Lajme

Të rinj rusë kërkojnë strehim në Mal të Zi

Autori: Gazeta inFokus 07:55 | 28 September 2022

Në Rusi vazhdon mobilizimi i rezervistëve, ndërsa mijëra meshkuj në përpjekje për të shmangur rekrutimin, po ikin drejt aeroporteve dhe pikave kufitare tokësore. Ndërkaq disa turistë rusë në Mal të Zi kanë vendosur të mos kthehen më në Rusi, pasi nuk pajtohen me vendimin e presidentit rus, Vladimir Putin.

Këta burra në qytetin rus Perm, janë disa prej 300 mijë rezervistëve që presidenti Vladimir Putin ka vendosur të mobilizojë për luftën në Ukrainë.

Në Rusi, pothuajse çdo burrë deri në moshën 65 vjeçare konsiderohet i aftë për t’u mobilizuar.

-Advertisement-

Disa rekrutë u thanë mediave ndërkombëtare se nuk u është dhënë asnjë mundësi të shmangin mobilizimin.

“Nuk ka zgjidhje. Shkuarja është e detyrueshme. Nëse nuk shkoni, do burgoseni. Dhe unë nuk dua të futem në burg”, thotë Aleksandër, njëri nga rekrutët rus.

Kriteri kryesor për mobilizim është përvoja e mëparshme luftarake ose shërbimi ushtarak.

“Në punë, më thirrën në departamentin e Burimeve Njerëzore dhe më dhanë thirrjen, duke thënë se po na mbledhin për një stërvitje ushtarake. Më pas doli që nuk ishte stërvitje. U mashtruam”, thotë rekruti 33 vjeçar, Yevgeny

Në ditët e fundit, mijëra burra në moshë ushtrie janë dyndur në aeroporte dhe pika kufitare tokësore të Rusisë në një përpjekje për të shmangur mobilizimin. Një numër i madh rusësh nxituan të rezervojnë bileta një-drejtimshe për të ikur nga vendi, ndërsa të tjerë që ishin jashtë Rusisë vendosën të mos kthehen.

Çifti rus, Alexander dhe Svetlana kanë vendosur të qëndrojnë në Budva të Malit të Zi, pasi njoftimit për mobilizim të pjesshëm të popullsisë.

“Nuk kishte kuptim të ktheheshim, dua të jetoj, nuk dua të shkoj në luftë, kjo nuk është lufta jonë, ne nuk po mbrojmë atdheun tonë, ne po sulmojmë fqinjët tanë, vëllezërit tanë, po përpiqemi të pushtojmë territore që nuk na përkasin ne dhe që nuk na duhen. Unë nuk do të luftoj, e lëre më të vdes për të”, thotë turisti rus Alexander.

Çifti rus thotë se do të shesë gjithçka që zotërojnë në Rusi dhe me paratë do fillojnë një biznes në Mal të Zi.

“Ne nuk kemi frikë nga puna, ne kishim firmën tonë në Moskë, në rajonin e Bryanskut. Ne bënim biznes me qumësht dhe mish, kështu që kemi përvojë të madhe në hortikulturë, kemi njohuri edhe me inxhinierinë e ndërtimit, do të mendojmë diçka dhe do ia dalim”, thotë Svetlana.

Alexandri dhe Svetlana thonë se e dinë sa vështirë është të nisesh një jetë të re në një vend të huaj, por megjithatë çdo përvojë është më e mirë se sa kthimi në Rusi.

“Ne nuk kemi frikë”, thotë Alexandri ndërsa partnerja e tij Svetlana reagon me habi: “nuk kemi frikë?”

“Kemi frikë, ne do provojmë t’ia dalim. Sidoqoftë, është më mirë se sa të kthehemi në Rusi”, thotë Alexander.

Maximi është një tjetër turist rus që ka vendosur të mos kthehet në Rusi pasi tani e ka marrë urdhërin për mobilizim. Ai nuk pranoi të zbulojë identitetin e tij.

“Shumë nga kolegët e mi tek institucioni ku punoja dhe vende të tjera gjithashtu kanë marrë fletëthirrje që në ditën e parë. Disa janë edhe më të vjetër se unë, ata ka kohë që nuk janë aq të shëndetshëm për të shkuar në luftë dhe pavarësisht kësaj ata morën thirrje që në ditën e parë”, thotë Maximi.

Këta turistë rus thonë se shumë miq të tyre janë larguar nga Rusia, ndërsa jo pak prej tyre që tani kanë arritur në Turqi, Taxhikistan, Gjeorgji dhe vende të tjera janë rrugës për në Mal të Zi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Las Vegas Market prezanton linjat e reja të dyshekëve për tregun amerikan
-Advertisement-

Të tjera