Sport

Trepça në krizë, shikoni se çfarë ka bërë “Torcida”

Autori: Gazeta inFokus 18:02 | 25 April 2017

Kriza e thellë financiare e KB Trepçës i ka shtyrë tifozët e kësaj skuadre, “Torcida”, që në mënyrë vullnetare të tubojnë të holla aq sa kanë mundësi për t’i ndihmuar lojtarët e tyre.

Ata kanë publikuar një listë në të cilën shihet se kontribuuesit nuk kanë hezituar të ndihmojnë duke filluar nga 5 e deri në 300 euro, varësisht kush sa ka pasur mundësi.

Po ashtu, është publikuar edhe lista e basketbollistëve që janë ndihmuar e që shuma është tejet simbolike, 140-145 euro, shkruan sot gazeta Zëri.

-Advertisement-

“Duke e parë gjendjen e dobët financiare të KB Trepçës, ne ‘Torcida’ në bashkëpunim me disa bashkëqytetarë dhe dashamirë të basketbollit kemi ndërmarrë një iniciativë për mbledhjen e disa të hollave, që sadopak t’ua lehtësojmë përgjegjësitë kryesisë së klubit. Lojtarët tanë që i janë përgjigjur thirrjes sonë edhe më parë e kanë dëshmuar dashurinë për fanellën dhe klubin, të cilët edhe pse bëhej fjalë për shuma simbolike, ishin shumë falënderues ndaj kontribuuesve. Në mënyrë që të jemi më transparentë ndaj atyre që kontribuuan, ne i bëjmë publike edhe emrat e tyre dhe të lojtarëve përfitues”, thuhet në njoftimin e tifozëve të Trepçës.

Aksioni vazhdon

Të vetëdijshëm se kjo nuk është zgjidhja më e mirë, por si alternativë për ta zbutur krizën, organizatorët e kësaj nisme shpresojnë se aksioni do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“Jemi mbledhur një grup qytetarësh që ia duan të mirën Trepçës dhe për 4-5 ditë e kemi mbledhur këtë shumë (1065 euro). Këto mjete janë tubuar nga qytetarët e thjeshtë, pra nuk bëhet fjalë për biznese, përjashtuar ndonjë rast”, tregon Valon Peci, njëri nga organizatorët. “Mendojmë se kryesia e klubit nuk e ka kryer si duhet punën e saj dhe kjo nismë do të ishte mirë t’i vetëdijesonte ata. Përndryshe, ne e dimë se kjo nuk është zgjidhja më e mirë, por kemi dashur që sadopak ta ndihmojmë klubin tonë, e besoj që aksioni do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ne nuk jemi zyrtarisht pjesë e skuadrës, por do të përpiqemi të japim sadopak kontribut, por gjithsesi që zgjidhja e duhur është në duar të kryesisë, e cila duhet të punojë më tepër”, ka shtuar Peci.

Image

Nuk shihet përmirësimi i situatës

Gjendja e vështirë te Trepça është më se e dukshme, madje nuk shihet një përmirësim i shpejtë i saj.

Janë evidente pakënaqësitë dhe përçarjet në mesin e basketbollistëve dhe ato vërehen në lojë dhe në stërvitje, por ndasi ka edhe në mesin e anëtarëve të kryesisë.

Si pasojë e kësaj situate ka pasur bojkotim të stërvitjeve nga basketbollistët e huaj dhe nga trajneri Dimitrios Papadopoulos.

Situatën e vështirë e përshkruan edhe një zyrtar i Trepçës, i cili thekson se një kohë të gjatë gjendja nuk ka qenë kaq e keqe.

“Është shumë e vërtetë se Trepça gjendet në një situatë të vështirë. Gjërat janë komplikuar shumë dhe kjo shihet qartë. Ka pakënaqësi te basketbollistët, te shtabi teknik dhe te kryesia. Kështu nuk mund të vazhdohet gjatë, por realisht nuk shoh ndonjë përmirësim, së paku jo brenda një kohe të shkurtër”, ka thënë zyrtari i Trepçës. Madje, njerëz të afërt me klubin nuk e përjashtojnë mundësinë që situata e tillë është krijuar edhe për shkak të implikimit të politikës.

Aktualisht Trepça renditet në pozitën e katërt të Superligës, pas Sigal Prishtinës, Bashkimit dhe Pejës.

Edhe Peja në krizë

Krahas Trepçës, edhe Pejën e ka kapluar një krizë. Lojtarët kryesorë të ekipit nuk janë paraqitur në ndeshjen e fundit dhe pejanët rrezikojnë të mbeten duarthatë në fund të sezonit, pasi shumë shpejt pritet të nisin garat e “Play-Off”-it.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Nis bashkëpunimi serioz dhe strategjik midis Comodita dhe JYSK International
-Advertisement-

Të tjera