Lajme

Të pasurit dhe të varfëritë e PSD-së

Autori: Gazeta inFokus 10:23 | 22 May 2018

Disa kanë mijëra euro para të gatshme në banka, të tjerë janë borxh deri në “fyt”. Madje, ka prej tyre që nuk kanë as shtëpi e as banesë, por banojnë me qira. Por, asnjëri nuk ka të hyra vjetore më pak se 10 mijë euro.

Kaq është standardi i jetesës që kanë 12 deputetët e dorëhequr të Lëvizjes Vetëvendosje, tani anëtarë të Partisë Socialdemokrate, në krye me Shpend Ahmeti, shkruan Infokusi.

-Advertisement-

Ai thotë se nuk ka as shtëpi as banesë në pronësi të tij. Por, Ahmeti banon në shtëpinë e të vëllait në një nga lagjet më luksoze të kryeqytetit.

Derisa ka deklaruar se ka vetëm një veturë si pasuri të luajtshme që kap shifrën prej 10 mijë euro, e që këtë thotë se e ka blerë me të hyrat nga paga.

Në regjistrin për deklarimin e pasurisë, Ahmeti ka deklaruar se ka para të gatshme në banka 2 mijë e 500 euro, ndërsa 2 mijë e 300 euro i ka bashkëshortja e tij, shkruan Infokusi.

Në shumë thuajse të njëjtë aq sa ka para të gatshme, ka edhe kredinë. 2 mijë e 300 euro është shuma që Ahmeti u ka borxh bankave.

Të hyrat vjetore të tij sillen rreth 17 mijë e 378 euro, ndërsa të bashkëshortes 8 mijë e 400 euro.

Ymeri 52 mijë euro në banka

Ish- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje e tani nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri po del të ketë kogja pasuri.

Ymeri  ka deklaruar se ka banesë në pronësi të tij dy banesa, njëra që kushton 80 mijë euro e tjetra 55 mijë euro, garazhë për veturë në vlerë 10 mijë euro e shesh ndërtimi 55 mijë euro. Të gjitha këto në regjistrin e pasurisë, ai ka deklaruar se i ka blerë pas shitjes së parcelave të pronave apo pyjore, shkruan Infokusi.

Ymeri ka deklaruar edhe dy vetura, njëra e tij e tjetra e bashkëshortes. Por, që të dyja i kanë blerë me kredi. Njëra është e tipit Opel Zafira në shumë prej 7 mijë eurove, dhe një tjetër Mini Coper prej 4 mijë eurove.

Ai posedon 50 për qind aksione në shoqërinë komerciale “Bagatella”, ndërsa ka edhe para të gatshme në banka në vlerë prej 52 mijë e 273 euro.

As Ymerit nuk i mungon kredia. 13 mijë e 823 euro është shuma e parave që ai u ka borxh bankave, ndërsa edhe 3 mijë e 360 euro të tjera janë kredi në emër të bashkëshortes, shkruan Infokusi.

Të hyrat vjetore të tij sillen rreth 18 mijë e 626 euro, ndërsa bashkëshortja ka të hyra prej 8 mijë e 452 euro në vit.

Pasuria e Aida Dërgutit

E sekretarja e PSD-së, Aida Dërguti po del të ketë kogja pasuri të paluajtshme.

Dy banesa, lokal, shtëpi e tokë bujqësore i ka deklaruar ajo në Regjistrin për deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Por, vetëm njëra prej banesave e ka në pronësi të vet, ndërsa të tjerat janë në pronësi të përbashkët, shkruan Infokusi.

Dërguti ka banesë në vlerë prej 38 mijë euro, banesë tjetër në pronësi të përbashkët në vlerë prej 32 mijë euro, lokal dhe tokë që kapin shumën prej 50 mijë euro, shtëpi dhe tokë bujqësore që sillen rreth 150 mijë euro, si dhe tokë bujqësore në shumë prej 2 mijë e 500 euro.

Por, banesën që është në pronësi të saj, Dërguti e ka blerë me kredi. 25 mijë e 660 euro është kredia që ka marrë për banesë, ndërsa ka edhe 5 mijë e 12 euro të tjera kredi, shkruan Infokusi.

Ka të hyra vjetore prej 30 mijë e 905 euro, si deputet e Kuvendit dhe mëditjet që merr nga po ky institucion. Gjersa merr edhe 840 euro në vit, si alimentacion.

Gjatë 2017-ës Dërguti ka deklaruar se nga paga e saj i ka transferuar 9 mijë e 756 euro, për tre aktivistë.

Dukagjin Gorani i ka të paluara 67 mijë euro në bankë

Anëtari tjetër i kësaj partie, Dukagjin Gorani ka shtëpi familjare të ndërtuar që prej vitit 1963, e që kap vlerën prej 250 mijë eurove, shkruan Infokusi.

