Tromp kritikon Kosovën për reagim joadekuat ndaj gënjeshtrave të Serbisë
Autori: Gazeta inFokus 11:21 | 14 December 2021
Është befasues reagimi joadekuat i të gjithë atyre, kundër të cilëve Serbia gënjen, përfshirë edhe Kosovën, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë Nevenka Tromp, ligjëruese e Studimeve për Evropën Lindore në Universitetin e Amsterdamit në Holandë, si dhe hulumtuese e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, për 12 vjet me radhë.
Ajo është autore e librit “Procesi penal kundër Sllobodan Millosheviqit: gjykimi i papërfunduar”, i cili u promovua të hënën, më 13 dhjetor, në Prishtinë.
Tromp thotë se mospërfundimi i procesit gjyqësor ndaj Millosheviqit, për shkak të vdekjes së tij më 2006, ka lënë pa zbardhur ideologjinë e tij se a kanë ndodhur luftërat për shkak të patologjisë së personalitetit të tij dhe evoluimit të vetëdijes së tij në vetëdije kriminale.
Tromp shpjegon gjithashtu arsyet se pse Millosheviqi nuk e ka dashur praninë e Misionit verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) gjatë luftës në Kosovë, si dhe për Reçakun, ku ka ndodhur një prej masakrave të forcave serbe ndaj civilëve shqiptarë.
Sipas saj, autoritetet serbe, përfshirë edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ministrin serb të Mbrojtjes, Aleksandar Vullin, sot e mohojnë në mënyrë të vazhdueshme të vërtetën për Reçakun, ashtu sikurse edhe për Vukovarin, Dubrovnikun, Sarajevën dhe Srebrenicën, në mënyrë që të zvogëlohet përgjegjësia e Serbisë.
Siç thotë ajo, jo vetëm udhëheqësit politikë dhe shtetërorë, por edhe gazetarët e akademikët nuk janë përpjekur që t’i gjejnë citatet relevante nga Tribunali i Hagës dhe të thonë ‘zoti Vullin, ju jeni ministër i Republikës së Serbisë, por ju po gënjeni’, lidhur me masakrën në Reçak.
Zonja Tromp, në Prishtinë është promovuar libri juaj “Procesi penal kundër Sllobodan Millosheviqit: gjykimi i papërfunduar”. Çfarë faktesh përmbledh dhe sjell para lexuesve ky libër?
Nevenka Tromp: Libri “Gjykimi i papërfunduar i Sllobodan Millosheviqit” merret me arkivin e gjykimit të tij në Tribunalin e Hagës. Ky gjykim ka zgjatur prej shkurtit të vitit 2002 deri në mars të vitit 2006, kur është ndërprerë, për shkak se zoti Millosheviq vdiq.
Ai vdiq para shqiptimit të aktvendimit dhe ky libër ka provuar që të mbrojë tezën se gjykimet për krime të luftës, për krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, në vetvete janë shumë të rëndësishme, pikërisht për shkak të provave dhe dëshmitarëve që janë paraqitur atje. Vetë aktvendimi dhe dënimi, që eventualisht do të pasonte, janë të rëndësishëm, sepse ata edhe janë qëllimi i proceseve penale.
Por, pavarësisht nga kjo, materiali i shumtë që ka mbetur pas gjykimit të tij… unë kam pasur dëshirë që t’ia paraqes publikut akademik dhe joakademik, do të thotë, publikut të gjerë, në mënyrë që t’i tregoj se çfarë në fakt ka ndodhur gjatë viteve të 90-ta , pse kanë vuajtur njerëzit aq shumë dhe a ka lindur nga vuajtjet e atyre luftërave, a ka lindur diçka e qëndrueshme, diçka e drejtë apo as ato luftëra dhe as këto gjykime në Hagë, në fakt, nuk kanë sjellë deri te zgjidhjet e përhershme për ish-Jugosllavinë.
Ky libër është një kontribut i vogël për krejt ato që kanë ndodhur. Përparësia e tij është se për çdo pretendim që është në veshët e gati secilit qytetar të ish-Jugosllavisë, unë vë fusnotat dhe ato fusnota vijnë, në shumicë, drejtpërdrejt nga gjykimi dhe nga provat, si dhe nga dokumentacioni për Sllobodan Millosheviqin dhe gjykimi i tij në Hagë.
Zonja Tromp, cilat pyetje kanë mbetur pa përgjigje për shkak të mospërfundimit të procesit gjyqësor ndaj Millosheviqit, për shkak të vdekjes së tij?
