Lajme

Themelimi i Asociacionit- Nëse Qeveria nuk i kupton qartë kërkesat e ndërkombëtarëve, eskalimi në veri është i mundshëm

Autori: Gazeta inFokus 20:45 | 13 December 2022

Vizitat në Kosovë të Emisarëve specialë të SHBA-së dhe BE-së, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak, analistët po i shohin të duhura për një situatë të tensionuar në Veri të Kosovës.

Në një prononcim për GazetaBlic, analisti Arton Demhasaj thotë se mesazhet e të dy emisarëve në takimin me kryministrin Kurti, ishin të qarta. Pra, ata kërkuan heqjen e barrikadave dhe vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Mesazhet janë të qarta, ata që i kanë vendosur barrikadat duhet t’i largojnë menjëherë. Ky ishte mesazhi i Escobarit, që njëkohësisht bëri me dije që duhet të ulemi për dialog. Mbetet për t’u parë se sa reflekton kjo tek pala serbe”, tha Demhasaj.

-Advertisement-

Demhasaj thotë se Qeveria e Kosovës e ka të prerë vendimin për mos-themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, por sipas tij duhet të presim nëse pala serbe do të ndryshojë qëndrim në lidhje me këtë çështje.

“Një mesazh tjetër shumë i qartë, që në njëfarë mënyre ishte edhe kusht nga serbët, pra të fillojnë procedurat për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Pas këtyre vizitave nga emisari i SHBA-ve dhe BE-së, mbetet për t’u parë nëse serbët do të ndryshojnë qëndrimet e tyre, sepse Qeveria e Kosovës e ka të prerë qëndrimin për mos-themelimin e Asociacionit”, tha Demhasaj.

Njohësi i çështjeve politike, Dritëro Arifi thotë se Qeveria e Kosovës duhet të zbatojë ‘urdhërat’ e partnerëve ndërkombëtar, ku këtu përfshihet edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Pas këtij takimi trepalësh, është tashmë e qartë që për heqjen e barrikdave duhet të bëhet marrëveshje politike dhe duhet formimi i Asociacionit. Shteti i Kosovës duhet t’i zbatojë zotimet karshi partnerëve tanë. Pra, ata po kërkojnë na Kosova për të qenë në koordinim me politikat e jashtme të SHBA-ve dhe BE-së”, tha Arifi.

Arifi për GazetaBlic shton se, nëse Qeveria e Kosovës nuk i kupton qartë kërkesat e partnerëve, do të ketë eskalim të situatës në veri të vendit.

Arifi shtoi se veprimet e fundit të Qeverisë ishin të matura.

“Nëse edhe këtë Qeveria nuk e kupton, atëherë mund të kemi eskalim të situatë. Por, nëse Qeveria tregohet e matur, siç u tregua në kohën e fundit, kjo çështje do të zgjidhet jo shumë lehtë, por të paktën pa ndonjë sekuencë negative për Kosovën”, përfundon Arifi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNICEF-i global boton artikull për rezultatet e partneritetit me Devolli Corporation: U fuqizuan gratë, përfituan familjet
-Advertisement-

Të tjera