Sytë kah një Putin i mbështetur për mur
![](https://gazetainfokus.com/wp-content/uploads/2022/10/56-852x460.jpg)
Autori: Gazeta inFokus
13:56 | 09 October 2022
Ka qenë tetori i vitit 1962, kur Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi i atëhershëm Sovjetik kanë qenë rrezikshëm afër konfliktit bërthamor. Saktësisht 60 vjet më vonë, presidenti rus, Vladimir Putin, bën kërcënime të maskuara bërthamore, ndërsa SHBA-ja bën gati skenarët në rast të sulmit të mundshëm.
Duke pretenduar se territoret e pushtuara ukrainase janë ruse, Putin është zotuar se do t’i mbrojë ato me gjithçka që ka. Udhëheqësi i fuqisë më të madhe bërthamore në botë ka thënë se “precedenti” është krijuar nga Shtetet e Bashkuara, kur ato kanë përdorur bombat atomike në vitin 1945.
“SHBA-ja është i vetmi vend në botë që ka përdorur dy herë armë bërthamore, duke shkatërruar qytetet japoneze: Hiroshima dhe Nagasaki”, ka thënë Putin.
Putin ka folur pasi ka zyrtarizuar aneksimin e paligjshëm të katër territoreve ukrainase – Donjeck, Luhansk, Herson dhe Zaporizhja – ditën e fundit të shtatorit. Aneksimi i më shumë se 15 për qind të Ukrainës është më i madhi në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Ukraina dhe vendet perëndimore e kanë hedhur poshtë atë, duke thënë se territoret e pushtuara nuk do të njihen kurrë si ruse.
Putin, edhe më 21 shtator, kur ka shpallur mobilizimin e pjesshëm ushtarak për luftën në Ukrainë, ka bërë kërcënim të ngjashëm, duke i kujtuar botës se kush është.
“Nëse integriteti territorial i vendit tonë kërcënohet, ne, pa diskutim, do t’i përdorim të gjitha mjetet në dispozicion për të mbrojtur Rusinë dhe popullin tonë. Ky nuk është mashtrim”, ka deklaruar lideri rus.
Putin, pa ofruar asnjë provë, ka thënë se Perëndimi është përfshirë në “shantazh bërthamor” kundër Rusisë. Zyrtarët perëndimorë, në disa raste, kanë përsëritur se lufta bërthamore nuk do të kishte fitues. Me gjithë kërcënimet, SHBA-ja ka thënë se nuk ka vërejtur, deri më tash, asnjë shenjë se Rusia është duke u përgatitur për sulm bërthamor.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka paralajmëruar shtetin rus me pasoja të mëdha nëse përdor armë bërthamore në Ukrainë, por ka refuzuar të specifikojë se cilat do të ishin ato. Biden është zotuar, po ashtu, se do të vazhdojë ta mbështesë ushtarakisht Ukrainën. Ka thënë se SHBA-ja do të mbrojë edhe gjithë territorin e NATO-s, në rast se vihet nën sulm.
“Amerika është plotësisht e përgatitur, e përgatitur me aleatët e NATO-s, për të mbrojtur çdo inç të territorit të NATO-s. Çdo inç. Pra, zoti Putin, mos e keqkuptoni këtë që po them! Çdo inç”, ka theksuar Biden.
Rusia është fuqia më e madhe bërthamore në botë bazuar në numrin e kokave bërthamore. Sipas Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë, ajo ka 5.977 të tilla, ndërsa Shtetet e Bashkuara 5.428.
Gjatë asaj që njihet si “kriza kubane e raketave”, e tetorit të vitit 1962, SHBA-ja dhe Rusia i kanë pasur të kthyera kokat bërthamore kundër njëra-tjetrës. Kriza ka nisur kur SHBA-ja ka zbuluar raketa bërthamore sovjetike në Kubë. Ajo ka bllokuar më pas ishullin dhe ka debatuar për pushtimin e tij. Për 13 ditë, bota ka parë rrezikun nga kataklizmi bërthamor.
Presidentët e dy vendeve, John F. Kennedy i SHBA-së dhe Nikita Khrushchev i Rusisë, janë angazhuar ndërkohë në bisedime direkte, kanë bërë disa koncesione dhe i kanë dhënë fund krizës.