Nevenka Tromp: Janë tri tema të mëdha që kanë qenë të rëndësishme para luftës dhe gjatë kohës së luftës, e të cilat kanë mbetur ende të rëndësishme. Një prej çështjeve është ideologjia. Në emër të cilës ideologji janë zhvilluar luftërat gjatë viteve ’90?
Çështja e dytë është se cili ka qenë funksioni i saktë i Sllobodan Millosheviqit, si politikani më i rëndësishëm serb në ato kohëra mjaft të rëndësishme? A kanë ndodhur luftërat për shkak të patologjisë së personalitetit të tij, për shkak të karakterit të tij, për shkak të ndonjë ligësie?
Apo, ai ka qenë në shërbim të asaj ideologjie, ideologjisë serbe, të cilën unë e quaj ‘ideologjia shtetërore serbe’, e cila i krijonte kufijtë e shtetit serb të pas-Jugosllavisë në atë mënyrë që dëshironte, duke i zgjeruar në zonat ku jetonin serbët ose ku ata thoshin se jetojnë serbët, në Kroaci, në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë.
Tre momente të rëndësishme “kur Millosheviqi bëhet kriminel”
Dhe çështja e tretë, e cila është shumë rëndësishme – sepse ka të bëjë me arkivin e procesit penal – është pyetja se çfarë ka qenë ai plan serb, sepse planet politike dhe ushtarake nuk do të thotë se janë kriminale sipas definicionit. Ne edhe në gjykimin e Millosheviqit e kemi ndjekur gjendjen e vetëdijes së tij se kur mund të themi se ajo gjendje e vetëdijes së tij ndryshon në atë kriminale, se ai është i gatshëm që të kryejë krime në mënyrë që t’i zgjerojë kufijtë e shtetit serb.
Në atë plan, ne kemi identifikuar tre momente mjaft të rëndësishme, kur Millosheviqi bëhet kriminel. Plani dhe ideologjia serbe tregojnë kriminalitetin e tyre me krijimin e Krahinës Serbe në Kroaci, në vitet ‘91 dhe ‘92, si dhe më pas lufta që u zhvillua në vitin ‘95.
Momenti i dytë i kriminalitetit është krijimi i kufijve të Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë. Momenti i tretë i planit kriminal ka qenë ndryshimi i kompozicionit etnik të Kosovës, pra, që të zvogëlohet numri i shqiptarëve dhe që më pas me ndonjë ligj në vetëqeverisjen lokale, në fakt, të vërtetohej pushteti i Serbisë, si pakicë, ndaj shumicës shqiptare.
Këto pra janë ato tri zonat e luftës që ne i kemi ndjekur dhe që unë në libër i ndërlidh me kriminalitetin e ideologjisë së projektit shtetëror serb, rolin e Millosheviqit, i cili nuk e nisi luftën si kriminel, i cili para luftës nuk ishte kriminel, sepse ishte një njeri i aparatit komunist.
Tregoj se si është zhvilluar ai nga një njeri i aparatit komunist deri te krimineli i luftës, pastaj në një krijues të paqes në Dejton dhe se si nuk ka mundur të përmbahet pas Dejtonit… përmes konfliktit të Kosovës rrëshqiti nga vetëshkatërrimi. Sepse, fati i tij politik përfundoi me vetëshkatërrim dhe unë këtë e përshkruaj në libër.
Shteti serb “është më së shumti përgjegjës për masakrat”
Viteve të fundit, zyrtarë të lartë të shtetit të Serbisë, përfshirë presidentin, Aleksandar Vuçiq, por edhe ministrin e Punëve të Brendshme, Aleksandar Vullin, e kanë quajtur “gënjeshtër të madhe dhe falsifikim të tmerrshëm” masakrën e Reçakut, të 15 janarit të vitit 1999. Deklarata të tilla janë përsëritur edhe tash së fundmi, gjë që ka nxitur reagime të shumta në Kosovë, por edhe te faktorët ndërkombëtarë. Si i shihni ju këto deklarata dhe cili është qëllimi i tyre, tash 22 vjet pas kësaj ngjarjeje?
Nevenka Tromp: Roli i Serbisë në luftërat pushtuese, që kishin për qëllim të zgjeronin kufijtë shtetërorë serbë në hapësirën e pas-Jugosllavisë, ka sjellë deri te luftërat në Kroaci, në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë. Në kohën kur ndodhnin këto luftëra, ndaj Serbisë është shikuar globalisht. Mediat globale dhe politikanët flisnin për atë projekt kriminal serb dhe gjatë viteve ‘90 nuk ka pasur kurrfarë dileme se shteti serb është më së shumti përgjegjës për ngjarjet e luftës dhe masakrat.
