Tronditet Rusia, zbardhet raporti i zyrtarit të shërbimit sekret
Autori: Gazeta inFokus 19:52 | 13 March 2022
Nga Ferruçio Michelin
Një analist i FSB-së, shërbimit sekret rus, shkruan në një raport mbi dyshimet e tij për pushtimin e Ukrainës të urdhëruar nga presidenti Vladimir Putin. Ky dokument është shfaqja e parë e kritikës nga brenda, duke dëshmuar më tej se Rusia nuk është një regjim monolit, dhe se aty ekzistojnë në fakt pozicione komplekse, si dhe një ndarje midis hierarkive dhe organeve të sigurisë.
Sidomos shërbimet sekrete ruse dhe Ministria e Jashtme, nuk ishin shumë të bindura për sulmin, ndryshe nga Ministria e Mbrojtjes e cila mbante pozicione më agresive. Kjo gjë ka ndodhur edhe për raste të tjera, si për shembull në Libi ku ushtria ruse ushtroi presion që të jepte mbështetje për milicët në Bengazi, ndërsa diplomatët mbajtën një linjë më dialoguese ndaj qeverisë së njohur nga OKB-ja, të cilën rebelë donin që ta rrëzonin.Raporti thekson se numri i humbjeve ruse që ka qarkulluar në media së fundi, mbi 10 mijë trupa, është i besueshëm. Po ashtu agjenti i FSB thotë se Moska “vepron në mënyrë intuitive” dhe “mbi bazën e emocioneve”, me “shpresën se mund të ndodhë papritur diçka për ne”.
Në dallim nga raportimet, sipas të cilave Putin është mashtruar nga shërbimet sekrete, raporti nënvizon se FSB “u mbajt në errësirë” në lidhje me planin e luftës, ndërsa tani po “fajësohetpër dështimin e pushtimit”.
Agjenti thekson në raportin e tij se FSB “nuk ishte e përgatitur që të përballej me efektet e sanksioneve gjymtuese”, dhe se Moska “e ka humbur kontrollin e shumë divizioneve në Ukrainë”. Pasi vë në dukje në detaje të problemeve të hasura në Ukrainë, agjenti bën një vlerësim shumë pesimist mbi ushtrinë ruse.
“Në përgjithësi Rusia nuk ka asnjë rrugëdalje nga kjo luftë që ka nisur. Ajo nuk ka opsione për një fitore të mundshme, por e presin vetëm humbje. Edhe me hipotezën e një rezistenceminimale nga ukrainasit, neve do të na duheshin mbi 500.000 ushtarë, pa futur këtu furnizimet dhe punëtorët e logjistikës, që të kishim mundësi të kontrollonim Ukrainën”- thekson ai.
Përfundimi: ”Do të zhytemi në një konflikt të madh ndërkombëtar ashtu si Hitleri në vitin 1939!”. Kjo konsideratë është shumë e hidhur, nëse kemi parasysh pretendimin e Vladimir Putinit, të ripohuar këto ditë edhe nga ambasadori rus në Itali, Sergei Razov, se synimi kryesor i luftës është “de–nazifikimi i Ukrainës”.
Apeli është shumë domethënës:revizionizmi Putinian, e ka lartësuar rolin e Rusisë në Luftën e Dytë Botërore, duke e përshkruar vendin e tij si një fuqi që e shpëtoi botën nga nazizmi. Dhe Kremlini e përdor shpesh etiketimin “nazist” kundër armiqve të tij, për të nxitur veprimin tek njerëzit e tij: “nazistët” e justifikojnë veprimin.
Edhe për këtë referencë toksike në raportin kritik të FSB-së, ka lindur më shumë se sa një dyshim. Por burimi është i mirë. Dokumenti ka rënë në duart e Vladimir Osechkin, një aktivist rus i të drejtave të njeriut që drejton uebsajtin kundër korrupsionit “Gulagu.net”, i cili konsiderohet zakonisht një kanal shumë i besueshëm i opozitarizmit rus.
Christo Grozev, ekspert në portalin investigativ, Bellingcat, dhe një nga më të njohurit sa i përket analizës së inteligjencës ruse, tha për “London Times” se ai ua kishte treguar raportin dy oficerëve të FSB-së, të cilët thanë se “nuk kishin dyshime se ai ishte shkruar nga një kolegu i tyre”.
Këto dyshime janë më se legjitime, duke pasur parasysh rëndësinë e mundshme të pretendimeve, por edhe faktin se në të kaluarën SBU, agjencia kryesore e sigurisë dhe e kundërzbulimit ukrainas, publikonte raporte të falsifikuara, që deklaroheshin sikur ishin shkruar nga Moska, si një formë e operacioneve psikologjike kundër Kremlinit.
