Të pagjeturit, këto ditë fillon gërmimi në një lokacion të ri në Serbi
![](https://gazetainfokus.com/wp-content/uploads/2022/04/germime.png)
Autori: Gazeta inFokus
13:08 | 26 April 2022
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Andin Hoti, ka bërë të ditur se këto ditë në Serbi do të fillojnë gërmimet në një lokacion të dyshuar për varrezë masive. Ai ka deklaruar që kërkesë urgjente e Kosovës mbesin imazhet satelitore përmes së cilave do të arrihej më lehtë zbardhja e fatit të personave të zhdukur.
Hoti ka thënë se përmes Kryqit të Kuq Ndërkombëtar kanë bërë kërkesa për imazhe satelitore në vendet partnere të Kosovës, por sipas tij ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.
“Këto ditë delegacioni i Kosovës, në Serbi do të fillojë gërmimet edhe në një lokacion të radhës. Por, natyrisht ne kemi pritur dhe vazhdojmë me urgjencë t’i kërkojmë imazhet satelitore sepse ne kemi pasur disa informacione për lokacione të ndryshme në Serbi por jo të mjaftueshme. Bazuar në praktikat e mëhershme, bazuar Rudnicë e Kizhevak, të dyja kanë bërë dhjetë vite gërmim, dhjetë vite hulumtim nga ekipet tona, nuk duhet me qenë e njëjta sot, nuk mundemi të shkojmë pesë vite me një lokacion për shkak se dikujt i teket me na sillë rrotull duke mos na treguar informacionin e saktë të varrezave masive”, ka thënë Hoti.
Ai ka deklaruar se lokacionin në të cilin do të gërmohet në Serbi do ta bëjnë të ditur së shpejti.
I biri i Ukshin Hotit, veprimtarit të zhdukur, ka thënë se shteti vazhdon të kërkojë dokumente e incizime, sekrete apo jo, të cilat sipas tij i ka Serbia.
Hoti ka deklaruar që kërkesë mbetet hapja e të gjitha dokumenteve sekretë të Serbisë të kohës së lutës në Kosovë.
“Me presion e kemi provuar që 20 vite më shumë dhe presioni nuk ka mjaftuar dhe si rrjedhojë ende i kemi edhe 1617 persona duke përfshirë edhe babin tim edhe djalin e bacës Bajram. Prandaj kushtëzimi është ajo që kemi kërkuar në Bruksel, kam qenë katër herë në bisedime me zotin Lajçak kërkesa jonë e parë është kushtëzimi ndaj Serbisë, kurse kërkesa e dytë ka qenë garancia e Bashkimit Evropian që të ketë një afat kohor kur Serbia detyrohet të jap informacionet për persona te zhdukur”, ka thënë ai.
Ndërsa drejtuesi i Qendrës Burimore për Personat e Zhdukur, Bajram Qerkini, i cili përfaqëson familjet e të pagjeturve, ka thënë se në Bruksel ende nuk është bërë asnjë hap drejt zbardhjes së fatit të familjarëve të zhdukur.
“Në Bruksel e kanë qitë një pikë kanë thënë pika e parë e rendit të ditës është për të pagjeturit dhe aty ka mbet, rendi i parë, kur vinë thonë i kemi të pagjeturit. Thonë se në rend ditë është të pagjeturit, kur t’ju vijë shumë keq, diqysh, e gjejnë të pagjeturit. Asnjë hap nuk është bërë, asnjë hap nuk e kanë bërë prej asaj dite që kanë thënë se duhet të flitet për persona të pagjetur”, ka thënë Qerkini.
Qerkini ka thënë se kërkesë e familjarëve është që Kosova të kërkojë nga ndërkombëtarët presion mbi Serbinë në mënyrë që kjo e fundit të tregojë lokacionet e varrezave masive.