Shikoni se çfarë ndodh këtu. Serbia e kupton shumë mirë simbolikën e Vukovarit dhe Dubrovnikut në Kroaci. Serbia e kupton shumë mirë simbolikën e Sarajevës dhe të Srebrenicës në Bosnje e Hercegovinë. Serbia e kupton shumë mirë simbolikën e Reçakut në luftën në Kosovë. Nëse ju e shikoni se çfarë bën Serbia në mënyrë të vazhdueshme pas vitit 1995 dhe pas vitit 1999, ajo në narracionin e saj të luftës, në vazhdimësi i përmend pikërisht këto pesë vende, sepse e gjithë bota di për to.
Paramendojeni se si ka qenë për opinionin botëror të shikojë se si shteti serb, se si Ushtria Popullore e Jugosllavisë nën udhëheqjen e Millosheviqit, i cili në fakt kishte pushtetin mbi të, e shkatërronin Dubrovnikun. Nuk ka pasur politikan në botë që të paktën nuk ka dëgjuar për Dubrovnikun. Dhe nëse ju e shihni se çfarë bën Serbia, ajo në mënyrë të vazhdueshme i mohon projektet, në mënyrë që të zvogëlohet përgjegjësia e saj në Vukovar dhe në Dubrovnik, e pastaj në Sarajevë dhe Srebrenicë, si dhe sa i përket Kosovës, ku këtë simbolikë e ka Reçaku.
Serbinë nuk e obligojnë faktet. Paramendojeni, ata thonë që Reçaku është larguar nga padia ndaj (ish-presidentit të Serbisë, Millan) Millutinoviq dhe të tjerëve në Tribunal (të Hagës), por po harrojnë që vetë kanë insistuar që të shqyrtohen faktet për Reçakun, në dy raste, përfshirë veçanërisht rastin e gjeneralit Vllastimir Gjorgjeviq, me nofkën Rogje, ku edhe në procedurat e animimit të shkallës së parë dhe të dytë, gjyqtarët në fakt thonë se nuk ka kurrfarë dyshimi që 45 shqiptarët e vrarë ishin viktima të forcave serbe. Dhe kur ata (zyrtarët serbë) thonë se Reçaku nuk gjendet në paditë dhe aktvendimet e (Tribunalit të) Hagës, ata në fakt gënjejnë. Kjo nuk është e vërtetë.
A e dini se çfarë më befason? Mua nuk më befason që zyrtarë serbë e përdorin këtë dhe po përpiqen që diçka e tillë t’iu shitet. Por, më befason reagimi joadekuat i të gjithë atyre të tjerëve, kundër të cilëve Serbia gënjen, përfshirë edhe Kosovën.
Jo vetëm udhëheqësit politikë dhe shtetërorë, por këtu mendoj edhe në gazetarët, akademikët dhe të gjithë njerëzit që e dinë se kjo nuk është e vërtetë, por që nuk janë përpjekur që t’i gjejnë citatet relevante nga Tribunali i Hagës dhe të thonë ‘zoti Vullin, ju jeni ministër i Republikës së Serbisë, por ju po gënjeni’. Kjo është përgjigjja e vetme ndaj tij dhe pastaj ju i tregoni këto citate, të cilat unë i kam para vetes në këtë broshurë (Ligji, Historia, Politika dhe Shoqëria në kontekstin e Mizorive Masive nga Fondacioni Geoffrey Nice).
Në hulumtimet tuaja, a ka dokumente që flasin për masakrën në Reçak dhe, nëse po, çfarë nxjerrin në pah?
Nevenka Tromp: Ne jemi marrë tepër shumë me masakrën në Reçak. Prokuroria ka pasur disa dhjetëra dëshmitarë, që nga dëshmitarët e mjekësisë ligjore, do të thotë, hulumtues në vendin e ngjarjes. Ka qenë William Walker dëshmitar, i cili asokohe ka qenë shef i misionit verifikues në Kosovë.
Por, ajo që është më e rëndësishmja, Sllobodan Millosheviqi ka ftuar tepër shumë dëshmitarë, disa dhjetëra dëshmitarë, që të dëshmojnë dhe të thonë se ajo s’ka qenë e vërtetë dhe se të gjithë ishin luftëtarë të UÇK-së (Ushtria Çlirimtare e Kosovës) dhe se Reçaku është përdorur për qëllime propaganduese, në mënyrë që Amerikës t’i lejohej që të sulmojë forcat serbe dhe që Kosova të izolohet nga autoritetet serbe të Beogradit. Megjithatë, kjo nuk është e vërtetë.