Gjersa ka edhe një veturë personale në vlerë prej 3 mijë eurove , ndërsa vetura e bashkëshortes së tij kushton 7 mijë euro.

Gorani ka para të gatshme në banka në vlerë prej 67 mijë eurove, dhe nuk ka kredi, shkruan Infokusi.

Të hyrat e tij vjetore për vitin 2016 ishin 10 mijë euro, e po kaq të hyra ka edhe bashkëshortja e tij. Ndërsa, të hyrat e prindërve të tij janë 1680 euro, si pensione.

Sejdiu “modest” i PSD-së

Kryetari i grupit parlamentar i PSD-së, Dardan Sejdiu duket se është gogja i pasur si socialdemokrat që është. ai ka në pronësi të tij një shtëpi 182 metra katrorë që vlen 150 mijë euro. Ndërkaq, prindi i tij një banesë 67 metra katrorë në vlerë 85 mijë euro, shkruan Infokusi.

E tërë familja e tij, në bazë të deklarimit kanë të deponuara në bankë afro 50 mijë euro. Megjithatë Sejdiu ka dy kredi në vlerë 27 mijë euro.

Deputetja pa veturë

Shtëpi me kopsht që kushton 150 mijë euro, banesë në vlerë 39 mijë euro, truall e mal është kjo pasuria e përbashkët e deputetes Besa Baftiu. Ajo në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit shihet se të gjitha i ka trashëguar ose blerë me para të përbashkëta me bashkëshortin e saj.

Baftiu sipas deklarimit, nuk ka as veturë personale, por ka paraqitur një veturë në vlerë 5 mijë euro në pronësi të bashkëshortit të saj, shkruan Infokusi.

Të hyrat e saj vjetore janë rreth 19 mijë euro nga Kuvendi i Kosovës dhe rreth 5 mijë euro të bashkëshortit, i cili punon në Kuvendin Komunal në Gjilan.

nga të gjitha këto të hyra, Baftiu ka të kursyera në bankë vetëm rreth 2 mijë euro.

Pasuria e Driton Çaushit

Driton Çaushi ka deklaruar pasuri të paluajtshme në vlerë prej qindra mijëra euro, por që të gjitha janë në pronësi të prindit të tij.

Çaushi ne regjistrin e pasurisë ka deklaruar se ka shtëpi në vlerë prej 80 mijë eurove, oborr në vlerë prej 50 mijë eurove, banesë që kap shumën 60 mijë eurove, banesë tjetër që kushton 20 mijë euro,  tokë në vlerë 20 mijë euro dhe një lokal, që kap shumën prej 5 mijë euro, shkruan Infokusi.

Gjersa në pronësi të tij, Çaushi ka deklaruar se ka vetëm një veture e edhe atë e ka blerë me kursime të familjes. 5 mijë euro kushton vetura e tij.

Para të gatshme në bankë ka deklaruar se ka 5 mijë e 681 euro, ndërsa prindi i tij ka para të gatshme në banke në shumë prej 2 mijë e 900 euro, shkruan Infokusi.

Të hyrat e tij vjetore si deputet dhe asistent në Universitetin e Prishtinës, sillen 15 mijë e 945 euro. Gjersa, prindi i tij ka të hyra vjetore në shumë prej 4 mijë e 284 euro.

3 mijë eurot e Molliqajt

Më i zëshmi i socialdemokratëve, Dardan Molliqaj ka deklaruar se ka shtëpi në vlerë prej 60 mijë euro dhe një truall vlera e të cilit sillet rreth 45 mijë euro. Por, edhe shtëpia edhe trualli janë në pronësi të prindit të tij, shkruan Infokusi.

Molliqaj ka para të gatshme në bankë në shumë prej 3 mijë e 606 euro, ndërsa nuk ka detyrime financiare.

Pantina me banesë 65 metra katrorë

Deputetja Shqipe Pantina, nuk qëndron keq për nga pasuria. Sipas deklarimit në Agjencinë Kundër Korrupsionit, ajo posedon një banesë në vlerë 70 mijë euro, të cilën e ka blerë nga kursimet dhe kredia. Përveç kësaj, Pantina ka deklaruar si pasuri të përbashkët një shtëpi në vlerë 50 mijë euro, një hektarë truall në vlerë 30 mijë euro dhe 50 ari mal që vlerësohet 5 mijë euro.

Deputetja e PSD-së, ka në pronësi edhe një veturë, të cilën deklaron se e ka blerë 4 mijë euro, ndërsa i ka të deponuara në bankë rreth 6 mijë euro, shkruan Infokusi.

Ajo, nga të hyrat si deputete e Kuvendit të Kosovës merr 19 mijë euro në vit dhe nga kjo shumë paguan një asistent rreth 5 mijë euro në vit.

