Të amnistosh kapadainjtë
Autori: Gazeta inFokus 11:34 | 22 December 2017
Shkruan: Imer Mushkolaj
Nuk ka sinjal më të keq për një shoqëri se të amnistosh, madje edhe t’i shpërblesh shkelësit e ligjit. Nuk është as e moralshme, e as e ligjshme të thuash se nuk bëhet kiameti nëse një ministër gjuan me armë dhe të mos marrësh masa ndaj tij, t’iu falësh borxhe milionëshe biznesmenëve të caktuar, të shpërblesh ata që shantazhojnë për të përfituar nga shteti. Kapadainjtë duhet ndëshkuar, jo amnistuar e shpërblyer
Në vend se të hetohen nga organet përkatëse, amnistohen dhe shpërblehen. Kështu po ndodh me individë e zyrtarë politikë, të cilët zgjedhin ta sfidojnë ligjin, ta sfidojnë shtetin, në përpjekje për të përfituar, për t’u shfaqur të fortë, kapadainj.
Ministrin Dardan Gashi e kanë parë të gjithë teksa ka shtënë me armë në një aheng, por kjo doli të mos jetë problem për shefin e tij. Në vend që të paktën të distancohet nga veprimi antiligjor i tij, kryeministri Ramush Haradinaj tha publikisht se as që ka biseduar me të për këtë çështje, madje pranoi se gjuan me armë edhe vetë në raste të caktuara.
Ky është një mesazh shqetësues për të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët presin të qeverisen nga ligji, e jo nga Kanuni. Traditat duhet respektuar e konservuar, por jo kthyer në doktrinë qeverisëse të shtetit.
Në një vend normal, organet përkatëse do të duhej të reagonin shpejt dhe ministri Gashi do të duhej marrë dënimin e merituar. Por në Kosovë, ku shkelja e jo respektimi i ligjit është kthyer në normë, nuk ndodh kështu. Kapadainjtë tolerohen e respektohen.
Po të ishte ndryshe, ndëshkimi nuk do të vononte. Siç nuk do të vononte as për ata të cilët kanë pranuar që shqiptarët të paguajnë rrymën e shpenzuar nga serbët kosovarë.
Nuk mund të quhen ndryshe, pos kapadainj, ata që kanë vendosur të dëmtojnë secilin prej nesh, ta plaçkitin secilin prej nesh, duke na shtuar në fatura rrymën e shpenzuar nga serbët. Me të drejtë qytetarët duhet të protestojnë jo vetëm për të refuzuar që kjo të vazhdojë, por edhe për të kërkuar që t’u kompensohen paratë e vjedhura. Po ashtu, përgjegjësit duhet hetuar dhe ndëshkuar. Krimi nuk është ndryshe. Dikush duhet të shkojë në burg.
* * *
Krim është edhe të provosh që të përfitosh nga shteti atë që nuk të takon, duke gënjyer e mashtruar, duke shantazhuar. I tillë është rasti i shumë banorëve të Hades e Shipitullës, të cilët ndërtuan dhjetëra shtëpi, jashtëligjshëm, vetëm me qëllimin që të dëmshpërblehen dhe të përfitojnë nga paratë tona. Dhe, kur erdhi puna që vendi të futet në kolaps energjetik, në mungesë të thëngjillit që gjendet poshte shtëpive të tyre, me ta nuk u morën organet e ndjekjes. Me ta u mor kryeministri Haradinaj, i cili arriti marrëveshje për shpronësim. Një marrëveshje, të cilën ata e pranuan me zor, ngase kërkonin edhe më shumë. Por, pavarësisht marrëveshjes që u tha se do t’i hapte rrugë prodhimit më të madh të rrymës, u paralajmërua se rryma do të shtrenjtohet. Kapadainjtë që qëndrojnë mbrapa këtyre veprimeve duhet gjetur e ndëshkuar. Një krim i ri nuk duhet lejuar.
Kryeministri, e jo ligji u mor edhe me ambalazhuesit e ujit në Kosovë, të cilët i kishin borxh shtetit rreth 70 milionë euro. Saktësisht 68 milionë.
