të konsumohet, ajo që dua të them si Aleancë është që ne në këto tema nuk bëjmë opozitë, është e papranueshme për ne që dikush tash të mundohet të nxjerrë lëvdata, të thur urime për veprimin. Veprimi i deputetëve në seancë ka qenë obligim, ne të gjithë jemi betuar të mbrojmë vendin dhe atë e kemi bërë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se e kanë mbështetur qeverinë në vendimin për moslejimin e mbajtjes së referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës duke shtuar se i ka kërkuar kryetarit të Kuvendit që seanca të mos kthehet në debat ku sipas tij deputetët të tregojnë “kush është më patriotit se tjetri”.

Kryesia e Kuvendit ka vendosur që fillimi i punimeve të rregullta të sesionit pranveror të fillojë me 20 janar, seancë në të cilën do të zhvillohet edhe debati i thirrur nga AAK lidhur me rritjen e çmimeve.

Në këtë seancë do të shqyrtohen disa projektligje në lexim të dytë dhe do të votohet një marrëveshje ndërkombëtare.

Gjithashtu, këtë të premte pritet të vazhdohen punime të seancave të papërfunduar nga sesioni vjeshtor ku në rend do të do të jenë marrëveshjet ndërkombëtare që nuk kanë arritur të votohen vitin e kaluar

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
TEB sjellë edhe kartelën prestigjioze VISA Infinite
-Advertisement-

Të tjera