“Të maltretuar e në borxhe”: Rruga drejt pensionit invalidor
![](https://gazetainfokus.com/wp-content/uploads/2022/10/er-10-852x460.jpg)
Autori: Gazeta inFokus
15:13 | 30 October 2022
“Borxhi, ditë të mira nuk pret”, thotë duke ofsharë Milaim Zariqi nga fshati Bainicë i Drenasit – pjesa qendrore e Kosovës.
Ai është babai i Sokolit, 14 vjeç, i cili vuan nga sëmundja distrofi muskulare dhe është pothuajse i palëvizshëm.
Çfarë parasheh Ligji për paraplegjikët dhe tetraplegjikët?
Ky ligj ka rregulluar kompensimin monetar për këta persona në dy grupe, të cilat i vlerëson një komision mjekësor, i caktuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e Kosovës.
Grupi i dytë, ndërkaq, ka kompensim prej 150 eurosh, pasi llogaritet se këta persona nuk kanë nevojë për shoqërues apo pako sanitare.
Duke qenë në kategorinë e parë të invaliditetit, Sokoli ka gëzuar këtë pension nga viti 2017 dhe në qershor të këtij viti i është dashur t’i nënshtrohet rivlerësimit të rregullt të gjendjes së tij nga komisioni shëndetësor.
Për pesë muaj, Sokoli ka mbetur pa pension.
Ndërkohë, babai i tij është dashur të mbledhë një grumbull dokumentesh për të – fillimisht nga autoritetet shëndetësore në rajonin ku jeton dhe më pas nga Klinika e Neurologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës – që dëshmojnë se pacienti ka specifika mjekësore që kërkojnë mbështetje financiare.
Komisionet e tilla mblidhen në shtatë rajone të Kosovës.
“Njëqind e njëzet euro është dashur t’i gjej diku se nuk kam pasur, për të shkuar në komision… se 40 euro kushton taksi [nga Drenasi në Prishtinë]”, tregon ai.
“Shkon në komision… ‘jo, nuk e ke këtë; jo, duhet edhe një dokument’. Maltretimi i tyre po kushton. Një udhëtim i tillë, atë [djalin] e dobëson”, thotë Milaimi, baba i vetëm i dy fëmijëve binjakë.
Me zërin që i dridhet, tregon se i duhet të gjejë forcë të kujdeset për fëmijët, edhe pse, siç thotë, ka kaluar shumë tragjedi familjare.
Më 2019, Milaimit i vdiq edhe bashkëshortja nga sulmi në tru.
“Krejt Kosovës i jap pasuri vetëm të ecë ai [djali]. Nuk do të doja asnjë pension dhe do të kisha punuar vetë”, thotë Milaimi.
Ministria: Pritjet jo më të gjata se një muaj
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e Kosovës, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, thotë se “qëndron mjaft mirë në kuptim të respektimit të afateve ligjore”.
“Natyrisht që këto lëndë [të rivlerësimit të gjendjes së pacientit] i trajtojmë edhe para afatit të skadimit të së drejtës, por mund të ketë edhe raste që mund të presin, por jo më gjatë se një muaj”, thonë nga Ministria.
Sipas tyre, seancat e vlerësimit të personave me aftësi të kufizuara nuk mund të bëhen në terren, pasi ka “probleme me mungesën e mjekëve”.
Në Prishtinë, qasja e personave me karrocë në Qendrën për Pensione, që ndodhet në qendër të qytetit, është e pamundur, për shkak të infrastrukturës që ka.
Kështu, komisionet vlerësuese i mbajnë seancat e rivlerësimit në një hapësirë të improvizuar nga shoqata “Handikos”, në periferi të kryeqytetit.
Radio Evropa e Lirë ka vizituar këtë hapësirë më 29 shtator të këtij viti, kur ka parë dhjetëra persona duke pritur për të dalë para komisionit vlerësues.
![Aplikantët presin të dalin para komisionit që rivlerëson statutin e tyre dhe mbështetjen financiare si paraplegjikë dhe tetraplegjikë.](https://gdb.rferl.org/059c0000-0aff-0242-0fc0-08dab90ba6ac_w1023_r0_s.jpg)
“S’e di se si ia kemi dalë… faqja e zezë”
Për disa muaj këtë vit, pa pension invalidor ka mbetur edhe Sami Qyqalla nga Fushë Kosova – rreth 7 kilometra larg Prishtinës.
Tani 57-vjeçar, Qyqalla është përdorues i karrocës tash e 30 vjet. Për të kujdeset bashkëshortja e tij, Nazire Qyqalla.
“Vështirë është boll”, thotë shkurt Samiu, i cili i takon kategorisë së parë të invaliditetit.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, bashkëshortja e tij thotë se procedura e rivlerësimit të gjendjes së Samiut, u ka shkaktuar telashe e borxhe.
“Pesë muaj na kanë lënë pa pension. Kur kanë ardhur këta të rrymës, ma kanë ndalur rrymën…Tmerr”, thotë Nazirja, e cila nuk ka pasur mundësi ta shlyejë borxhin.
Dy djemtë e tyre, 20 dhe 21 vjeç, Nazirja thotë se nuk kanë punë të rregullt.
“Është dashur të paguaj taksi tri herë nga 20 euro [gjatë procedurave të rivlerësimit të gjendjes së Samiut”.
“S’e di se si ia kemi dalë… faqja e zezë”, shprehet Nazirja.
