Lajme

Telekomi përshëndet vendimin e MD-së për suspendimin e përmbaruesit privat, Ilir Mullhaxha

Autori: Gazeta inFokus 17:47 | 08 December 2022

Telekomi i Kosovës është njoftuar me vendimin e Ministrisë së Drejtësisë të datës 06.12.2022, për inicimin e procedurës disiplinore dhe për suspendimin e përmbaruesit privat Ilir Mullhaxha nga ushtrimi i funksionit të përmbaruesit privat, deri në një vendim të Komisionit Disiplinor.

Sipas njoftimit për media Telekomi i Kosovës, si propozues i kësaj procedure, “e përshëndet këtë vendim të Ministrisë së Drejtësisë, dhe njëherazi me të drejtë pret që ky përmbarues të shkarkohet nga detyra për shkeljet e bëra në çështjen përmbarimore P.nr.491/19,  në të cilën procedurë palë debitore është Telekomi i Kosovës Sh.A”.

“Telekomi i Kosovës edhe një herë e informon publikun se tashmë Gjykata Kushtetuese e Kosovës, me aktgjykimin KI84/21, ka konstatuar shkeljet serioze në dëm të debitorit Telekomi, duke përfshirë procedurën përmbarimore dhe gjyqësore, e të cilat kanë rezultuar në dëme milionëshe kundër pasurisë publike të Telekomit të Kosovës si ndërmarrje publike”, thuhet në njoftimin për media.

-Advertisement-

Pas kthimit të rastit në rigjykim nga Gjykata Kushtetuese, në aktvendimin e Gjykatës Komerciale është vërtetuar fakti që përmbaruesi ka përfshirë në urdhër përmbarimor shuma që tejkalojnë vlerën e paraparë në Vendimin e Arbitrazhit.

Pra, është i pakontestueshëm fakti që përmbaruesi në urdhrin përmbarimor ka përfshirë shuma prej miliona euro përtej dokumentit përmbarimor (Vendimi i Arbitrazhit).

Andaj ky vendim i Ministrisë, sipas Telekomit “edhe pse i përkohshëm, është një hap pozitiv në drejtim të vënies së ligjshmërisë në kuadër të institucioneve të cilat kanë autorizime publike. Telekomi i Kosovës ka pritje që sistemi gjyqësor dhe prokurorial do të ushtrojnë kompetencat e tyre dhe ndërmarrin hapat e nevojshëm të vendosjes së drejtësisë dhe sqarimit të plotë të dëmeve dhe zhvatjeve, të cilat i janë shkaktuar pasurisë publike të Telekomit, në kuadër të rasteve që veçse janë iniciuar”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shijoni eksperiencën e re të blerjes në Meridian Express x EXFIS!

Të tjera