Lajme

Tirana, qyteti i parë në Ballkan që sjell sistemin e biçikletave pa stacion “Mobike”

Autori: Gazeta inFokus 17:24 | 03 June 2018

Kompania “Mobike”, e cila zbaton me sukses në shumë qytete të mëdha të botës, sistemin e biçikletave pa stacion, një mënyrë ekologjike dhe inovative për të lëvizur në qytet, këtë javë do të nisë zyrtarisht edhe në Tiranë.

Në Ditën Botërore të Biçikletave, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe drejtori i “Mobike”, Massimiliano Rubin, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit që sjell në Tiranë 4 mijë biçikleta “Mobike”.

Bashkë me aktivistët e EcoVolis, ata testuan mënyrën e funksionimit të biçikletave të para të ardhura në kryeqytet, ndërsa Veliaj lajmëroi se nga java tjetër në rrugët e Tiranës do të shohim me qindra biçikleta ngjyrë portokalli “Mobike”.

-Advertisement-

Kryetari Veliaj tha se ardhja e biçikletave do të sjellë një ndryshim të vërtetë në Tiranë. Kjo e rendit Tiranën si qyteti i parë në Ballkan që fut një koncept të tillë të lëvizjes së qytetarëve.

“Me ardhjen e Mobike bëhemi qyteti i parë në Ballkan që fusim sistemin e biçikletave pa stacion. Pra, secili me celularin e vet, shkarkon aplikacionin dhe duke skanuar barkodin e biçikletës, mund ta përdorë atë. Gjatë kësaj jave do të bëjmë disa testime, kurse nisjen zyrtare e kemi në datën 8 qershor. Për të gjithë ata që kanë pritur që teknologjia dhe mobiliteti të transformojnë Tiranën, ka ardhur dita. Ky është momenti ynë për të transformuar Tiranën me një celular dhe një biçikletë”, tha Veliaj.

Aktivisti Ened Mato do të ndjekë ecurinë e sistemit “Bike Share” në Tiranë, tashmë si kryebashkiak i Biçikletave. Gjithashtu, do të mbikëqyrë edhe zgjerimin e rrjetit të korsive të dedikuara për çiklistët, si dhe promovimin e biçikletës tek të rinjtë, si mjeti më i mirë për të lëvizur në një qytet si Tirana.

“Qyteti ynë ka vetëm një shpëtim: duhet të përqafojmë biçikletën, nuk mund të jemi robër të makinës. Ndaj, dua t’i uroj Enedit mirë se erdhe në skuadër dhe shumë suksese në këtë sfidë të jashtëzakonshme, të cilën mund ta fitojmë të gjithë bashkë”, tha Veliaj.

Ndërsa, përfaqësuesi i Mobike, Massimiliano Rubin, u shpreh i lumtur për përfundimin me sukses të këtij projekti, i cili e rendit Tiranën krah qyteteve me zhvillim më të madh dhe në thelb ka ruajtjen e natyrës.

“Është gëzim i madh për ne që ia dolëm të sillnim biçikletat “Mobike” këtu. Faleminderit kryetarit, stafit të tij që kanë punuar për të mbështetur projektin që synon të “gjelbrën”, që e prezanton Tiranën si një qytet që po zhvillohet gjithnjë e më shumë, si një qytet inovativ dhe ‘green’”, tha Rubin.

Ndryshe, Mobike është një kompani, e cila në Shqipëri do të operojë si një bashkëpunim kinezo-italian.

Për të përdorur biçikletat pa stacion duhet shkarkuar aplikacionin “Mobike” në telefon. Regjistrohuni me numrin tuaj të telefonit dhe zgjidhni në hartë biçikletën më të afërt. Më pas, me anë të telefonit, bëni skanimin e “barcode” të biçikletës dhe nga ky moment mund ta përdorni atë në qytetin e Tiranës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin
-Advertisement-

Të tjera