Lajme

U vazhdohet masa e paraburgimit dy shtetasve të Serbisë, të arrestuar në Jarinë për terrorizëm

Autori: Gazeta inFokus 17:34 | 04 July 2023

U është vazhduar masa e paraburgimit dy shtetasve të Serbisë, Sinisha Jevtiq dhe Ivan Sekuliq, të dy të arrestuar nën dyshimet për terrorizëm në maj të këtij viti.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Departamenti Special në çështjen penale kundër të pandehurve S.J dhe I.S, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka vendosur për vazhdimin e masës së sigurisë. Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve  S.J dhe I.S, ashtu që masa e paraburgimit i është vazhduar edhe për 1 (një) muaj, për secilin”, ka deklaruar Gashi.

-Advertisement-

Lidhur me arrestimin e të dyshuarve, Policia e Kosovës kishte njoftuar se kishte arrestuar dy serbë, pasi u ishin gjetur “disa pajisje të kundërligjshme, përfshirë maska kamuflazhi, emblema me simbole nacionaliste, dokumentacione”.

Ndër gjërat që Policia kishte raportuar se kishte gjetur në veturën e tyre, ishin thika, flamuri serb, si dhe disa lloje të dyshuara të lëndëve narkotike.

Ata akuzohen për “përgatitje të veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, dhe “pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.

Dy të dyshuarve u ishte caktuar masa e paraburgimit më 1 qershor të këtij viti./Telegrafi/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Gjermani shpalos koleksionin e produkteve të reja në panairin Heimtextil në Frankfurt
-Advertisement-

Të tjera