Lajme

Tahiri zotohet se do të qartësohet vdekja e Astrit Deharit

Autori: Gazeta inFokus 12:58 | 05 November 2017

Është bërë një vit  nga vdekja e aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Një hetim i bërë nga institucionet vendore të hetuesisë thotë se Dehari u vetëvra. Por, familja kërkon ekspertizë ndërkombëtare. Për këtë, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri zotohet se do të ketë angazhim maksimal.

Tahiri ka thënë se që nga dita e parë e punës e ka vendosur këtë çështje në prioritet.

-Advertisement-

“Edhe sot, dua të ritheksoj se i kam dërguar kryeprokurorit një letër në të cilën kam kërkuar bashkëpunim dhe kam theksuar se e ndjej për obligim institucional dhe njerëzor që të përmbushen obligimet që dalin nga rekomandimet e Kuvendit të Kosovës. Kam kërkuar një super-ekspertizë, që do të behet në bashkëpunim me familjes Dehari”, tha Tahiri, në një prononcim për Gazetën Metro.

Ai tha se Qeveria e Kosovës ka aprovuar kërkesën e tij që të ndahen mjete financiare në shumën prej 50 mijë eurove për ekspertizën shtesë jashtë vendit në lidhje me vdekjen e Astritit.

Tahiri kërkon që ky rast të mos përdoret politikisht nga kushdo, por t’i lihet drejtësisë, qoftë edhe ndërkombëtare ta thotë fjalën e vet.

Ai shton se mbi të gjitha familja Dehari meriton drejtësi, dhe për këtë jep zotim se do të ndodhë.

“Zotohem se do të punoj që ky rast të qartësohet në tërësi, që, para se gjithash, familjes së Astritit të ndjerë t’i japim mbështetje dhe drejtësi”, deklaron ministri i drejtësisë.

Në Prishtinë sot do të mbahet një marsh protestues për Astrit Deharin, organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vlerësohet për herë të katërt "Banka e Vitit 2024 në Kosovë" nga The Banker
-Advertisement-

Të tjera