Në librin tim, përmes provave që i kemi paraqitur në Tribunal, unë e kam treguar dinamikën. A e dini se ku nis ajo dinamikë? Ajo fillon në vitin 1998, në muajin mars, kur ndodhi masakra në Prekaz, në pronën e Adem Jasharit. Dhe, ju e shihni se aty është krijuar konflikti i armatosur.
Pas asaj ngjarjeje, Millosheviqi ka problem të madh se si të përballet me rezistencën e UÇK-së dhe ai dëshiron që ta shkatërrojë UÇK-në, si organizatë terroriste, pa kërkuar ndihmë nga jashtë. Pastaj, ai këtë e bën në qershor të vitit 1998, kur shkon në Moskë dhe bisedon me (ish-presidentin e Federatës Ruse, Boris) Yeltsinin. Yeltsini i thotë atij: ‘Jo, nuk do t’ju ndihmojmë’. Rusia asnjëherë nuk e ka ndihmuar Serbinë konkretisht. Asnjëherë. Pas Yeltsinit, ai (Millosheviq) nuk ka zgjidhje tjetër dhe takohet me (ish-të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin, Richard) Holbrookun , me të cilin e arrijnë marrëveshjen e tetorit (1998).
Pas kësaj marrëveshjeje, Millosheviqi, për herë të parë lejon që të vijnë vëzhguesit e jashtëm dhe të shikojnë se çfarë bën Serbia me gjithë ata civilë në Kosovë, e që në dhjetorin e vitit 1999 ishin rreth 300,000 qytetarë të zakonshëm kosovarë pa kulm mbi kokë. Jetonin në tenda, jashtë.
Pse Millosheviq asnjëherë nuk e ka dashur misionin verifikues (të OSBE-së) që të vijë në Kosovë? Për shkak se ka dashur që të bëjë çfarë të dojë në Kosovë pa pasur mundësi që dikush të arkivojë dhe vëzhgojë. Pra, tashmë ai nuk mund ta bënte këtë dhe Reçaku ndodhi, në fakt, në momentin kur të gjithë ata të misionit verifikues në Kosovë ishin këtu.
Ata e kanë evidentuar këtë dhe Millosheviqi nuk kishte më nga të shkojë. Sepse, shikoni, Millosheviqi nuk e ka bërë rastësisht Reçakun. Ata vrisnin dhe digjnin shtëpi dhe fshatra gjatë gjithë vitit 1998 dhe më pas. Pra, ky është moment kur e gjithë kjo kulmon.
Por, pse Reçaku është i rëndësishëm? Për shkak se për herë të parë, në një masakër të tillë të madhe, misioni verifikues (i OSBE-së) ishte në vendin e ngjarjes. Pastaj, i thanë Millosheviqit, ‘të kemi thënë se nuk ka më krime dhe fund’ dhe tash duhet të shkoni në Rambuje. Sepse, Reçaku ishte mënyrë që Millosheviqi, Serbia dhe kreu në Jugosllavinë e atëhershme, të shtyhen që të shkojnë në Rambuje, nën presionin që të bisedohet edhe për zgjidhjen politike për Kosovën.
Ai refuzoi në Rambuje dhe më pas nisi intervenimi ushtarak ndaj Serbisë. Ky intervenim ushtarak zgjati dhjetëra javë dhe më 9 qershor të vitit 1999, Serbia në mënyrë absolute dhe të tërësishme kapitulloi dhe e humbi luftën në Kosovë.
Për këtë shkak, ata (zyrtarët serbë) e kanë të rëndësishëm Reçakun, që të thonë se e gjithë kjo ka qenë konspiracion ndaj Serbisë. Por, kur i shihni ngjarje pas ngjarjeje, atëherë e shihni se Reçaku absolutisht nuk është kurrfarë rasti i veçantë, sepse Serbia kishte bërë gjëra të tilla në vazhdimësi. Pra, Reçaku është vetëm një shembull. Por, për Serbinë është i rëndësishëm, sepse ai paraqet simbolin botëror të agresionit serb kundër shqiptarëve, gjegjësisht, kundër qytetarëve të Kosovës.
Pse asnjëherë askush nuk është dënuar për Reçakun?
Nevenka Tromp: Sllobodan Millosheviqi dhe padia ndaj tij janë marrë shumë me Reçakun. Në rastin kur vdiq Millosheviqi, atëherë filloi rasti i Millutinoviqit dhe të tjerëve, ku gjashtë prej zyrtarëve të lartë në nivelin e Serbisë dhe Jugosllavisë, ishin të paditur. Ndaj tyre ishte ngritur aktpadia.