Cynthia Hooper, profesoreshë e historisë dhe eksperte e Rusisë në Kolegjin Holy Cross në Masaçusets, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se Kennedy dhe Khrushchev, personalisht, kanë qenë kundër konfliktit bërthamor, por kanë qenë të rrethuar me këshilltarë që kanë menduar ndryshe. Ky nuk është rasti me Rusinë tani, thotë ajo.
“Një nga arsyet përse unë mendoj se javët e ardhshme janë potencialisht edhe më të rrezikshme se kriza kubane e raketave, është se në Rusi nuk kemi një udhëheqës që ka frikë nga lufta. Në Rusi nuk kemi një udhëheqës që e vlerëson jetën e qytetarëve të tij. Kjo më shqetëson shumë”, thotë Hooper.
Për kërcënimin e një sulmi bërthamor nga Rusia është folur që nga fundi i shkurtit, kur Putin ka nisur pushtimin e Ukrainës dhe, pak ditë më vonë, ka vënë në gjendje gatishmërie forcën e tij bërthamore. Megjithatë, kërcënimet e tij të fundit eksplicite vijnë pasi forcat ukrainase gjatë muajit shtator, kanë arritur të rikthejnë kontrollin në shumë territore të pushtuara. Ka qenë kjo, sipas analistëve, disfata më poshtëruese e Moskës.
Kremlini, pastaj, ka organizuar referendume të rreme në katër territore të pushtuara të Ukrainës, ka nxjerrë rezultatin që ka dashur dhe i ka aneksuar ato. Zyrtarët rusë paralajmërojnë se sulmet e mundshme të Ukrainës në këto territore, do të konsideroheshin akt agresioni dhe se ata do të përgjigjeshin në përputhje me rrethanat.
Cynthia Hooper, nga Kolegji amerikan Holy Cross, thotë se Putin është “i mbështetur për mur” dhe “i dëshpëruar” nga humbjet. Në një gjendje të tillë, ajo shfaq drojën se armët bërthamore mund të jenë opsion për të, për të ndryshuar lojën.
“Dua të mendoj se kjo është ende e pamundur. Por, mendoj se Putinit do t’i duhet t’iu përgjigjet këtyre fitoreve të Ukrainës në njëfarë mënyre, përpara se të fillojë dimri. Kështu që në një moment, ai do të përpiqet të bëjë pothuajse gjithçka për të shmangur humbjen totale”, thotë Hooper.
Nikolai Sokov, nga Qendra e Vjenës për Çarmatim, thotë për Exposenë se mundësia që Rusia të kryejë sulm bërthamor në Ukrainë është ende jashtëzakonisht e vogël. Kërcënimet e Putinit, sipas tij, janë më shumë sinjale për Perëndimin, që të mos përfshihet më shumë në konfliktin në Ukrainë. Por këtu, pastaj, mund të lindë edhe rreziku tjetër, thotë Sokov.
“Gjasat e përshkallëzimit midis NATO-s dhe Rusisë janë tani më të mëdha seç kanë qenë gjashtë muaj më parë. Unë nuk mendoj se dikush në Rusi, ose në NATO, ose në Uashington mendon për përdorimin e armëve bërthamore, por konflikti është shumë i tensionuar dhe një aksident [mund ta ndryshojë situatën]. Qoftë një konfrontim i avionëve ose anijeve në Detin Baltik, ndonjë lloj sulmi rus në territorin e Polonisë… diçka e tillë mund ta nisë atë përshkallëzimin, që mund të na çojë te pragu. Ngjashëm siç ka qenë situata në vitin 1962. Hap pas hapi dhe i afroheni rrezikshëm përdorimit të armëve bërthamore”, thotë Sokov.
Sokov, i cili ka qenë edhe pjesë e ekipit negociator rus për marrëveshjet e çarmatimit me SHBA-në, START I dhe II, beson se situata është ende larg katastrofës. Sipas tij, nuk do të ketë sulm të befasishëm bërthamor; Kremlini do të dërgonte disa paralajmërime përpara se të niste një të tillë.
“Nëse Rusia do që të kërcënojë seriozisht, ajo mund të bëjë, thjesht, një provë nëntokësore bërthamore. Një provë e tillë do të ishte një sinjal jashtëzakonisht i fuqishëm. Pra, [sulmi bërthamor] nuk do të ndodhte papritur. Përshkallëzimi i situatës do të na jepte kohë për të biseduar”, thotë ai.
