Lajme

“Transformimi i FSK-së në Ushtri të Kosovës mund të zgjasë shtatë vjet

Autori: Gazeta inFokus 17:55 | 23 October 2018

Forcës së Sigurisë së Kosovës i nevojiten të paktën shtatë vjet për të ngritur kapacitetet operacionale dhe për transformimin e saj në Ushtri të Kosovës. Kështu tha ish komandanti i FSK, gjeneral Kadri Kastrati.

Kastrati, në një intervistë për Radio Kosovën, ka thënë se vendimi i institucioneve të Kosovës për shndërrimin e FSK-së në ushtri, është bërë në koordinim me aleatët tanë.

Kuvendi i Kosovës ditë më parë ka miratuar në lexim të parë projektligjin për transformimin e FSK-së. Cili është komenti i juaj për këtë?

-Advertisement-

Kastrati: Unë mendoj se të gjithë qytetarët e Kosovës janë jashtëzakonisht të kënaqur, gjithashtu edhe unë si ish komandant i FSK-së, për arsye se është ngjarja më e rëndësishme pas 17 shkurtit 2008. Ashtu që ne me kalimin e këtyre tri projektligjeve në leximin e parë, faktikisht i kemi hap rrugë krijimit të Ushtrisë së Kosovës, dhe pres që pas 20 nëntorit do të kalohet edhe në leximin e dytë dhe FSK mund të ecë tutje me kapacitetet e veta ushtarake.

Forca e Sigurisë së Kosovës edhe gjatë kohës sa ju keni qenë komandant, në vitin 2013, zyrtarë të NATO-s patën thënë se FSK-ja ka plotësuar të gjitha kapacitetet. Tash, kur FSK të shndërrohet në ushtri, çfarë kapacitetesh duhet të plotësojë?

Kastrati: Fillimisht FSK i pati plotësuar kapacitetet e saja operacionale për misionin që e ka. Mirëpo tash me këto tri projektligje, më mirë të them me Ligjin për FSK-ën, në këtë ligj parashihet ndryshimi i misionit të FSK-së nga misioni gjysmë ushtarak, për arsye se misioni i FSK –së ka qenë civilo- ushtarak dhe tash me ligjin e ri do ta ketë misionin ushtarak. Çka do të thotë se misioni i Forcës së Sigurisë do të jetë mbrojtja e integritetit dhe sovranitetit të vendit, pjesëmarrja në misione paqeruajtëse dhe mbështetja e autoriteteve qendrore dhe lokale. Për t’i arritur të gjitha këto detyra normal që tash do të duhen edhe pajisje shtesë përfshirë edhe armatimin. Për atë arsye tash duhet ecur përpara, duhet të zhvillohet kjo forcë për t’i arritur ato kapacitete tash me misionin ushtarak.

Forca e Sigurisë së Kosovës ka dërguar në shkollim një numër të konsiderueshëm të oficerëve të saj. Sipas jush, a do të mjaftojë kjo dhe çka është parësore në këtë moment?

Kastrati: Forca e Sigurisë së Kosovës në vazhdimësi ka dërguar oficerë në shkollime dhe trajnime jashtë vendit. Forca e Sigurisë, unë tashmë nuk e kisha quajtur FSK por Ushtria e Kosovës, duhet t’i ketë pesë mijë ushtarë aktivë. FSK sot i ka 2 mijë e 200 ushtarë aktivë dhe 800 rezervë. Do të thotë, që ne si Kosovë dhe FSK në veçanti në shtatë vitet e ardhshme, sa nevojiten me i ngrit këto kapacitete, duhet të rekrutojmë pjesëtarë të rinj bazuar në planet e veprimit që ata kanë. Ngritja e kapaciteteve për çdo vit bazohet edhe në kapacitetet që ka tash për tash FSK. Kjo do të thotë se për çdo vit nga 300 ushtarë të rinj duhet rekrutuar, por edhe buxheti duhet të ndahet për këtë pjesë, për arsye se çdo ushtar që rekrutohet duhet t’i ketë pajisjet individuale, përkatësisht armatimin individual. Mirëpo tash duhet të blihet edhe armatim i nevojshëm për ta përmbushur këtë mision. E misioni do të jetë mbrojtja e kufijve. E për këtë do të ketë nevojë që forca ushtarake në të ardhmen të ketë armatim të sofistikuar.

Në cilat faza duhet të armatoset Forca Ushtarake, ne e dimë që FSK-ja është forcë e armatosur lehtë?

Kastrati: Faza e parë është paraparë që të jetë ristrukturimi. Ligji për Ministrinë e Mbrojtjes parasheh ristrukturimin e kësaj ministrie. Do të ketë strukturë të brendshme ndryshe prej asaj që ka sot. I nevojitet një kohë e caktuar, në vitin e parë them unë të ristrukturohet Ministria e Mbrojtjes dhe të ristrukturohet struktura e FSK-së. Kjo strukturë nuk përputhet me strukturën që është paraparë ta këtë ushtria. Pastaj janë edhe fazat e tjera, që janë paraparë qysh atëherë kur kam qenë unë komandant. Plani i veprimit apo plani i ngritjes së këtyre kapaciteteve siç është edhe blerja e armatimit. Ngritja e kapaciteteve ushtarake është paraparë të bëhet brenda planit dhjetëvjeçar. Mirëpo, ne jemi me vonesë, kjo është dashtë të ndodhë në vitin 2014 . Unë mendoj se FSK ka kapacitete të mjaftueshme infrastrukturore por edhe buxhetore që ky plan të mos zgjasë dhjetë vjet por të shkurtohet në shtatë vite.

Si do të ndikojë rishikimi i pozicionit të NATO-s karshi FSK-së pas ndryshimeve ligjore që u bën në Kuvend rreth kapaciteteve dhe mandatit të FSK-së, pasi që zyrtarë të NATO-s me herët kanë deklaruar se transformimi duhet të ndodhë përmes ndryshimeve kushtetuese?

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
EURO 2024 dhe Serie A, dy ekskluzivitetet absolute të Artmotion këtë vit

Të tjera