Lajme

Thaçi: Edhe Sllovakia, Çekia, Holanda e Belgjika i kanë korrigjuar kufijtë

Autori: Gazeta inFokus 21:52 | 20 September 2018

Presidenti Thaçi ka thënë se po vepron dhe është në bashkërendim të plotë me partnerët ndërkombëtarë për arritjen e marrëveshjes paqësore me Serbinë.

“Është jashtëzakonisht inkurajues qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që na ka krijuar aftësinë për të diskutuar për korrigjimin e kufijve, siç është inkurajues edhe mesazhi mbështetës i z. Bolton. E di se ka pasur opinione të ndryshme, se ai është një qëndrim personal i z. Bolton, por ajo që mund t’ju them është se tani qëndrimi është i qartë, edhe i SHBA-së edhe i BE-së, por edhe i Parlamentit Evropian, që të shtyhet ky proces përpara dhe të krijohen mundësitë për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, duke përfshirë edhe korrigjimin e kufijve. Ky është një rast, një shans, të cilin duhet ta shfrytëzojmë. Jo çdoherë Uashingtoni, Bashkimi Evropian janë të fokusuar për Kosovën, për Serbinë apo për Ballkanin. Përfundimisht mendoj se nëse arrijmë marrëveshje, atëherë do të hapet një perspektivë e jashtëzakonshme për Kosovën, por natyrisht se do të hapet perspektiva evropiane edhe për Serbinë”, ka thënë Thaçi.

Presidenti ka thënë se po ekzagjerohen situata krejtësisht të paqena dhe pretendohet të fiksohen disa gjëra që nuk qëndrojnë për rajonin.

-Advertisement-

“Ne e mbështesim Maqedoninë për në NATO, por është inkurajuese edhe mbështetja e Maqedonisë për procesin e negociatave dhe mundësinë e arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi. Ka pasur zhurma të ndryshme dhe sa i përket marrëveshjes Maqedoni-Greqi. Liderët duhet që, përkundër disa opinioneve të ndryshme reaguese, të dalin në interes të vendit për të arritur marrëveshje. Sikur të pyetej e gjithë bota greke apo ajo maqedone, kurrë nuk do të arrihej marrëveshja Maqedoni-Greqi. Por, dy liderët morën një vendim historik dhe të rëndësishëm, në veçanti për Maqedoninë”, ka thënë Thaçi.

Kurse, analisti Arjan Vasjari ka thënë se teza e korrigjimit të kufijve është një tezë autentike serbe që nga Qosiq. Por, presidentit Thaçi ka thënë se nuk mund të thuhet që bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën është një ide serbe.

“Ju drejtohem edhe si mik, ma gjeni vetëm në një vend të shkruar prej ideologëve serbë për ndarjen e Kosovës, që e kanë pasur e që përmendet dikund korrigjimi i kufirit”, i është kundërpërgjigjur Thaçi atij.

Vasjari ka shtuar se koncepti “korrigjim kufijsh” lidhet tipikisht me organizimet politike të konsoliduara, që do të thotë shtetet, por për Serbinë, Kosova ende nuk është shtet.

“Qosiq dhe Daçiq kanë folur gjithnjë për ndarje. Bëje dallimin mes ndarjes në njërën anë, ndaj së cilës jam kategorikisht kundër dhe që nuk e kam lejuar kurrë, dhe korrigjimit të kufirit në anën tjetër. E di se ideja ime për korrigjimin e kufirit nuk është ide shumë populiste. Por, ajo është e qartë: në procesin e negociatave do të përfshihet dhe korrigjimi i kufirit, që Lugina e Preshevës, pra Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, të përfshihen në territorin e Kosovës. Kjo është e tëra për sa i përket idesë sime. Kush flet për ndarje, shkëmbim, “Repubika Srpska”, ato janë ide serbe. Ato janë ide të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë. Ato janë ide të shtetit dhe Qeverisë së Serbisë. Unë nuk barti ide serbe, as në Shqipëri as në Kosovë. Unë barti dhe përfaqësoj vetëm interesin e qytetarëve të Kosovës dhe të Luginës së Preshevës. Kush dëshiron të flas për ndarje, nuk ulet me mua në tavolinë. Kush dëshiron të flas për Asociacion apo Ahtisaari +, nuk ulet me mua në tavolinë. Prandaj, unë jam për korrigjim historik, se Presheva, Medvegja dhe Bujanoci duhet të jenë me Kosovën. Kaq. Unë besoj se do të bind edhe faktorin ndërkombëtar të mbështesë këtë projekt. Ne në tavolinë me Serbinë ulemi si dy vende të barabarta”, i është përgjigjur Thaçi, duke shtuar se korrigjime kanë ndodhur dhe nuk do të ndodhin për herë të parë në botë në rastin e Kosovës dhe Serbisë.

“Korrigjimi ka ndodhur edhe në Sllovaki dhe në Republikën Çeke. Ka ndodhur edhe në Holandë e Belgjikë, dy vjet më parë”, ka thënë Thaçi, sipas të të cilit, Serbia nuk e njeh Kosovën pa dialog, pa negociata dhe pa marrëveshje.

Kushdo që mendon se vetëm Serbia fiton nga dialogu, kjo është më tepër se naive sipas presidentit Thaçi, madje është edhe e rrezikshme, sepse përhap dezinformatë dhe opinion të rremë tek njerëzit.

“I besoj këtij procesi, i besoj korrigjimit të kufirit dhe pothuajse jam i bindur se do të ndodhë, pavarësisht zërave të shkëputur dhe të izoluar, nëse SHBA dhe BE vazhdojnë të jenë unik në këtë qëndrim dhe natyrisht, nëse shkon sipas planit. Në asnjë rrethanë dhe me asnjë çmim, në asnjë kohë dhe në asnjë formë, as Ujmani, as veriu i Mitrovicës dhe as Trepça, në asnjë rrethanë nuk do të kontestohen, në kuptimin se a janë apo nuk janë të Kosovës. Të gjitha këto janë dezinformata. Ato janë asete të Kosovës, janë territor i Kosovës, por Presheva, Medvegja e Bujanoci do t’i bashkohen Kosovës. Ky është qëndrimi im. Kush flet për ndarje të mos flas me mua.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Comodita në Las Vegas Market prezanton linjat e reja të dyshekëve për tregun amerikan
-Advertisement-

Të tjera