Handikos: Të hiqet nevoja për rivlerësim
Afrim Maliqi, udhëheqës i organizatës “Handikos”, që merret me të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, thotë se i gjithë procesi i rivlerësimit për personat që marrin mbështetje financiare si paraplegjikë ose tetraplegjikë, është i panevojshëm.
“Nuk duhet të ketë rivlerësim. Rivlerësim duhet të ketë vetëm nëse i përkeqësohet gjendja personit”, thotë ai.
Sipas tij, gjasat që dikush nga këto kategori e njerëzve të ketë përmirësim në shëndet, janë të vogla.
Maliqi, i cili vetë ka aftësi të kufizuara, thotë se ka dëgjuar shumë ankesa për “procedura të mundimshme” për personat që i nënshtrohen rivlerësimit të gjendjes.
“Duhet të ketë edhe komisione mobile që u shkojnë personave nëpër shtëpi dhe i vlerësojnë, pa i maltretuar”, thotë ai, por shton se zëri i tyre e ka të vështirë të depërtojë.
“Ne jemi grup i rrezikuar, grup fragjil, që nuk mund të bëjmë më shumë… Ne nuk kemi mundësi proteste, sepse njerëzit kanë problem të dalin në rrugë”, thotë Maliqi, duke aluduar në infrastrukturën e papërshtatshme për qarkullimin me karroca.
Për ekspertin ligjor nga Prishtina, Leotrim Gashi, rregulloret për pensionet e personave me aftësi të kufizuara, është dashur të bëhen në atë mënyrë që nuk ua vështirësojnë jetën qytetarëve.
“Me vetë faktin që kemi të bëjmë me persona që kanë sëmundje të rënda, që nuk mund as të lëvizin e lëre më të udhëtojnë… ky do të duhej të ishte fokusi i zyrtarëve të ministrisë përkatëse”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Gashi, në vitin 2021, ka qenë autor i një hulumtimi të publikuar nga Instituti Kosovar për Drejtësi,që flet për shkelje ligjore karshi personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë.
“Nëse pavarësisht të gjitha vështirësive [që kanë personat me aftësi të kufizuara], ka edhe mosvlerësim adekuat [të gjendjes së tyre], atëherë kjo e bën edhe më të vështirë jetesën normale të këtyre qytetarëve”, thotë Gashi.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve në Kosovë, aktualisht janë 2.575 përfitues të pensionit në bazë të Ligjit për paraplegjikë dhe tetraplegjikë. Megjithatë, nuk është e qartë se sa përfitues janë në grupin e parë e sa në të dytin.
Si Sokoli, ashtu edhe Samiu kanë nisur t’i rimarrin pensionet këtë muaj, ndërsa muajt e humbur do t’iu kthehen në mënyrë retroaktive. Megjithatë, ata nuk i garanton asgjë se nuk do të kalojnë nëpër procedurat e njëjta kur t’iu vijë sërish koha e rivlerësimit të gjendjes. /rel
![](https://gazetainfokus.com/wp-content/uploads/2023/06/Screenshot_2-12.png)
Të tjera
-
Si përfunduan predhat e LDB në rrugën Prishtinë -Podujevë, historiani e jep një version të mundshëm
Historiani Durim Abdullahu ka dhënë detaje mbi prejardhjen e tri bombave të l...
-
Kurti i shkon në shtëpi Rexhep Qosjes për ditëlindjen e 88-të: Vigan në fjalë e në pendë
Kryeministri Albin Kurti ka shkuar për vizitë në shtëpinë e akademik Rexhep Q...
-
Deputetja e LDK-së thotë se sipas ambasadave të huaja në Kosovë, 170 persona në ditë e lëshojnë vendin
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka dhënë shifra ...
-
“Disa gjëra ndonëse të padëshirueshme duhet t’i pranojmë sepse janë compromise” – Kryeziu për Asociacionin
Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu në lidhje me takimin e nes...
-
LDK reagon pasi GjK e shpalli antikushtetues vendimin e shumicës për shkarkimin e anëtares së OSHP’së
LDK njofton se ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese pasi u shpall an...
-
Qeveria i përgjigjet Stanos: Raportin për Banjskën e kemi dorëzuar në BE
Qeveria e Kosovës e sheh shqetësuese dhe të pakuptimtë faktin që edhe pas 9 m...
-
Rama: E vërteta doli në shesh, u konfirmuar se nuk kishte konflikt interesi në mes meje dhe pronarëve privat tek Liqeni i Badocit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se ka marr konfirmimin se ës...
-
E konfirmon KEK-u: Burri i Fitore Pacollit u avancua në pozitë
Korporata Energjetike e Kosovës ka konfirmuar avancimin në detyrë të Ilir Dal...
-
Gjenden bomba 50kg të LDB gjatë punimeve në rrugën Prishtinë-Podujevë, largohen nga FSK dhe ekipi i Bondsteel
Tri bomba gjermane të tipit SC-50 të Luftës së Dytë Botërore janë gjetur sot ...
-
Histori emocionale; Hoxha Fatmir Latifi tregon se si Daut Haradinaj ia pagoi Haxhin plakut nga Dukagjini
Hoxha nga Mitrovica, Fatmir Latifi ka ndarë një histori emocionale të një bur...
-
Një ditë para takimit Kurti-Vuçiq, në Beograd shfaqen pllakata me foton e Millosheviqit dhe “Kosova është Serbi”
Në disa vende në Beograd sot janë shfaqur pllakata me Slobodan Millosheviqin,...
-
Për një muaj, mërgata dërgoi rreth 120 milionë euro në Kosovë
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës sipas kalendarit të publikimeve ka pub...