Lajme

“Tmerri” i Mynhenit dhe frika për t’u kthyer në Kosovë nga fletëarresti i Serbisë

Autori: Gazeta inFokus 19:22 | 03 December 2017

Ish-ushtari i UÇK-së dhe ish-polici i Kosovës, Bujar Bobani ishte tmerruar për gjashtë muaj nga autoritetet gjermane. Ai ishte arrestuar në vitin 2010 në Gjermani me fletëarrestin e lëshuar nga Serbia. Që nga ai vit, ai nuk ka vizituar asnjëherë më Kosovën për shkak të frikës se keqtrajtimi do t’i përsëritej përsëri.

“Tmerri” i Mynhenit dhe frika për t’u kthyer në Kosovë nga fletëarresti i Serbisë

Gjithçka kishte nisur në vitin 2010 kur Bujar Bobani, 43 vjeçar, një ish-ushtar i UÇK-së dhe ish-polic në Kosovë, kishte vendosur që pas pesë viteve në SHBA t’i vizitojë familjarët e tij në Kosovë. Por pa e ditur se në këtë udhëtim ai do ta përjetonte tmerrin më të madh të jetës së tij.

-Advertisement-

Bobani udhëtimin e kishte filluar nga Çikago së bashku me bashkëshorten e tij dhe fëmijën e sapo lindur. Nga Çikago zbarkuan në Mynhen për ta ndërruar aeroplanin që më pas të mbërrinte në Tiranë e nga aty në Kosovë.

Por, sapo kishte zbarkuar aeroplani në Mynhen ku gjendej Bobani dhe familja e tij, afër 15 policë kishin rrethuar aeroplanin për ta arrestuar Bujarin, pavarësisht se ai kishte një foshnje të sapo lindur në krah. Urdhri ishte dhënë nga Serbia, nën akuzat për krime lufte.

“Në Çikago kam hipur pa asnjë problem dhe në Gjermani, më saktësisht në Mynhen, është dashur ta ndërrojë aeroplanin. Aty nuk më kanë lejuar të shkojë as tek pasaportat. Më kanë prit diku rreth 15 policë, me kërkesën e Serbisë tek dera e aeroplanit, kur fëmijën tim disa muajsh e kam pas në krah”, rrëfen Bobani për Insajderin.

Bobani ka rrëfyer edhe për arrestimin nga policia gjermane.

“Policia më ka ndal dhe më ka pyet: ‘a je ti ky personi?’ dhe më ka treguar se ka një fletëarrest të INTERPOL-it të Serbisë sepse unë jam i akuzuar për krime lufte. Përgjigja ime ishte se ata kanë luftuar në Kosovë dhe unë nuk kam shkuar në Serbi për të luftuar, por kam luftuar në vendin tim. Mua mund të më arrestoj vendi im nëse ka diçka, por përse Serbia? Polici më është drejtuar duke më thënë se ti mirë e ki teknikisht, por Kosova ende i përket Serbisë”.

“Unë i tregova që kam qenë polic i Kosovës dhe nuk e kam ndërmend që të rezistojë. Mendova që do të më mbanin dy tri ditë si Ramush Haradinajn dhe Agim Çekun, por kisha harru që në Mynhen ata janë edhe si republikë në veti dhe kanë dallime nga Gjermania”, tregon Bobani.

Por rasti i njëjtë nuk kishte qenë edhe me Bobanin, ai atu ishte keqtrajtuar për gjashtë muaj, derisa lënda e tij ishte zhvendosur në Berlin.

“Unë kam qëndruar për gjashtë muaj në paraburgim derisa rastin e ka marrë Ministria e Drejtësisë në Berlin. Atëherë është mbajtur edhe një seancë dhe aty unë fitova: 60% kanë votuar për lirimin tim. Po, Mynheni ka vendosur dy herë që unë të ekstradohem në Serbi, aty kam pas frikë të madhe se munden me më dënuar pa asnjë bazë”, tregon ai. “Dhe duhet me i falënderu institucionet e Kosovës që kanë vrapuar shumë mas meje që të më lirojnë nga akuzat e pabaza. Unë kam thanë që nuk lëvizë tjetër kah se e kam ditur që më ndalin prapë dhe ja i ndodhi Ramushit në fillim të vitit”.

Bujar Bobani që nga koha ajo kohë tregon se nuk ishte kthyer asnjëherë në Kosovë, për shkak të frikës së tmerri i Mynhenit do t’i përsëritej në ndonjë vend tjetër të Evropës.

“Prej viti 2010 nuk kam shkuar në Kosovë, thjeshtë më është nevojitur me i nxjerr disa dokumente që nuk jam nën hetime dhe nuk më kërkon policia. Kam ardhur dhe jam kthyer përsëri në të njëjtën rrugë nga edhe kam ardhur, sepse e kam ditë që vendet tjera përsëri më kishin arrestuar”, ka treguar Bobani.

Por pavarësisht se tashmë janë anuluar të gjitha fletëarrestet e Serbisë për arrestimin e kosovarëve, Bobani vazhdon të mos e vizitoi Kosovën. Kjo për një shkak tjetër.

“Më nuk kam udhëtuar asnjëherë për shkak se kam pasur frikë shumë që më arrestojnë përsëri, sepse edhe policia e SHBA-ve më ka marrë në pyetje sepse dikush nga Serbia ka folur diçka dhe nuk shkojë më askund derisa ta bëhem nënshtetas i Amerikës. Edhe nëse i kam krejt dyert hapur nuk do të shkojë sepse unë kam pas shumë frikë, kam përjetuar tmerr gjashtë muaj burg në Gjermani nuk mundet me ditë askush çfarë ndjenje kam pasur sepse e dija që me më dërguar në Serbi çka më pret”, ka thënë Bobani për Insajderin.

Zyrtarë të lartë të shtetit të Kosovës, ishin arrestuar më parë nga fletëarrestet e lëshuara nga Serbia. Derisa në fillim të këtij viti, Ramush Haradinaj ishte ndaluar në Francë ku kishte qëndruar për gati 4 muaj në paraburgim.

INTERPOL-i që nga dje ka fshirë nga lista të gjitha kërkesat e Serbisë për arrestimin e kosovarëve nën akuzat për krime lufte.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fillon aplikimi për Global Engineer Girls Kosova
-Advertisement-

Të tjera