Lajme

Tri postet kryesore në Kosovë mund të drejtohen nga ish-udhëheqës të UÇK

Autori: Gazeta inFokus 07:55 | 09 July 2017

Tri postet kryesore shtetërore në Kosovë si Presidenca, Qeveria dhe Parlamenti, për herë të parë që nga përfundimi i luftës, mund të jenë në duart e ish liderëve ushtarakë dhe politikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Aktualisht ish-lideri politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, prej më shumë se një vit mban postin e presidentit të Republikës së Kosovës, dhe duke u bazuar në rezultatin e zgjedhjeve të 11 qershorit, posti i kryeparlamentarit i takon koalicionit PAN, duke bërë të mundur që Kadri Veseli të marrë një mandat të ri si kryetar kuvendi. Edhe Veseli, ka qenë epror i lartë i UÇK-së gjatë luftës së viteve 1998-99.

Ndërsa ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, është zgjedhur nga koalicioni PAN për postin e kryeministrit. Drejtuesit e këtij koalicioni përsërisin vazhdimisht se i kanë siguruar votat e nevojshme për formimin e Qeverisë dhe Haradinaj do të jetë kryeministri i ri i Kosovës.

-Advertisement-

Prej përfundimit të luftës në vend nuk ka ndodhur asnjëherë që tre postet kryesore shtetërore të jenë drejtuar nga ish-udhëheqësit e UÇK-së.

Bashkimi i “Krahut të luftës” në koalicion parazgjedhor për zgjedhjet e 11 qershorit 2017 nga analistët politikë në Kosovë u komentua si “mburojë” për shkak të Gjykatës Speciale, e cila që nga kjo javë është plotësisht funksionale dhe mund të ngrejë aktakuzat e para.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Coffee Show B2B në Zagreb nga Devolli Corporation

Të tjera