Haradinaj vendosi t’ua falë borxhin atyre, në mënyrë arbitrare dhe të kundërligjshme. Ky është një sinjal i keq, ngase do të ndikojë te bizneset që të mos i paguajnë detyrimet ndaj shtetit, duke bërë që borxhet të grumbullohen. Nëse i janë falur borxhet një numri biznesesh, pse të mos u falen edhe të tjerave? Ndërkohë, institucionet publike do të përballen vazhdimisht me mungesë të të hyrave buxhetore.
Kapadaillëku i një grupi biznesmenësh u shpërblye. Të falësh borxhe të tilla nuk është heroizëm, por nënshtrim ndaj shkelësve të ligjit. Kjo don të thotë të shkelësh ligjin për t’i shpërblyer shkelësit e ligjit. Kjo don të thotë t’i amnistosh ata që nuk respektojnë ligjin.
* * *
Sinjal të keq për ligjin dhe drejtësinë të mërkurën tha edhe kryetari i Kuvendit dhe i PDK’së, Kadri Veseli. Ai ishte ftuar të dëshmojë në gjykimin kundër deputetevë të Lëvizjes Vetëvendosje, lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës në parlament, por nuk iu kishte bindur tre herë ftesës së gjykatës. Prokurori u tërhoq nga dëshmia e tij, në vend që Veseli të detyrohet për t’u paraqitur në gjykatë. Vetëm mund të paramendohet se si do të kishte vepruar gjykata po që se në të njëjtën mënyrë do të silleshin zyrtarë të partivetë tjera, ta zëmë të Vetëvendosjes.
Nëse dikush insiston se në Kosovë nuk ka drejtësi selektive, rasti i Veselit tregon të kundërtën. Sjellja me kapadaillëk karshi organeve të drejtësisë është mesazhi më i keq i mundshëm për shtetin dhe shoqërinë. Është shfaqje e të fortëve që nuk njohin rend, që shkelin ligjin, ndërkohë që verbalisht bëjnë thirrje që ligji të respektohet. Është mesazh kundër të gjitha vlerave demokratike që një shoqëri dhe një shtet duhet t’i ndërtojë.
Të tjera
-
Parashikimi i motit për të hënën
Për të hënën parashikohet të mbajë mot i vranët, ku pritet depërtimi i një ci...
-
Donald Trump emëron gjeneralin Keith Kellogg si të dërguarin e tij special për Ukrainën dhe Rusinë
Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka zgjedhur Gjeneralin Keith Kellogg si të...
-
Kurti ua lypë mërgimtarëve 74 mijë vota: Paramendojeni çka bojmë me na i dyfishu ju votat
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota...
-
Bedri Hamza takon profesorin e tij: Ato që i thotë, ka me i realizu, se ia njoh karakterin dhe mentalitetin
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, në rrjetet e tij...
-
Kush është fajtori kryesor për moskalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare?
Ani pse pas një takimi të Albin Kurtit më kreun e PDK-së, u votuan disa marrë...
-
“Ka qenë i veçantë, një djalë i sjellshëm, i urtë, me të gjitha notat 5-she, ato që i premton edhe i realizon”, profesor Xhaferi vlerëson lart nxënësin e tij Bedri Hamzën
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij,...
-
Bejta falënderon stafin e Komunës së Prishtinës për punën e palodhshme: Viti tjetër, edhe me më shumë suksese
Kandidatja për deputete nga LDK, Fiknete Bejta, ka publikuar disa fotografi n...
-
Pasaporta e Kosovës në mesin e 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se viti 2024 ka qenë viti...
-
Kërkohet ndihmë për 16-vjeçarin nga Istogu që vuan nga Leukemia, ka nevojë për shërim jashtë vendit!
Familja Dani nga Kërrnina e Istogut kërkon ndihmë për shërimin e djalit ! ...
-
Incidenti në Novi Sad, mijëra njerëz protestọjnë kundër regjimit të Vuçiqit
Studentët, të cilët prej javësh i kanë bllokuar fakultetet në Universitetin e...
-
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar...
-
Java nis me reshje bore – Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Moti nga e hëna parashihet të jetë i ftohtë dhe me reshje të herëpashershme b...