Lajme

Thaçi: Kërcënim për paqen dhe sigurinë në Ballkan janë bazat ruse në Serbi, e jo Ushtria e Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 11:06 | 13 June 2017

Në një intervistë për mediumin kroat Vecernji List, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka folur për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë dhe tensionet e mundshme mes dy vendeve pas zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, si dhe në marrëdhëniet me Kroacinë.

Ndër tjerash, siç shkruan ky medium, përcjell Telegrafi, presidenti Thaçi ka komentuar mbi rolin e Rusisë në Kosovë, por edhe në rajon.

Po ashtu, Thaçi, ndër tjerash ka folur edhe për përcaktimin e Kosovës në luftën kundër radikalizmit islamik dhe terrorizmit.

-Advertisement-

“Kosova ka krijuar një kulturë politike me organizimin shumë të mirë të zgjedhjeve, të cilat janë pranuar nga të gjitha partitë politike dhe bashkësia ndërkombëtare. Dhe në këtë fushatë zgjedhore, të gjitha partitë politike kanë treguar një kulturë të lartë të debatit, në bazë të programeve dhe ofertës konkrete. Pa marrë parasysh se kush do të formojë qeverinë pas zgjedhjeve, ajo që ne tani e dimë është se ajo do të jetë qeveri e drejtuar drejt NATO-s dhe BE-së, i cili është i vetmi orientim i qytetarëve dhe politikanëve në Kosovë”.

Ndërkaq sa i përket marrëdhënieve me Serbinë, Thaçi ka thënë se Kosova dhe Serbia janë dy shtete të pavarura.

“Për pesë vjet zhvillojmë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona. Në vitin 2013, kemi arritur marrëveshjen e parë për zgjidhjen e paqes e mosmarrëveshjeve midis nesh, pas një shekulli të tërë të konfliktit. Dialogu mes dy vendeve tona nuk ka alternativë”, citohet të ketë thënë Thaçi.

Gjithsesi, sipas tij, veprimet e pamatura, të tilla si ai me trenin dhe ai me murin në Mitrovicë, nuk ekzistojnë më.

“Sa për ushtrinë, secili shtet i pavarur ka ushtrinë e vet. Dhe Kosova do të ketë ushtrinë e vet, e cila do të jetë forcë profesionale sipas standardeve të NATO-s, forcë multietnike në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Forcat e Armatosura të Kosovës do të kontribuojë në forcimin e paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin e Evropës Juglindore. Në fakt, një kërcënim për paqen dhe sigurinë në Ballkan, janë bazat ruse në Serbi”, ka thënë ndër tjerash presidenti Thaçi për Vecernji list.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Thyhet REKORDI I ZBRITJEVE!
-Advertisement-

Të tjera