Lajme

Ujërat e zeza vërshojnë kampusin e UP-së

Autori: Gazeta inFokus 12:04 | 22 May 2018

Liranda Krasniqi, studente në Fakultetin e Filologjisë pothuajse çdo ditë kalon nëpër Kampusin e UP-së për të shkuar në fakultet, e teksa kalon tek rruga që ndan në mes Kampusin përballet me rrjedhje të ujërave të zeza, e kjo rrjedhje bënë që ajo t’i bie tërthorazi për të shkuar në fakultet.

Përveç ndryshimit të rrugës, gjatë ditëve të nxehta Liranda thotë se kalimi në atë pjesë është edhe më i vështirë për shkak të kundërmimit.

“Mendoj se është shumë keq dhe jo vetëm që i jep pamje këtu oborrit të Universitetit, por edhe është imazh i keq për krejt qytetin”, tha ajo.

-Advertisement-

Të njëjtën rrugë e bënë çdo ditë edhe studenti tjetër i UP-së Ardi Latifaj, i cili thotë se rrjedhja e ujërave të zeza në Kampus është shumë e shëmtuar.

“Sigurisht që kanalizimi gjithkund është i shëmtuar, por hala më i shëmtuar është në kampus të universitetit ku studentët kalojnë këndej dhe gjithmonë pengon. Është jashtëzakonisht keq dhe duhet me u rregullua sa ma shpejt”, tha ai.

Në Kampusin e UP-së për të shkuar në punë çdo ditë kalon edhe Trina Dika, e cila shprehet se po i duhet të ndërroj rrugën për shkak të kundërmimit.

“Është e pakalueshme, zakonisht unë në përditshmëri kaloj në këtë pjesë dhe realisht po më duhet me ndërrua rrugën komplet për arsye se era është e padurueshme. Vetë fakti që ta ndërprenë rrugën në një farë mënyre shumë e papastër… Ta imagjinosh të jesh studentë dhe ke dëshirë me e përdor këtë pjesë të fakultetit, ndoshta edhe për aktivitete të tjera kështu që është vetë e imagjinueshme”, u shpreh ajo.

Ndërsa, Valdet Hoti shprehet se çdo ditë kalon në këtë rrugë dhe tashmë ky problem është prej shumë kohësh.

“Kjo është prej vitit të kaluar dhe ka qenë pak me pak, por tash është kështu. Është e rënd për të kaluar këndej, normal era po dihet si vjen sepse kanalizim është”, tha ai.

I gjithë problemi me këtë rrjedh të ujërave të zeza në Kampusin e  UP-së ka ndodhur për shkak se kolektori kryesor është dëmtuar dy herë, herën e parë kur është ndërtuar Kisha Ortodokse brenda Kampusit Universitar dhe herën e dytë kur është ndërtuar objekti i Fakultetit të Edukimit.

Pavarësisht se problemi ekziston me vite e shumë herë është ndërhyrë, mirëpo zgjidhje të përhershme për këtë problem ende nuk ka.

Zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Arjeta Mjeku ka thënë për KosovaPress se kjo problematikë ekziston për mbi pesë vite dhe se ekipet e mirëmbajtjes së rrjetit të ujërave të zeza kanë ndërhyrë disa herë duke zhbllokuar pusetat e kanalizimit dhe të kolektorit kryesor.

Përkundër kësaj ndërhyrje, Mjeku tha se problemi është përsëritur dhe nëse ka përsëritje të tilla atëherë nuk është zgjidhje e përhershme, por është një zgjidhje shumë e përkohshme

Zëdhënësja Mjeku bëri të ditur se edhe gjatë ditët së sotme do të dalin në vendin e ngjarjes për të parë problemin.

“Ne sërish kemi dal në vendin e ngjarjes dhe do të mundohemi ta hapim me bager dhe të shohim se cila është mundësia jonë, mirëpo nëse nuk kemi mundësi aty duhet të ndërrohet komplet rrjeti i kanalizimit dhe i kolektorit kryesor. Sepse është mjaft i dëmtuar dhe këtë gjë duhet ta bëjë Komuna e Prishtinës…Ne kemi raporte të mira me Komunën e Prishtinës, kemi takime të vazhdueshme me Komunën e Prishtinës, ata si duket nuk e kanë një herë në plan për këtë vit që te merren me ndërtimin e kolektorit dhe ndërtimin e rrjetit të kanalizimit. Por, nëse është një problem që kërkon urgjencë atëherë duhet edhe me urgjencë bashkërisht edhe me Komunën e Prishtinës të ndërhyjmë aty”, thotë Mjeku.

Ndërsa, zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu, përmes telefonit i ka  thënë KosovaPressit se në planin e punës së komunës është investimi në kanalizim në rrugën “Agim Ramadani”, ku pritet të zgjidhjet edhe problemi i Kampusit Universitar.

Përkundër kësaj, Mullafazliu tha se nuk dihet se kur do të ndodh ky investim.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Studio MASTER në UNI, Merr Diplomë dhe lejeqëndrim t’përhershëm në GJERMANI
-Advertisement-

Të tjera