Edhe në Institutin amerikan për Studime të Luftës thonë se gjasat për sulm bërthamor nga Kremlini janë shumë të vogla. Mason Clark, nga ky institut, beson se ka disa arsye përse Putin nuk do të përdorë armë të tilla. E para, thotë ai, Putin e kupton se do të ketë pasoja serioze nga NATO-ja dhe SHBA-ja.
“E dyta, ka shumë gjasa që ai nuk është në gjendje t’i përdorë armët bërthamore në mënyrë efektive në fushëbetejë, sepse forcat ruse nuk janë në formën më të mirë. Ato nuk do të mund ta kthjenë dëmin që kanë pësuar nga ushtria e Ukrainës, në favor të tyre. Për më tepër, shpirti luftarak dhe vullneti i Ukrainës janë aq të fuqishëm në këtë pikë të luftës, saqë nuk ka gjasa që Ukraina të dorëzohet”, thotë Clark nga Instituti për Studime të Luftës.
Në Kiev, disponimi mes disa qytetarëve të anketuar nga Radio Evropa e Lirë është ndryshe-ndryshe.
“Nga Putini mund të pritet gjithçka. Është idiot”, thotë një qytetar ukrainas.
“Asgjë nuk do të ndodhë. Ai po përpiqet të na frikësojë. Fitorja do të jetë e jona”, thotë një ukrainase.
Në shtypin perëndimor ka pasur, po ashtu, opinione të shumta. Biden “përballet me një moment të krizës kubane të raketave”, ka shkruar Washington Post. Kërcënimet bërthamore të Putinit “rrisin alarmin në Uashington”, ka shkruar New Yourk Times. Gazeta gjermane, Der Spiegel, ka publikuar në ballinë fotografinë e Putinit me titullin “Rrezikshëm i dobët”./REL
![](https://gazetainfokus.com/wp-content/uploads/2023/12/Screenshot_5-2.png)
Të tjera
-
Osmani takohet me kryeministrin grek: Bashkëpunimi midis Kosovës dhe Greqisë i dobishëm për gjithë rajonin
Presidentja Vjosa Osmani është takuar me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsota...
-
Policia në kërkim të këtij personi, nëse e dini vendndodhjen e tij thirrni në 192
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj bazuar në ligjin për publikimin e fo...
-
Vuçiq: Kam pasur një bisedë të gjatë me Macronin për Kosovën
Aleksandar Vuçiq tha se në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian ...
-
PDK-ja i dërgon në Kushtetuese ligjet për KPM-në dhe KPK-në
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se sot...
-
Publikohet pamja, ky është i arrestuari i dyshuar për implikimin në vrạsjen e policit në Serbi
Zëvendëskryeministri i Serbisë dhe ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçi...
-
Arrestimi i “Bio Mulakut”: Prokuroria iu bën thirrje të gjithë atyre që u dëmtuan nga ai të lajmërohen në polici
Ditë më parë Policia e Kosovës, arrestoi dy persona në Vushtrri, në mesin e t...
-
“Vràsjen e kam kryer në vetmbrojtje” – Andi Pajaziti deklarohet në gjykatë për vrásjen e Kastriot Ramadanit në “Bon Vivant”
I akuzuari Andi Pajaziti është deklaruar i pafajshëm për vrasjen nga ...
-
Artan Hajrizi dyshohet se ia dërgoi me postë pasaportën vëllait Fatonit
Mbrëmë pas mesnatës, raportohet se një polic është vrarë dhe një tjetër është...
-
Polici shtiu në drejtim të Faton Hajrizit por nuk arriti ta qëlloj – dalin detaje të reja për vrạsjen në Loznicë
Një polic është vrarë dhe një tjetër është plagosur rëndë nga disa të shtëna ...
-
Faton Hajrizi dyshohet se e kreu vrạsjen me ạrmën zyrtare të policit
Mbrëmë pas mesnatës, një polic raportohet të jetë vrarë dhe një tjetër është ...
-
Policia shpall konkurs për zyrtarë policorë nga komunitetet për drejtorinë në Veri
Policia ka shpallur konkurs për të gjitha komunitetet për pranimin e zyrtarëv...
-
Mbi 11 milionë euro u shpenzuan për blerjen e teksteve shkollore
Shuma e shpenzuar e buxhetit për blerjen e teksteve dhe mjeteve mësimore gjat...