“Milioneri” Fisnik Ismajli

Deputeti Fisnik Ismajli ka në pronësi një banesë në vlerë prej 40 mijë euro që e ka trashëguar dhe një tjetër banesë në vlerë prej 60 mijë euro për të cilën ka deklaruar se  e ka blerë

Në regjistrin e pasurisë që u publikua në 2017-ën, Ismajli ka deklaruar se ka një veturë Audi A6, që kushton 15 mijë euro. Mobilet dhe orendit e tij kapin vlerën 13 mijë euro e teknikë që kushton 11 mijë euro, shkruan Infokusi.

Ka 100 për qind aksione në shoqërinë komerciale Karrota ADS SHPK që kapital 700 mijë euro. Gjersa shuma e parave që ka deklaruar se  kishte në Bankë është 1 mijë e 300 euro.

Por, Ismajli ka edhe edhe kredi në vlerë prej 31 mijë eurove. 15 mijë e 500 për blerje të banesës e 15 mijë e 500 euro të tjera për blerje të veturës, shkruan Infokusi.

Të hyrat e tij vjetore kapin shifrën prej 25 mijë e 859 eurove. 20 mijë e 859 si deputet i Kuvendit dhe 5 mijë të tjera si ligjërues në Kolegjin AAB. Të hyrat e bashkëshortes janë 12 mijë e 471 euro

Ndërsa,  nga Kompania KARROTA ADS kishte deklaruar se merr 10 mijë euro profit.

5 traktorët e Salih Salihut

Deputeti i Kuvenditë të Kosovës, tani nga PSD, Salih Salihu ka dy banesa, njëra në vlerë 130 mijë euro e tjetra kushton 200 mijë euro. Por, përveç këtyre, Salihu ka deklaruar edhe shtëpi, truall e tokë bujqësore, por që janë në pronësi të përbashkët.

Salihu ka në pronësi të përbashkët të paluajtshme me prindërit e vëllezërit e tij, vlera e të cilës është 100 mijë euro, e toka në vlerë prej 742 mijë euro, qoftë truall apo tokë bujqësore, si dhe një objekt banimi të pa përfunduar në vlerë prej 400 mijë euro, shkruan Infokusi.

Ka veturë personale që kushton 7 mijë euro, gjersa ka deklaruar se prindi i tij ka poashtu veturë në vlerë prej 5 mijë euro, dhe se kanë 5 traktorë në pronësi të përbashkët që kushtojnë 60 mijë euro.

Ai posedon edhe aksione 100 për qind në shoqërinë komerciale “Uhilassportëear”, kapitali i së cilës është 40 mijë euro, si dhe aksione po ashtu 100 për qind në shoqërinë tjetër komerciale “Agroballkan”, që ka kapital 500 euro, shkruan Infokusi.

Paratë e gatshme që ka në banka kapin shumën prej 6 mijë e 346 euro. Ndërsa, borxhi që ka ndaj bankave është 300 mijë euro.

Të hyrat e tij vjetore si deputet, profesor dhe nga mëditjet sillen në 28 mijë e 149 euro.

Deputeti që banon me qira

Frashër Krasniqi ka shtëpi në vlerë prej 23 mijë euro, e që është në pronësi të prindit. Gjersa vet banon me qira.

Ndërsa ka edhe një kredi prej 6 mijë eurove, shkruan Infokusi.

Të hyrat që ka deklaruar Krasniqi në regjistrin e pasurisë ishin 1 mijë e 200 euro nga Kuvendi i Kosovës. Ndërsa si të hyra të prindërve ka deklaruar 700 euro nga paga e njërit prind në KEK, e 420 të tjera nga paga e prindit tjetër në QKUK.

Kredia gjysmilionëshe e Topallit

Deputeti Faton Topalli ka në pronësi të tij një parcel ndërtimi, vlera e së cilës kap shifrën 100 mijë euro, ndërsa ka deklaruar edhe dy shtëpi që janë në pronësi të përbashkët, vlera e së cilave bashkë sillet rreth 750 mijë euro.

Ndërsa, në regjistrin e pasurisë ka deklaruar se ka në pronësi të tij edhe një veturë në vlerë prej 4 mijë euro, për të cilën ka deklaruar se e ka blerë nga angazhimi në punë, shkruan Infokusi.

Ka para të gatshme në bankë, në shumë prej 4 mijë e 834 euro, 887 euro ka bashkëshortja e tij, dhe 35 mijë e 631 euro përbashkët.

Por, edhe kredia që ka Topalli është kogja e lartë. Ai i ka borxh bankave 488 mijë e 900 euro për financim të shtëpisë.

Ka të hyra vjetore në shumë prej 87 mijë e 536 euro, ndërsa bashkëshortja e tij ka të hyra vjetore prej 58 mijë e 608 euro. /Infokusi/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
TEB sjellë edhe kartelën prestigjioze VISA Infinite
-Advertisement-

Të tjera