Lajme

Trupat serbe afër kufirit, Presidentja Osmani i pret në takim Ministrin e Mbrojtjes dhe Komandantin e Ushtrisë së Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 17:12 | 30 September 2023

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, njëherësh komandantja supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka pritur sot në takim Ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjeneral lejtnant Bashkim Jashari.

Në takim u diskutua lidhur me zhvillimet e sigurisë dhe veprimet armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës, punën e institucioneve të sigurisë së Kosovës si dhe për koordinimet me aleatët tanë dhe prezencën ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë.

Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar për paqe dhe siguri në vend e rajon dhe se institucionet e Kosovës do të veprojnë në partneritet të ngushtë me aleatët tanë.

-Advertisement-

Serbia kishte dislokuar trupat ushtarake në Vranjë, afër kufirit me Kosovën, pas sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit të dielën, ku mbeten të vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, dhe tre terroristë.

Gjatë ditës së djeshme, Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Serbisë t’i tërheqë trupat nga kufiri, duke e quajtur zhvendosjen e tyre “zhvillim shumë destabilizues”.

Ndërsa, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier,  ka përsëritur edhe sot se ShBA-ja është e shqetësuar me dërgimin e trupave nga ana e Serbisë në kufirin me Kosovën.

Këtë kërkesë sot e bëri edhe Bashkimi Evropian.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i bëri thirrje Serbisë të shtunën ta ndalë menjëherë zhvendosjen e ushtrisë përgjatë kufirit me Kosovën dhe t’i tërheqë trupat e vendosur deri tani.

Shefi i diplomacisë së BE-së tha për disa media ndërkombëtare se blloku është duke diskutuar me partnerët dhe aleatët e vet për gjendjen e tanishme veri të Kosovës, ku sasia e armatimit të gjetur nga Policia e Kosovës “është shumë serioze”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe pjesëmarrës në panairin “Gulfood Fair 2024” në Dubai
-Advertisement-

Të tjera