Nga ana tjetër, nuk ka asnjë dyshim se në Rusi ka një kundërshtim ndaj luftës, edhe sepse filluan të qarkullojnë historitë e rekrutëve (shumë të rinj në moshë), që as nuk e dinin se do të luftonin, kur njësitë e tyre u nisën për në front. Eprorët u kishin thënë se do të merrnin pjesë në një stërvitje rutinë.
Lyudmila Narusova, 70 vjeçe, ish-gruaja e Anatoli Sobchak, kryebashkiaku i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike në Shën Petersburg, që vdiq në rrethana misterioze në vitin 2000 kur Putin u bë president i vendit, tha për Dozhd, një televizion rus i pavarur, se ushtarët rusë që kanë vdekur në Ukrainë po “mbeten të pavarrosur, ndërsa qentë endacakë po i shqyejnë trupat e tyre, dhe se ata në disa raste as që mund të identifikohen pasi janë djegur”.
16 mijë rusë janë arrestuar këto ditë, vetëm sepse guxuan të protestonin kundër luftës. Vetëm të dielën u arrestuan 4 mijë kundërshtarë të luftës së Putinit, që sipas dokumenti të analistit të FSB, nëse nuk përfundon deri në qershor, do ta gjunjëzojë ekonominë ruse (e cila ka hyrë që tani në një krizë të madhe).
Numri më i madh i arrestimeve është regjistruar në Yekaterinburg, në rajonin e Uraleve, dhe në Novosibirsk në Siberi. Rajoni i Siberisë, tregoi edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2020 mbështetje të gjerë për kandidatët anti–putinianë, ndoshta edhe për shkak të fushatës elektorale të Alexei Navalny, liderit të opozitës ruse, i cili u helmua atje përpara se të burgosej.
“Për shkak të Putinit, emri Rusi është tani sinonim i luftës për shumë njerëz në botë. Dhe kjo nuk është e drejtë: ishte Putini dhe jo Rusia, ajo e që e sulmoi Ukrainën”– deklaroi Navalnyditët e fundit. Dhe dëgjimi i zërit të kundërshtarëve më mediatikë të sistemit të Putin në këtë moment, nuk është një shenjë pozitive për Kremlinin.
Po për këtë arsye, Kremlini e ka izoluar Rusinë nga bota. Ajo po i mban qytetarët e saj larg deklaratave të caktuara. Ndërkohë Kreu i CIA-s, William Burns, ishte shumë i qartë:”Putini është ndoshta i zemëruar dhe i frustruar, sepse e kupton që nuk ka një fund-lojë të qëndrueshme politike në këtë luftë që ka nisur”. Sipas inteligjencës amerikane, humbjet e pësuara nga Rusia deri më tani janë 2-4 mijë trupa, që gjithsesi është një shifër shumë e lartë.
Të tjera
-
Eurodeputeti austriak: Vetëm me ndryshimin e rrethanave politike në BE është i mundur një kompromis për Kosovën
Shefi i delegacionit të Partisë së Lirisë së Austrisë (FPO) në Parlamentin Ev...
-
Vera merr fund përfundimisht, ulje drastike e temperaturave dhe përmbytje, borë në zonat malore
Pas temperaturave jashtëzakonisht të larta që kanë mbretëruar pothuajse gjatë...
-
A do të kandidojë përsëri për Presidente dhe a do të vazhdojë në politikë, Osmani çon mesazh: Nuk më heqin qafe lehtë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për “Kallxo Përnime”, ...
-
Osmani e konfirmon që s’e deshti afër Martin Berishajn gjatë vizitës në Kroaci: Ashtu kam vendosur
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në gusht ishte në një vizitë zyrtare në ...
-
Vendimi për Calin, Specialja caktoi gjyqtarët por jo edhe seancën
Para një muaji Gjykata Supreme e Dhomave të Specializuara të Kosovës ia anulo...
-
Dështimi për anëtarësim në Këshill të Europës, kush prishi punë sipas presidentes, Kurti apo Gërvalla?
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur lidhur me moskoordinimin për le...
-
Osmani thotë se Shefi i CIA’s ka pasur vetëm një kërkesë – “S’është e jashtëzakonshme, por s’mund ta bëjë publike”
Një kërkesë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është paraqitur për Kosovën n...
-
Osmani: Zgjedhjet dhe referendumi i Serbisë u ndalën në zyrën time
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se ajo ka qëndruar në të gjitha...
-
Ende pa datë takimi mes Kosovës dhe Serbisë
Ndonëse nuk është bërë e ditur data e takimit të ardhshëm mes Kosovës e Serbi...
-
Abdixhiku e mbështet Zhegrovën, pas përjashtimit, e quan aset kombëtar
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas pë...
-
Osmani flet për masat e BE-së ndaj Kosovës: Javëve të fundit disa shtete kanë kërkuar të mbeten masat
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se javëve të fundit janë njoftu...
-
Ben-Meir: Njohja e Kosovës nga Serbia do të përshpejtohet sapo të largohet Putini
Alon Ben-Meir, profesor amerikan në pension dhe ekspert i politikës ballkanik...