Lajme

U “prishën” në Prishtinë, por PDK dhe LDK bashkëqeverisin pa telashe në disa komuna

Autori: Gazeta inFokus 23:21 | 09 February 2024

Vijat e kuqe janë kryefjalë e partive politike nëpër fushata zgjedhore. Por, rezultatet zgjedhore në shumicën e rasteve iu imponojnë atyre bashkëqeverisje.

Megjithatë, shumë koalicione kanë përfunduar parakohe, e i fundit ishte ai në kryeqytet, ku gjatë së enjtes Partia Demokratike e Kosovës i dha fund koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Por, këto dy parti politike pa telashe po e vazhdojnë bashkëpunimin në komunat e tjera.

-Advertisement-

Një prej tyre është Komuna e Pejës, kryetari i së cilës, Gazmend Muhaxheri, derisa përshkruan punën e koalicionit përdor një frazë të futur në përdorim nga një zëvendësministër nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Si vaji në tepsi, që po thotë ai i Vetëvendosjes. Koalicioni në Komunën e Pejës është duke shkuar normalisht. Nuk kemi asnjë tendencë për me u prish. Koalicioni në Pejë është i suksesshëm, është qe 10 vjet. Kaq”, thotë Muhaxhiri.

Jo më ndryshe deklarohet edhe kryetari i Istogut, Ilir Ferati.

“Deri më sot ka shkuar mirë, nuk kemi pas probleme në funksionim. PDK-ja i ka tri drejtori dhe nënkryetarin. Deri më tani ka shkuar mirë, nuk ka pasur probleme të theksuara, sigurisht ka përplasje në kuptim të funksionimit, në shërbim të qytetarëve, por jo diçka shqetësuese që të çon në ndonjë prishje eventuale, tek e fundit është marrëveshje politike”.

“Secila komunë i ka specifikat e saja, i ka njerëzit e saj, dallojmë edhe strukturalisht, në formë të punës dhe qasjes ndaj problemeve”, thotë Ferati.

E nga PDK-ja në Viti thonë se veprimet e ndërmarra në Prishtinë nuk kanë ndikuar në vendin ku ata bashkëqeverisin me LDK-në.

“Në Viti koalicioni po funksionon normal, po mundohemi të punojmë së bashku, temat e përgjithshme çka janë në interes të vendit. Parimisht, jo sepse koalicionet lokale varen prej nivelit lokal se qysh funksionojnë. Nuk varet komuna me komunë, varet krejt konkretisht prej bashkëpunimit se si i kanë mundësitë me vepru”.

“Nuk ka naj vendim të përgjithshëm. Përderisa s’ka vendim të përgjithshëm, vendimet lokale funksionojnë të pavarura komunat dhe degët nëpër komuna që janë t’u funksionu”, shprehet Bekim Azizi, kryetar i degës së PDK-së në Viti.

Shkëputja e koalicionit në Prishtinë erdhi pas shfuqizimit të vendimit për shkëmbimin e pronës private në Badoc me pronën publike komunale në zonën e “Prishtina e Re”.

Këtij vendimi i paraprinë edhe shkarkimet e zyrtarëve nga radhët e PDK-së, përfshirë drejtorin e shërbimeve publike, Ilirik Musliu dhe nënkryetaren Donjeta Sahatçiu.

Gjatë këtij mandati, PDK-ja ka prishur koalicionet edhe në Podujeve e Gjilan, me partinë që udhëheq në këto komuna, Lëvizjen Vetëvendosje. /Dukagjini/

Vizitoni knanlin tonë në Youtube:

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!
-Advertisement-

Të tjera