Unë e di nga dora e parë, se gjyqtarët asokohe kanë vendosur që edhe Reçakun, por edhe burgun e Dubravës dhe bombardimin atje, t’i heqin nga rasti i Millutinoviqit dhe të tjerëve. Pse? Reçaku kishte ndodhur para se të shpallej gjendja e luftës dhe para se të niste konflikti i armatosur ndërkombëtar. Ai konflikt ka nisur më 24 mars (1999).
Në anën tjetër, gjyqtarët kanë konsideruar që Reçaku, në fakt, nuk e mbështet qasjen më të rëndësishme të krimeve në Kosovë, të cilat Prokuroria i kishte identifikuar në rastin e Millosheviqit dhe të Millutinoviqit. Por, këto ishin deportimi dhe dëbimet. Pastaj, ata (gjyqtarët) thanë ‘mirë, kjo nuk është shumë me rëndësi dhe nuk do ta bëjmë këtë’ dhe askujt nuk i shkoi ndërmend që Serbia do ta përdorë këtë në mënyrën si po e bën.
Megjithatë, edhe në rastin e Millutinoviqit dhe pastaj edhe në rastin e Gjorgjeviqit – që ishte rast i veçantë, sepse ai ishte i arratisur për shumë vite – kanë dëshmuar të njëjtit dëshmitarë që dëshmuan në mbrojtje të Millosheviqit. Për shembull, zonja Danica Marinkoviq që ka qenë gjyqtare hetuese. Ajo dëshmon edhe në rastin e Millutinoviqit dhe të tjerëve, përfshirë edhe Gjorgjeviqin. Dhe, ata insistuan vazhdimisht që të flitet për Reçakun. Për shkak se ata e kishin futur Reçakun përmes dëshmive të tyre si dëshmitarë të mbrojtjes, Reçaku hyn në aktvendimin ndaj Gjorgjeviqit.
Prandaj, mos t’ju mashtrojë kjo, sepse Raçaku përmendet në aktvendimin e Gjorgjeviqit, në shkallën e parë dhe në shkallën e dytë. Kjo është ajo që unë them se sa janë të rëndësishme këto aktvendime, edhe për Serbinë, edhe për Kosovën, por edhe për gjithë hapësirën e ish-Jugosllavisë, sepse shihet që Serbia absolutisht nuk mund të thotë gjëra të këtilla, të cilat nuk kanë lidhje me realitetin.
Të tjera
-
Shërbimi i Self Check-in tani edhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’
Sot Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ka lansuar edhe shërbimin e Self Chec...
-
Haxhiu: Dardan Velija largoi nga puna Mehmet Tinovën, vëllanë e dëshmorit Uran Tinova
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka thënë se Kryeshefi në Kompaninë e Menaxhim...
-
A thua çka po bisedon Peci me Kurtin?
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, në llogari...
-
FSK hap dyert për qytetarët, ju pret ta festoni Ditën e Forcës
Ministria e Mbrojtjes ka bërë thirrje për të gjithë qytetarët të bëhen pjesë ...
-
Hoti: Nuk lejojë të më njolloset emri
Koperativa Krusha dhe zonja Fahrije Hoti, sot kanë mbajtur një konferencë për...
-
Emocionon Fahrije Hoti: Asnjëherë si këtë vit nuk janë etiketuar gratë e Krushës, e lus ministrin të mos merret me ne
Fahrije Hoti, udhëheqëse e Kooperativës Krusha, në një konferencë për media k...
-
Fahrije Hoti: Si Kooperativë nuk jemi përkrahur asnjëherë nga Ministria e Bujqësisë që nga viti 2015
Fahrije Hoti udhëheqëse e Kooperativës Krusha ka folur pas reagimeve të shumt...
-
Rama: Për viktimat e dhụnës në familje, kemi krijuar programe të veçanta për mbrojtje dhe mbështetje financiare
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se Komuna e Prishtin...
-
Fahrije Hoti e demanton Faton Pecin që tha se ajo ishte paditur nga Memli Krasniqi sa ishte ministër i Bujqësisë
Fahrije Hoti, udhëheqëse e Kooperativës Krusha, ka demantuar ministrin e Bujq...
-
Nis procesi gjyqësor për zhdukjen e mjekut të UÇK-së, mungon pala e dyshuar
Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, po mbahet seanca e parë gjyqësore në ras...
-
Homologët parlamentarë mbajnë takim bilateral
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në një takim zy...
-
Në Speciale fillon dëshminë Halil Çadraku
Halil Qadraku është dëshmitari i ri i Prokurorisë, i cili filloi dhënien e dë...