“Unë e di që kjo çështje nuk do të kryhet shpejtë unë e di se ne kemi probleme dhe plagë të pashënuara plot që 23 vjet, unë e di që sa herë u kemi drejtuar kësaj ndërtese, këtyre njerëzve të cilët duhet të na ndihmojnë, por jo vetëm këtyre por ju kemi drejtuar edhe ndërkombëtarëve. Ende po shkojnë punë të zhagitura apo mos kujdesi i tyre sa duhet”, ka thënë Qerkini.
Ai ka thënë se çështja e të pagjeturve është politizuar dhe nuk po shënohet përparim andaj ka theksuar se kërkesa e tyre është që kjo të trajtohet si çështje humane.
“Nanat tona, baballarët, motrat, vajzat, djemtë janë duke prit plot që 23 vjet, vajin që o na e bëjnë, po i drejtohem obeliskut që e shihni në pjesën anash po sillen e ne i kemi çu duart nuk po dimë çka me bë se nuk po mundemi me ardhë, ata po na thërrasin me vajin në buzë ‘hajde merrna’, ne nuk po dimë ku i kemi. Kush duhet me na tregu, a e ndjejnë vetën të obliguar ata që ua dhamë votat dhe na udhëheqin”, ka thënë ai.
Në Kosovë nesër shënohet Dita e të Pagjeturve derisa nuk dihet fati i më shumë se 1600 personave të zhdukur me dhunë nga Serbia gjatë luftës në Kosovë./KP/
![](https://gazetainfokus.com/wp-content/uploads/2024/03/1.jpg)
Të tjera
-
Konjufca kujton aktivistët e VV-së që s’jetojnë më: Dhanë jetën në përpjekjen për ta bërë Kosovën të fuqishme
Kryeparlamentari, njëherit edhe nënkryetar i VV-së, Glauk Konjufca në përmbyl...
-
Selimi: Adem Jashari ka pasur fjalë të mira për të gjithë, edhe për Rugovën
Ish-komandanti, Sylejman Selimi është një nga figurat qëndore të Ushtrisë Çli...
-
Kurti tallet me opozitën në tubimin e VV-së: Zgjedhjet më 2025, s’mund t’i shtyjnë pafundësisht
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur një fjalim para strukturave t...
-
Konjufca në tubimin e VV-së: 19 vjet rrugëtim me beteja politike duke shkuar drejt fitoreve të reja
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, në Javën përmbyllëse të ...
-
Lista Serbe i reagon Rashiqit: Nuk të votuan qytetarët
Lista Serbe ka reaguar pas paralajmërimeve të ministrit për Kthim dhe Komunit...
-
Osmani takon kryeministrin holandez: Folëm për rëndësinë e të ardhmes euroatlantike të Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Samitin e Paqes është takuar me kryemi...
-
Sonte në Infokus nis emisioni satirik “Lajmet Flesh”, pjesë e tij aktorët Valire Zeneli, Besart Zeneli dhe Muhamet Zeka
Sonte me fillim nga ora 20:00 ekskluzivisht në platformat online të “Infokusi...
-
Aksidẹnt mes një veture dhe motoçiklete në Pejë, lëndohet motoçiklisti
Një aksident mes një veture dhe një motoçikleta ka ndodhur në Pejë, si pasojë...
-
Shkon në 11 numri i të vdẹkurve pas përmbytjes së dy anijeve me emigrantë në Detin Mesdhe
Ka shkuar në 11 numri i emigrantëve të vdekur dhe në 64 i atyre që janë zhduk...
-
Kurti mirëpriti studentë nga Amsterdam University College
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua me grupin e studen...
-
Basha: Berishës i duhet vula e PD-së si mburojë për hallet e tij
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha deklaroi sot se Berisha, në vend që të sqarojë...
-
Kush e pengon paqen e qëndrueshme mes Kosovës e Serbisë?
Ishte prilli i vitit 2013 kur Bashkimi Evropian bëri të ditur se Kosova dhe S...