Lajme

Tahiri në Vlorë për hapje të kampionatit të fluturimeve të lira

Autori: Gazeta inFokus 15:33 | 05 May 2017

Ministrja Edita Tahiri, mori pjesë në hapjen solemne të kampionatit botëror të fluturimeve të lira në Vlorë, me ftesën e organizatorit të këtij kampionati “Albanian open” dhe Drejtor Ekzekutiv, Alket Islami. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe ministrat e Qeverisë së Shqipërisë, Mirela Kumbaro dhe Damjan Gjiknuri, Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Lela, aktorja shqiptare me famë ndërkombëtare, Eliza Dushku, e cila ishte e pranishme si imazhi kryesor i kampionatit të 9-të Botëror të Fluturimeve të Lira, që do të zhvillohet nga data 5-14 maj në Vlorë, Shqipëri.

Ministrja Edita Tahiri, në fjalën e saj përshëndetëse tha: “Vlora jonë sot po shënon një histori të dytë, me këtë ngjarje të rëndësishme botërore sportive që po mbahet në Vlorë. Vlora është qyteti ku u shpallë pavarësia e Shqipërisë më 1912, dhe sot Vlora u bë qytet botëror ku po mbahet kampionati i nëntë i fluturimeve të lira me pjesëmarrjen e garuesve nga e gjithë bota. Ju përshëndes të gjithëve dhe ju uroj gara sa më të suksesshme të gjithëve. Falënderoj yllin tonë të fluturimeve të lira Alket Islamin, i cili me përkushtimin e tij shembullor arriti ta bëjë Shqipërinë qendër të një kampionati botëror, të këtij evenimenti sportiv të fushës së aeronautikës. Ju garuesit e fluturimeve të lira jeni sfidues të lartësive, ju bartni mesazhin se shpirti i njeriut është i lirë dhe nuk njeh kufizime. Sot në këtë takim së bashku po japim mesazhin se “bota jemi ne” dhe se nuk e pëlqejmë një botë ku ka ne dhe të tjerë, sepse paqen e duam për të gjithë. Ju që garoni dhe komunikoni mes vete në lartësitë qiellore jeni të veçantë, na pasuroni frymëzimin dhe energjitë tona. Për dallim nga ju, ne politikanët synojmë lartësitë, por garat dhe komunikimet i bëjmë në tokë dhe në tavolina. Suksese të gjithëve, ju uroj gara sa më cilësore”, tha ministrja Tahiri.

Në këtë kampionat janë pjesëmarrës mbi 150 parashutistë nga rreth 28 vende të ndryshme të botës në mesin e të cilëve Kosova dhe Shqipëria. Aeronautika botërore ka zgjedhur Vlorën për këtë kampionat, që dëshmon kapacitetet e Shqipërisë në këtë fushë sportive, ndërsa një kampionat i tillë i përmasave botërore vjen për herë të parë në Shqipëri.

-Advertisement-

Ministrja Tahiri në kuadër të kësaj ceremonie u takua me ekipet e Kosovës dhe Shqipërisë, të cilëve iu dëshiroi rezultate sa më të mira./INFOKUSI

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
MYZHDE për krejt!
-Advertisement-

Të tjera